Një udhëtar në gjurmët e qytetërimit të humbur: Fuat Sezgin

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Këtë javë humbëm në moshën 94-vjeçare akademikun Fuat Sezgin, një dijetar që gjithë jetën ia kushtoi kontributit të myslimanëve në shkencat moderne. Sukseset e arritura prej tij në 94 vite jetë dhe trashëgimia që na la është kaq kolosale, saqë nuk mund të realizohet gati as në jetët e disa njerëzve së bashku. Prof. dr. Fuat Sezgini punoi një jetë tërë si një orë perpetuale (vetëkurdisëse) dhe zemra i pushoi kur ora u ndal për herë të parë.

Mirëpo çfarë e dallon këtë dijetar të madh?

Udhëtimi nga Bitlisi nëpër botë

Fuat Sezgini u lind në Bitlis, në vitin 1924. Njohuritë fetare bazë dhe mësimet e para të gjuhës arabe i mori nga i ati, asokohe myfti i zonës. Jetën akademike e vazhdoi pas vitit 1943, në Institutin e Orientalizmit, pranë Fakultetit të Letërsisë së Universitetit të Stambollit. Këtu ai u njoh dhe ndërtoi një miqësi të pathyeshme me orientalistin gjerman, Helmutt Ritter.

E keqja ndonjëherë sjell të mirën

Teksa vijonte kërkimet akademike, profesor Fuati u pezullua nga universiteti sikurse dhe mjaft shkencëtarë të tjerë pas grusht shtetit të vitit 1960. Faji i tij i vetëm ishte se vëlla kishte njërin prej kryetarëve të degëve të Partisë Demokrate (DP). Në moshën 36-vjeçare, kur ishte ende një akademik i ri, profesori mbeti pa punë dhe pa rrugëzgjidhje. Por, siç ndodh shpeshherë, edhe nëse të gjitha dyert u mbyllen në vendet e tyre, njerëzve të drejtë, punëtorë dhe produktivë u hapen patjetër dyer të reja gjetkë nëpër botë. Vite më pas, kur iu dha rasti të ballafaqohet me ushtarakët që e larguan nga universiteti, profesor Fuati i falënderoi ata me këto fjalë: “Veprat dhe politikat tuaja nuk më pëlqejnë. Megjithatë ju jam falënderues. Sepse nuk do ta bëja dot punën shkencore time në Gjermani nëse ju s’do të më kishit larguar nga universiteti.”

Kur të gjitha dyert iu përplasën në fytyrë, ai mori ftesa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikë dhe Gjermania. Ai zgjodhi këtë të fundit me idenë që mund të udhëtonte më lehtë për në Turqi dhe anasjelltas. Falë hulumtimeve të realizuara në Gjermani, profesor Fuati u vlerësua si një prej dijetarëve ndoshta më të respektuar në botë për historinë e shkencave në përgjithësi dhe shkencave islame në veçanti.

Vallë a s’ekzistonin myslimanët në shkencë?

Po të shohësh jetën e profesor Fuatit, ai ishte si një kalorës që përpiqej të ngadhënjente tërë botën në fushën e shkencës. Rendej sa në njërën bibliotekë në tjetrën duke u marrë vetëm me kërkime shkencore për dhjetëra vite me radhë, pa i kushtuar kohë asgjëje tjetër. Siç tregonte ai vetë, dreka e tij ishte kryesisht një copë bukë me djathë ose me reçel.

Ç’e shtynte profesorin me energji mbinjerëzore të punonte pa u lodhur?

Aq sa dhe respekti i tij për shkencën, ishte miratimi “shkencor” gjatë periudhës në të cilën jetoi, diçka e vlefshme në disa qarqe ende sot e kësaj dite: Bindja se myslimanët nuk kontribuojnë në shkencat moderne dhe se shkenca e teknologjia e sotme bazohen në zhvillimet e lashta greke dhe më vonë evropiane. Ai vetë tregonte se këtë bindje të përçudnuar e pati hasur qysh në javët e para të shkollës fillore: “S’kishin kaluar ende dy apo tri javë nga fillimi i shkollës fillore dhe mësuesja, e cila na nguliti mirë në kokë se bota është e rrumbullakët, na thoshte që dijetarët myslimanë besonin fortë se bota qëndronte mbi brirët e një kau. E nga ta dija unë, një fëmijë i gjorë, që pas gati 30 vitesh do të mësoja se myslimanët ishin në gjendje të matnin perimetrin e rrethit të ekuatorit me disa metoda të ndryshme që në shekullin e 9-të duke arritur përherë të njëjtin rezultat, afro 40.000 km?!”

Me punën dhe këmbënguljen e tij të përkushtuar, profesor Fuati nxori në pah shumë qartë kontributin e dijetarëve myslimanë për shkencat natyrore dhe mjaft zhvillime teknologjike. Përveç kontributit autentik të dijetarëve myslimanë, ai vërtetoi se shkenca dhe filozofia e lashtësisë greke po ashtu i janë transmetuar epokës moderne falë dijetarëve myslimanë.

Megjithatë jeta nuk qëndron në histori. Mjaft i hidhur është konstatimi i profesor Fuatit se “jo pak shtete perëndimore kanë avancuar shumë më tepër se vendet islame në aspektin e hulumtimeve të realizuara në fushën e historisë së shkencave islame”.

Personaliteti, qasja dhe kontributet

Sezgini u ndikua dhe frymëzua shumë nga idetë dhe disiplina e punës së Helmutt Ritterit. Që kur u takuan për herë të parë, ai vuri re se disa prej dijetarëve të mëdhenj myslimanë, të cilët Ritteri i përmendte hera-herës, nuk u kishte dëgjuar as emrin. Kur nisi të bashkëpunojë me të, Ritteri e pyeti se sa orë në ditë i kushtonte punës shkencore. Pasi profesor Fuati i qe përgjigjur se “punonte 13-14 orë”, ai i thotë: “Me kaq pak punë s’mund të bëhesh dijetar!” Në vijim, profesor Fuati nuk zbriti më nën 17-18 orë punë në ditë deri sa mosha filloi të bënte të vetën. Rrjedhimisht, gjëja e parë që duhet të thuhet për personalitetin dhe karakterin e tij është se ai ishte një këmbëngulës i zellshëm dhe i pareshtur.

Një faktor tjetër i spikatshëm te profesor Fuati është se, për dallim nga ajo si veprohet shpesh në shekujt e fundit, ai nuk u afrohej shkencave dhe qytetërimit islam nëpërmjet një opozite ndaj Perëndimit apo të tjerëve. Ai kishte vetëbesimin e shkencëtarëve myslimanë kur ata ishin më aktivë dhe efektivë në botë. Ndaj kur punonte me njerëzit, pavarësisht përkatësive gjuhësore, fetare apo etnike të tyre, ai qasej dhe sillej me vetëbesim jo vetëm në paraqitjen, përpilimin e njohurive shkencore, por edhe në dhënien e hakut.

Sigurisht që puna voluminoze e profesorit mbi kontributet shkencore dhe teknologjike të dijetarëve myslimanë është jashtëzakonisht e çmuar. Megjithatë ai nuk ishte vetëm një shkencëtar, por njëherësh edhe një njeri që themeloi Fondacionin Kërkimor të Historisë së Shkencave Islame dhe Institutin e Historisë së Shkencave Arabo-Islame në Frankfurt, për zhvillimin akademik të sferës që mbulonte. Ai i shpenzoi të gjitha të ardhurat e tij në këtë rrugë. Si të mos mjaftonin këto, ai themeloi gjithashtu Muzeun e Historisë së Shkencave dhe Teknologjisë Islame në Frankfurt dhe Stamboll, me qëllim që e gjithë bota të shohë më mirë kontributet e myslimanëve në shkencë dhe teknologji.

Dy Gjermani

Gjermania ka shumë vend, madje jashtëzakonisht të veçantë, në jetën e profesor Fuatit. Por ç’është më e rëndësishme, vetë historia e shkencave i detyrohet shumë Gjermanisë, e cila i dha këtij akademiku të shquar një shans kur të gjitha dyert iu mbyllën në Turqi pas grusht shtetit të 1960-s. Nga ana e tij, profesori e shprehte mirënjohjen dhe falënderimin për këtë shtet sa herë që i jepej rasti. Gjatë atyre viteve, Gjermania e mbështeti punën shkencore të tij duke vepruar me bindje dhe vetëbesim, pa rënë në grackën e ndonjë kompleksi të çfarëdoshëm. Për këtë arsye, Gjermania e atëhershme duhet të vlerësohet lartë. Ndërsa sot, pozicioni i saj është vite drite larg qasjes së dikurshme. Pasi vendosi të transferojë në Turqi bibliotekën e tij, të cilën e kishte formuar plotësisht me mundësitë personale, Gjermania e hodhi në gjyq duke e akuzuar për “përvetësim të librave”. Në perëndim të jetës së tij, bibliotekës së profesorit iu vu dryni dhe atij iu ndalua hyrja. Ai megjithatë bëri përpjekje që kjo çështje të mos politizohet duke ia fshehur opinionit publik. Nëse shohim qoftë edhe vetëm sjelljen e Gjermanisë ndaj profesor Fuatit në të kaluarën dhe sot, mund të vërehet lehtësisht transformimi dhe ndryshimi negativ i tanishëm në Gjermani, një vend gjithnjë e më tepër i mbyllur.

Deri kohët e fundit, bota turke dhe islame nuk ishte plotësisht e vetëdijshme për profesor Fuatin. Sepse përveç jo shumë përjashtimeve, duke mos qenë mjaftueshëm e vetëdijshme për atë që pati humbur gjatë disa shekujve, kjo botë s’ishte në dijeni as të zbulimeve të këtij margaritari. Profesor Fuat Sezgini na dha lamtumirën duke ndezur me veprat e tij një pishtar gjigant për të gjithë shkencëtarët anembanë botës.

Qoftë i xhenetit!/ trt

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne