“Njohja e Palestinës është vendim i pakthyeshëm”

Presidenti i Kolumbisë, Ivan Doque, e ka cilësuar si hap “të pakthyeshëm” vendimin e marrë gjatë periudhës së pararendësit të tij Juan Manuel Santos për të njohur Palestinën si shtet i pavarur.

“Ky është vendim i pakthyeshëm”, tha Duque, i pyetur në një program në Caracol Radio nëse do ta mbrojë vendimin të cilin ish-presidenti Juan Manuel Santos e kishte marrë pak para se t’i përfundonte mandati.

Duque rikujtoi se kushtetuta e Kolumbisë u jep kompetenca presidentëve për ta përfaqësuar vendin në politikën e jashtme, duke shtuar se Santos, i cili është nderuar më Çmimin Nobel për Paqe, e ka informuar atë para se të shpallej vendimi.

“Mbase mund të jetë bërë dëm që vendimi është marrë pa zhvilluar diskutime më të thella kushtetuese”, theksoi Duque.

“Supozoj se mund të përfitonim më shumë duke bërë një diskutim tjetër, por tanimë kjo gjendet në një pikë të pakthyeshme. Ne si shtete që jemi pjesë e komunitetit ndërkombëtar, nuk mund të jemi pjesë e problemit teksa kemi zgjidhjet. Kjo zgjidhje është formula e dy shteteve që mund të çojë drejt një paqe të qëndrueshme dhe të përhershme”, shtoi presidenti kolumbian.

Ndryshe, përmes një vendimi të cilin ish-presidenti Santos e mori më 3 gusht para përfundimit të mandatit më 7 gusht, Kolumbia e njohi Palestinën si shtet i pavarur dhe sovran.

Ambasada e Izraelit në Bogota përmes një deklarate me shkrim e kishte cilësuar vendimin si “befasi dhe zhgënjim”, ndërkohë që ambasadori Marco Sarmoneta e kishte vizituar zv/presidenten Marta Lucia Ramirez për t’ia shprehur shqetësimet.

Sarmoneta e kishte përshkruar vendimin si “shuplakë ndaj një aleati të besueshëm që është në kundërshtim me cilësinë e raporteve dhe afërsisë mes shteteve dhe liderëve”.

Kolumbia, vend me 49 milionë banorë, ishte shteti i vetëm i Amerikës Latine që nuk e kishte njohur shtetin palestinez, i cili kishte shpallur pavarësinë më 15 nëntor të vitit 1988.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne