Një shëtitje në Bulevard

Lajmi i vetëm që prodhoi në pamje të parë protesta e opozitës ishte pjesëmarrja disi më e tkurrur se masa e njerëzve që dolën në rrugë në 27 Janar.

U bënë forografime nga kënde të ndryshme të protestës, u ofruan pamje në miniaturë të filmuara nga lart si provë për mbështetjen që gëzon sot opozita dhe kauzat e saj.

Bazuar mbi këto përshtypje Edi Rama foli për bojkot të demokratëve ndaj “babale-protestës” siç e quajti ai.

Një prirje e njohur kjo e kryeministrit për të deligjitimuar kauzën e kundërshtarit, përmes etiketimeve që lidhen me personazhin e një denoncimi konkret, për të cilin gjithsesi nuk ka ende një akt ekspertimi.

Pavarësisht kësaj qesëndisjeje, kërkesa për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm është legjitime në kushtet kur vëllai i tij është në burg për trafik droge dhe kur ka një hetim për implikimin ose jo të tij.  Masa e njerëzve ishte e mjaftueshme për të legjitimuar një protestë të tillë me besimin se Lulzim Basha po i paraprin një kauze të drejtë.

Por ndërhyrja e këtij të fundit për të frenuar një lloj agravimi të situatës dhe mbyllja e papritur e protestës, lanë një shije të hidhur tek njerëzit që ishin lajmëruar për një tubim pa afat, e konfirmuar kjo nga vetë deputetë të opozitës që u ndeshën me pakënaqësinë e protestuesve.

Për aq sa pamë, protesta mund të quhet “Shëtitje e opozitës në Bulevard”. Këtë bëri Lulzim Basha me njerëzit që thirri në protestë. Objektivi ishte largimi i ministrit të Brendshëm, por në planin faktik kjo gjë deri tani nuk ka ndodhur. Nuk dimë nëse kreu i PD ka të dhëna të tjera që legjitimojnë lëvizjet e tij taktike.

Nëse ka një fitore dhe zoti Basha e mban në xhep për llogaritë e veta politike, kjo përforcon dyshimet se edhe këtë protestë ai mund ta ketë përdorur për pazare të vogla politike të ngjashme me ato të çadrës. Lulzim Basha nuk i falenderoi njerëzit që i besuan edhe kësaj radhe, por u mjaftua me një postim me titullin “Dielli për shqiptarët lind nga Perëndimi”, ku shkruan se ai dhe opozita nuk përulen para krimit dhe drogës. Thjesht fjalë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne