Një tërmet 6.2 ballë godet Zelandën e Re

Një tërmet në fuqi prej 6,2 ballë sipas shkallës së Rihterit ka goditur qytezën Taumarunui të Ishullit Verior të Zelandës së Re.

Në një deklaratë nga GeoNet Zelanda e Re thuhet se tërmeti është regjistruar 20 kilometra në jug të qytezës dhe në thellësi prej 207 kilometrash.

Në një deklaratë nga Mbrojtja Civile pas tërmetit thuhet se nuk ka rrezik për cunami.

Po ashtu Institucioni i Menaxhimit të Emergjencave dhe të Zjarrit ka bërë të ditur se nuk është njoftuar për ndonjë raport të dëmeve.

Në anën tjetër sipas lajmit të Radio Zelanda e Re, pas tërmetit i cili është ndjerë në gjithë shtetin janë pezulluar seancat në parlament.

Zelanda e Re ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta. Në tërmetin prej 6,3 ballë i cili kishte goditur Ishullin Jugor në vitin 2011, 185 persona humbën jetën.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne