“Një Turqi stabile do të thotë Ballkan stabil”

Deputeti i Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe zëvendëskryetari i Kuvendit të Kosovës, Fikrim Damka, thekson se shtetet e Ballkanit ndjekin nga afër procesin e referendumit në Turqi, sepse, sipas tij, “Një Turqi stabile do të thotë Ballkan stabil”.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) në lidhje me qasjen e shteteve të Ballkanit ndaj referendumit që do të mbahet në Turqi më 16 prill dhe strukturimin e Organizatës Terroriste FETO në rajon, Damka është i mendimit se ndryshimet kushtetuese në Turqi do të ndikojnë pozitivisht në shtetet e Ballkanit. “Vëmendja jonë është kah Turqia”, shton Damka.

Duke theksuar se jostabiliteti i mundshëm në Turqi do të nënkuptonte jostabilitet edhe në Ballkan, Damka vazhdon:

“Efekti pozitiv i Turqisë mbi shtetet e Ballkanit kohëve të fundit është shumë i madh. Rrjedhimisht, ne po e ndjekim nga afër këtë referendum. Edhe më 15 korrik i ndoqëm nga afër zhvillimet në Turqi, sepse ajo që ndodhi është ishte ngjarje që do të ndikonte shumë te ne. Destabilizimi i Turqisë do të nënkuptonte zvogëlim të interesimit për Ballkanin dhe interesim i fuqive të ndryshme për Ballkanin, ndërsa kjo do të shkaktonte lindjen e luftrave të ndryshme. Andaj, zhvillimet në Turqi ndiqen nga afër në Ballkan. Kjo nuk vlen vetëm për popullatën muslimane, por zhvillimet në Turqi i ndjekin nga afër edhe popujt jomuslimanë. Sepse një Turqi stabile do të thotë Ballkan stabil”.

“Turqia mund të jetë model për Ballkanin”

Damka shprehet se qëndrimi i një partie në Turqi në pushtet për vite të gjata është sukses i madh.

Ai thekson se qeveria e udhëhequr nga një parti pa koalicione partiake mundëson përparimin e Turqisë, duke shtuar se kjo po ashtu ka mundësuar krijimin e një besimi të madh në Turqi.

“Në Turqi këtë e kemi parë në mënyrë shumë konkrete. Kemi parë se si në Turqi ngelja e një partie të vetme në qeveri për vite të gjata krijoi besim dhe se si e çoi vendin para. Edhe një nga qëllimet e këtij referendumi është që të krijohet një sistem stabil pa varësi nga asnjë parti. Prandaj, mendoj se Turqia ka hedhur hap të duhur në këtë drejtim”, thotë Damka, për të vazhduar më tej se rezultati që do të dalë nga referendumi natyrisht do të jetë vullneti dhe vendimi i popullit.

Sipas Damkës, ndryshimet kushtetuese që do të dalin nga referendumi në Turqi do të jenë shembull edhe për ta. Ai thotë se Turqinë e marrin si model në shumë aspekte.

“Ndryshimet kushtetuese në Turqi do të kenë efekt të madh në shtetet e Ballkanit. Gjithsesi, ne marrim Turqinë si model në shumë aspekte. Kjo sepse edhe shtetet e Ballkanit kanë nevojë për një sistem stabil dhe ne japim përpjekje në këtë drejtim. Mbase për Kosovën është herët, meqë ajo rishtazi ka konsoliduar qeverisjen, por jam i sigurt se më vonë ndryshimet kushtetuese në Turqi do të jenë model për ne. Unë po ashtu jam i sigurt se ky sistem i ri i qeverisjes në Turqi do të jetë i suksesshëm. Mendoj se kjo do të ketë efekt jo vetëm në Ballkan, por në shumë rajone”, vë në dukje Damka.

“Në Ballkan nuk ka fushatë për ‘jo’ për referendumin në Turqi”

Siç thotë Damka, ndryshe nga fushatat për “jo” të PKK-së dhe FETO-s në Evropë dhe mbështetjes së Evropës për këto aktivitete, në Ballkan nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim i këtillë.

Ai shprehet se nuk ka parë asnjë shtet të Ballkanit të mbështet aktivitetet e organizatave si PKK dhe FETO.

“Krejt ndryshe nga Evropa, shumica e popullatës në Ballkan është për ‘po’ për referendumin në Turqi, sepse popullata e Ballkanit është e mendimit se me sistemin e ri Turqia do të jetë shtet më stabil. Rrjedhimisht, ne si popuj të Ballkanit e kemi fokusin kah Turqia. Dhe, kam besimin që populli turk, duke marrë parasysh ngjarjet që kanë ndodhur në Turqi deri më tani, do të bëjë zgjedhjen e duhur”, thotë Damka.

“Rajoni destabilizohet nga qeveritë me koalicione”

Fikrim Damka tregon se në shumicën e shteteve të Ballkanit ka koalicione qeveritare, kjo sipas tij për shkak të disa bllokimeve që sjellin sistemet parlamentare, gjë që, siç thotë ai, sjell destabilitet në rajon.

Ai më tej shton se asnjë qeveri në rajon nuk ka arritur të përfundojë mandatin katërvjeçar dhe se çdo vit organizohen zgjedhje. Si shembull ai përmend koalicionet qeveritare të formuara në Maqedoni, Kosovë, Bullgari, Greqi.

Sipas Damkës, ekziston nevoja për një ndryshim të sistemit i cili do të largonte qeveritë me koalicione.

“Bullgaria thuajse çdo vit përballet me zgjedhje të parakohshme. Dhe vazhdimisht është fytafyt me qeveritë e koalicionit. Ndërkaq, rezultati i zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, pamundësoi krijimin e një qeverie. Nuk mund të krijohet qeveri për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme. Me gjasë, sërish do të merret vendimi për zgjedhje të parakohshme. Në të njëjtën mënyrë, edhe në Shqipëri zgjedhjet mund të përsëriten. Edhe në Greqi është rasti i njëjtë. Në Kosovë, asnjë qeveri nuk ka përfunduar mandatin katërvjeçar në dhjetë vitet e fundit, dhe zgjedhjet vazhdimisht përsëriten. Të gjitha këto burojnë nga bllokimi i sistemit parlamentar”, thotë Damka, duke e theksuar nevojën për rirregullimin dhe ndryshimin e sistemit parlamentar.

“Shtetet e Ballkanit janë të detyruara t’i japin fund FETO-s për stabilitetin e tyre”

Damka “me keqardhje” thotë se struktura e FETO-s vazhdon ende në Ballkan.

Ai thekson se qeveritë e Ballkanit kanë ndërmarrë një sërë masash për mënjanimin e kësaj strukture, megjithatë, siç thotë, ato janë të pamjaftueshme. “Shtetet e Ballkanit duhet të marrin masa urgjente për të ardhmen e tyre. Në të kundërtën, tentativë e ngjashme si ajo e Turqisë mund të ndodhë edhe në Ballkan”, vazhdon Damka.

Ai shprehet se shtetet e Ballkanit pas një periudhe të caktuar do të hedhin hapa seriozë për mbylljen e shkollave të FETO-s.

“Janë të detyruara të bëjnë një gjë të tillë. Kjo organizatë do të bëjë atë që ka bërë në Turqi edhe aty. Prandaj, shtetet e Ballkanit janë të detyruara të marrin masa kundër FETO-s në mënyrë që të mos dëmtohet stabiliteti i tyre. Është e mundur të shihet se si ky strukturim është bërë në Ballkan njëlloj siç u bë edhe në Turqi. Rrjedhimisht, herët apo vonë, shtetet e Ballkanit do të vetëdijesohen mbi këtë. Gjithsesi, pas ngjarjeve në Turqi, shtetet u informuan rreth kësaj strukture dhe po përpiqen të marrin masa. Edhe nëse jo për një kohë të shkurtër, pas një kohe kjo strukturë do të zhduket”, vlerëson Damka.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne