Ronaldos as që i ka shkuar në mendje që njeriu i cili i priti penalltinë, porteri iranian Alizera Beiranvand, ka qenë dikur një bari delesh apo dhe një endacak që flinte rrugëve.

Pritja e tij qe fantastike, edhe për faktin se po ndalonte topin e një bomberi të frikshëm si portugezi.

Por cila ka qenë jeta e mëparshme e atij që u cilësua “më i miri në fushë” përballë Portugalisë?

Britanikja The Guardian zbuloi se portieri 25-vjeçar Alireza Beiranvand vjen nga një familje nomade, gjë që e ka bërë të vështirë që ai të arrinte në krye të futbollit iranian. Për më tepër, ka qenë ndër ata që si një nomad është endur në vende të ndryshme duke fjetur dhe jashtë në kërkim të një fati ndryshe.

Ai ka lindur në Sarabia dhe familja e tij shpesh lëvizte në kërkim të kullotave ku ata mund të mbanin delet. Ai ishte fëmija më i madh në familje, kështu që ai gjithmonë kishte më shumë punë. Bari – kjo ishte puna e tij e parë dhe, kur nuk kishte për të mbajtur delet, luante një lloj loje ku qëllimi ishte hedhja e gurit sa më shumë që të ishte e mundur.

Kjo lojë e ndihmoi atë që nga guri të kalojë te topi.

Kur ishte 12 vjeç filloi të merrej me futboll, por më pari luajti si sulmues. Por dhe këtu nuk pati fat pasi u dëmtua. Kjo e bëri që të ecte ndryshe drejt fatit, duke kaluar si portier. Por në këtë lloj rrugëtimi, ai nuk e kishte mbështetjen e familjes, sidomos babait, i cili e deshte gjithnjë në krye të deleve. Prandaj, Beiranvand vendosi të ikte në Teheran dhe paratë për autobusin i morri borxh nga të afërmit e tij.

“Babai im nuk e donte futbollin sepse mendonte se stërvitja më hante kohën e punës me të cilën mbahej familja. Disa herë më ka grisur dorezat dhe më është dashur të pres topa me duar zbuluar. U arratisa sepse nuk jetoja dot më me familjen time. Punoja dhe luaja futboll. Kam bërë pica, kam punuar si pastrues e në lavazh. Derisa në vitin 2011 kalova në skuadrën e parë të Naft Teheranit”, rrëfeu ai ecurinë e karrierës.

Pritja e një penalltie nga Ronaldo, besohet të jetë kulmi i kësaj karriere dhe historia më e bukur e jetës së tij mes dy shtyllash e një tranverse. /tesheshi

30