Njeriu prosumer në mediat sociale

Përdoruesit e mediave sociale, që ngarkojnë video apo fotografi, që shkruajnë komente ose mesazhe në mur, që shikojnë profilet e shokëve dhe që shtojnë shoqëri në Facebook, përbëjnë mallin konsumues që u shitet reklamuesve.

Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren

Evgeny Morozov vlerëson se “…në ditët e sotme, në çdo gjë ndërmjetëson Silicon Valley… Çdo çast që e kalojmë të zgjuar (ndoshta edhe duke fjetur), mund të kthehet në para. Për këtë arsye kërkohet nga ne që të jemi inovativë të të dhënave (datave), që t’i japim formë data-portfoliove tona. Dataizimi (kthimi në të dhëna) i gjithçkaje paraqet një zgjatim të çështjes së financializimit të jetës së përditshme. Pra, duke u financializuar jeta e përditshme, çdo gjë po kthehet në data (e dhënë).” Nëse unë nuk shpërndajë të dhëna, nëse t’i nuk shpërndan, atëherë Web 2.0 (duke përfshirë mediat sociale) si do ta krijojë përmbajtjen e vet.

Bota e shout, në ditët e sotme, u zgjerua deri në atë masë sa që skena përfshiu edhe audiencën (shikuesit). Jemi në botën e spektaklit, ku shikuesi edhe i shikuari janë ndërfutur ndërmjet vete. Madje, në mediat sociale nuk është hequr vetëm kufiri ndërmjet shikuesit/të shikuarit, por e lë të papërcaktuar edhe dallimin prodhues/konsumues. A mund të flasim për një rrjet si Facebook-u nëse miliona njerëz nuk i postojnë të dhënat, fotografitë dhe videot e tyre në këtë rrjet? Youtube përbëhet nga videot e regjistruara nga miliona njerëz me kamerat e tyre personale dhe që ngarkohen në sistem pa ndonjë interes. Pra, krijuesi i këtij sistemi, i cili u ofron njerëzve shërbimin pa ndonjë pagesë, po ashtu nuk ju ofron ndonjë pagesë për produktet e përgatitura dhe të ngarkuara në këtë hapësirë virtuale. Kjo çon në pyetjen klasike të ekonomisë së kush është prodhues e kush konsumues?

Njeriu Prosumer

Në parim, epoka digjitale ka ndryshuar konceptet prodhues dhe konsumues, madje ka të atillë që thonë se i ka hapur rrugën një lloji të ri të kapitalizmit. Në lidhje me këtë çështje i pari që ka folur është Alvin Toffler, i cili në vitin 1980 – me bashkimin e termeve prodhues dhe konsumues (producer + consumer) – propozon konceptin prosumer. Pra, njeriu prosumer nuk është vetëm prodhues, por njëkohësisht është edhe konsumues i asaj që prodhohet nga ai. Sipas Toffler-it, vija ndarëse ndërmjet prodhuesit dhe konsumatorit dita-ditës po paqartësohet. Me epokën prosumer, Toffler-i e definon ardhjen e një forme të re të demokracisë politike dhe ekonomike nëpërmjet pavarësisë vetëprodhuese, prodhimit vendor, pavarësisë së punës, punës së vetëpërcaktuar. Por, kritikët thonë se epoka prosumer nuk e merr parasysh përdorimin e punës (punë pa pagesë) së konsumuesit dhe përdoruesit si burim i jashtëm. Dhe, kështu, kompanitë i ulin shpenzimet e punës dhe investimeve, ndërsa shfrytëzohen konsumuesit që punojnë falas.

Konceptin në fjalë, i cili e ka azhurnuar dhe ka vënë në qarkullim duke e ndërlidhur me internetin, është George Ritzer. Në librin e tij The McDonaldization of Society, ai tërheq vëmendjen mbi reflektimin e standardizimit të prodhimit dhe konsumimit në shoqëri. Sipas Ritzer-it, në cilindo vend të botës të shkoni, përveç që shijoni të njëjtën shije të hamburgerit, po ashtu vëreni që fastfood-i është bërë simbol i standardizimit nga ekonomia në jetën sociale. Në studimin e fundit të quajtur Prosumer Capitalism, Ritzer-i thekson se lloji prodhues-konsumues në industrinë e fastfood-it mund të aplikohet edhe në mediat e reja të botës digjitale. Ashtu siç vetëshërbeheni në restorantet e fastfood-it, mund të flasim edhe për konsumues që e ngarkojnë produktin e vet në platformën e internetit.

Ky tipi prosumer i internetit paraqet një masë shumë tërheqëse për kapitalistët. Sepse, po të mos ishte ky tip njerëzor, ueb-faqet në Web 2.0 mbeten jofunksionale. Pra, nëse në shumicën e këtyre ueb-faqeve “puna nuk bëhet nga masa”, këto ueb-faqe nuk mund të ekzistojnë. Për shembull, në Youtube ngarkohen aq shumë video nga jeta e përditshme dhe nga vende të ndryshme, saqë me logjikën klasike të kompanisë është i pamundur zbatimi i kësaj në këmbim të parasë (rrogës).

 Mediat sociale dhe përmbajta e tyre

 Përdoruesit e mediave sociale, që ngarkojnë video apo fotografi, që shkruajnë komente ose mesazhe në mur, që shikojnë profilet e shokëve dhe që shtojnë shoqëri në Facebook, përbëjnë mallin konsumues që u shitet reklamuesve. Ashtu siç thekson Dallas Smythe, fuqia shikuese është një mall që e kontrollon çmimin, për shkakun që prodhon, shitet, blihet dhe konsumohet.

Tipi i njeriut prodhues/konsumues, siç duket, është i lumtur me punën që bën. Sepse, duke ngarkuar të dhënat në Google document’s, duke i ngarkuar fotografitë në Instagram, duke krijuar lidhjet në lidhje me punën që bën dhe duke komunikuar nëpërmjet Facebook-ut, duke shikuar video në Youtube, ai nuk paguan asgjë. Por, në fakt edhe pse jo ndoshta individualisht, por shikuar në tërësi, ata bëjnë një pagesë të rëndësishme: gjatë shfrytëzimit të këtyre shërbimeve falas, të dhënat personale u shpërndahen kompanive, të cilat pastaj të ofrojnë reklama në bazë të kërkimeve tuaja. Përderisa në mediat tradicionale reklamat nuk ishin individuale, mjedisi i Web 2.0 ka kapacitet dhe teknologji që reklamat t’i orientojë drejt individit, kjo nëpërmjet logaritmave të ndryshme. Kështu, nëse statusin tuaj në Facebook e ndërroni, keni për të hasur në reklama në bazë të statusit tuaj të ri. Apo, nëse bleni libra në internet, atëherë në murin e Facebook-ut tuaj do t’ju shfaqen reklama në lidhje me librat që i keni blerë. Pra, ne si përdorues, pa e vënë re, çmimi më i madh që e paguajmë është informacioni i detajuar që ia japim botës biznesore në lidhje me ne dhe përzgjedhjet tona. Sado që të postojmë ose krijojmë përmbajtje në mediat sociale, po aq ato platforma do të sigurojnë të dhëna për ne.

Nga ana tjetër, me fillimin e marrjes së reklamave në bazë të klikimeve nga Youtube dhe Instagram, pronarët e përmbajtjeve filluan të veprojnë si sipërmarrës. Ka të atillë që, nëpërmjet këtyre platformave, arrijnë që ta marketojnë privatësinë e tyre si data (e dhënë). Evgeny Morozov-i thekson se të gjithë do ta marketojnë privatësinë e tyre si data: “Nëse të dhënat (datat) kthehen në makinë për shtypjen e parave, atëherë të gjithë do të bëhemi sipërmarrës. Kjo do të thotë financializim deri në ekstrem i jetës së përditshme. Atëherë njerëzit do të vendosin që mendimet dhe ndjenjat, ngjarjet dhe fenomenet në lidhje me veten, t’i kthejë në para; sepse, nëse këto dalin në shesh, atëherë në tregun e lirë do të gjejnë ndonjë blerës”.

Prandaj, duhet pasur kujdes kur mendojmë se platformat e përmendura me lartë ofrojnë shërbime falas, duke mos harruar se përmbajta e atyre platformave prodhohet nga “ne” dhe konsumohet po ashtu nga “ne”, ndërsa fiton dikush tjetër./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne