Një vit pas grushtit të shtetit, Turqia është më e fortë

Ibrahim Kalin

Pak më shumë se një vit ka kaluar që nga dita e errët kur gylenistët brenda ushtrisë turke tentuan një grusht shteti të përgjakshëm në Turqi. Megjithatë planet e tyre 40-vjeçare për realizimin e këtij puçi u shumëzuan me zero në më pak se 24 orë nga vullneti i popullit. Rrallë kemi parë një raport të tillë njeri-fuqi në historinë moderne.

Kur miliona qytetarë turq mendojnë sërish për puçin e dështuar të verës së kaluar, ata kujtojnë 250 njerëz të pafajshëm, që u martirizuan nga duart e puçistëve, si dhe më shumë se 2.000 të tjerë, që i mbijetuan sulmit me lëndime. Prindërit kujtojnë se duhet t’u shpjegojnë fëmijëve të tyre se çfarë është saktësisht një grusht shteti ushtarak dhe pse burra të armatosur, të veshur me uniformën e ushtarëve turq, qëlluar drejt njerëzve, që në fakt ata duhet të mbronin. Mënyra sesi u bashkuam si komb dhe penguam një tentativë për grusht shteti është një burim krenarie për ne. Nga ana tjetër, që kur tentativa për grusht shteti përfundoi zyrtarisht e këtej, ne po përballemi me një përpjekje të koordinuar për të minimizuar rëndësinë e asaj që kishte ndodhur dhe, në vend të saj, për t’u fokusuar në hapat e ndërmarra nga qeveria turke për të parandaluar sulmet e ardhshme nga operativët e organizatës terroriste gyleniste (FETO). Mirëpo përralla, që ata mundohen të imponojnë kundër Turqisë, nuk i ndryshon faktet në terren. Pa marrë parasysh pikëpamjet politike, gjininë apo statusin, populli turk shkroi epope gjatë 12 muajve të fundit duke u ngritur përsëri në këmbë kundër këtij sulmi të turpshëm ndaj demokracisë, lirisë dhe pavarësisë së tij.

Duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe duke shkarkuar zyrtarë të njohur të FETO-s nga institucionet publike, qeveria i privoi terroristët nga resurset publike dhe kompetencat zyrtare, të cilat ata i abuzuan për të financuar dhe zbatuar planet e tyre të këqija për vite me radhë. Pretendimi se Turqia, si një aleate e NATO-s, do të përballet me një rrezik sigurie pas arrestimit të komplotistëve të grushtit të shtetit brenda ushtrisë rezultoi të jetë krejtësisht i gabuar. Përkundrazi, ushtria dhe policia turke po rikuperohen plotësisht nga virusi tinëzar i infiltrimit gylenist dhe po u ofrojnë popullit dhe vendit shërbimet e tyre ashtu si duhet. Falë përpjekjeve tona, ushtria turke ishte në gjendje të fillonte operacionin “Mburoja e Eufratit” dhe t’u jepte një goditje të madhe terroristëve të DAESH-it në veri të Sirisë vetëm 6 javë pas tentativës së dështuar për grusht shteti.

Në të njëjtën kohë, Turqia ndërmori hapa të rëndësishme gjithashtu kundër grupeve të tjera terroriste, përfshi këtu edhe PKK-në, duke penguar rekrutimin e elementëve të rinj dhe ndërprerë rrjedhën e burimeve financiare të terroristëve. Kurse ekonomia turke u rigjenerua me shpejtësi nga paslëkundjet e tentativës së dështuar për grusht shteti dhe regjistroi 5 për qind rritje ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2017. Indeksi “BIST 100” (i Bursës së Stambollit) u rrit me pothuajse 30 për qind që nga janari për të shënuar rekorde të larta dhe shpërblyer investitorët njëkohësisht. Ndërkohë, ne po ecim përpara me projekte të mëdha duke përfshirë këtu ndërtimin e aeroportit më të madh në botë në Stamboll dhe një urë ndërkontinentale në Dardanele (Çanakala).

Më në fund, gjatë natës së përpjekjes për grusht shteti, miliona vëllezër myslimanë, nga Azia Qendrore në Amerikën e Jugut dhe nga Indonezia në Afrikë, u renditët përkrah Turqisë dhe u lutën për mirëqenien e paqen tonë. Në fakt, menjëherë pas tentativës puçiste, shumë publikime nga e gjithë bota islame dhe liderë të panumërt myslimanë deklaruan haptazi se ata qëndronin pranë Turqisë. Miliona njerëz vërshuan në sheshet publike dhe mbushën xhamitë për të demonstruar miqësinë e tyre me popullin turk. Por heshtja e plotë e shumicës së vendeve perëndimore karshi situatës në fjalë, dështimi i tyre për të shfaqur qoftë edhe shenjën më të vogël të solidaritetit, si dhe mungesa madje e deklaratave të vonuara ose të paqarta, janë së paku për t’i vënë gishtin kokës.

Turqia ka bërë hapa të guximshme në arenën ndërkombëtare që nga tentativa e verës së kaluar për grusht shteti. Pavarësisht se vendimet e disa vendeve evropiane për t’u dhënë azil komplotistëve të grushtit të shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tyre shkaktojnë tensione, Turqia dhe Bashkimi Evropian janë përpjekur të angazhohen në një dialog konstruktiv për të ringjallur bisedimet e anëtarësimit. Me proceset e Gjenevës dhe Astanës, Turqia po luan një rol kyç në reduktim/kufizimin e luftës së përgjakshme në Siri dhe në gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin, i cili u ka marrë jetën qindra-mijëra njerëzve. Turqia vazhdon të bëjë më të larmishme dhe të zgjerojë botëkuptimin e politikës së jashtme të saj në Afrikë, Lindjen e Mesme, Azi dhe në Amerikën Latine.

Për investitorët ndërkombëtarë dhe qeveritë e huaja gjithashtu, Turqia mbetet një vend ku ata mund të gjejnë miq dhe aleatë, me të cilët mund të punojnë në projekte me përfitim reciprok. Sidoqoftë, e gjithë bota duhet të kuptojë dhe pranojë se përpjekjet tona për të nxjerrë përpara drejtësisë të gjithë komplotistët e grushtit të shtetit, përfshi këtu edhe drejtuesit e lartë të FETO-s, janë të padiskutueshme, nuk mund të komprometohen dhe as të negociohen. Ne do të ndjekim penalisht përgjegjësit (e tentativës puçiste) dhe do t’u japim atyre dënimin më të madh të paraparë me ligj, ndërkohë që mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj parimit të sundimi të ligjit.

Duhet të kujtojmë se tentativa puçiste gyleniste ishte gjithashtu një akt pushtimi në kuptimin më të gjerë të termit – duke pushtuar jo vetëm jetët e njerëzve dhe institucionet e shtetit, por gjithashtu zemrën dhe mendjen e popullit të Anadollit, që qëndron si një rreze shprese për dhjetëra-miliona njerëz, që duan të shohin një botë më të drejtë dhe humane. Ata që strehojnë gylenistët dhe orvaten që të gjejnë mënyra për të justifikuar veprën e tyre të tmerrshme të tradhtisë, rrezikojnë të humbasin këta njerëz fisnikë dhe një vend kyç për një grusht kriminelësh apokaliptikë.

Ishin me ne dhe u lutën me ne në atë ditë të turpshme…/ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne