Norvegjia ndalon shitjen e armëve për Arabinë Saudite

Norvegjia ka ndaluar eksportin e armëve dhe furnizimeve ushtarake për Arabinë Saudite, e cila udhëheq forcat e koalicionit që luftojnë kundër rebelëve Huthi në Jemen.

Ministrja e Jashtme e Norvegjisë, Ine Eriksen Soreide në një deklaratë për televizionin shtetëror NRK tërhoqi vëmendjen për zhvillimet e fundit në Arabinë Saudite. “Duke marrë parasysh edhe situatën e fundit ku ka arritur lufta në Jemen ne nuk do të japim leje të re për Arabinë Saudite në lidhje me eksportin e armëve dhe municioneve si dhe për të gjithë industrinë e mbrojtjes”, tha ajo.

Soreide nuk ka pranuar të komentojë mbi çështjen në pyetjen nëse Norvegjia ka ndaluar apo jo eksportet e armëve për Arabinë Saudite për shkak të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Po ashtu edhe Gjermania muajin e kaluar njoftoi se ka ndaluar të gjitha eksportet ushtarake për Arabinë Saudite deri në zbardhjen e rezultateve për vrasjen e Khashoggit.

Ndërkohë kryeministri suedez Stefan Löfven ka deklaruar se vendi i tij nuk do të ndalojë shitjen e armëve për Arabisë Saudite pavarësisht rastit Khashoggi.

Jemeni është përfshirë në një destabilizm që nga shtatori i vitit 2014, kur rebelët Huthi kryen një grusht shteti ndaj qeverisë legjitime dhe morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana. Shumë qytete të vendit janë pjesë e konflikteve mes Huthive dhe ushtrisë.

Ndërsa që nga marsi i vitit 2015 forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite ofrojnë mbështetje për Qeverinë e Jemenit./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne