“Nuk jam Ismail Keta, jam protestues dhe bulqizak”

Protestave të banorëve të Buqizës kundër kompanive konçensionare që shfrytëzojnë pyjet e zonës ditët e fundit iu janë bashkuar edhe Ismail dhe Gjetan Keta, kampionët e Tai dhe Kick Box. Bashkë me banorët fshatrave të Bulqizës dy sportistët e njohur kundërshtojnë vendimin për t’ia dhënë pyjet në shfrytëzim kompanive private. Natën bëjnë roje në pyll dhe ditën protestojnë.

“Nuk jam Ismail Keta në këtë rast, jam protestues, ashtu si gjithë bulqizakët, për të drejtën e vendlindjes sime, siç duhet të jetë çdo qytetar i ndershëm dhe shqiptar i vërtetë. Është kënaqësi të ngrihen fabrika dhe të krijohen mundësi për punëtorë në vendlindjen time, por jo të shkatërrohen pyjet për interesa private. Respekt për bashkëfshatarët e mi që treguan qytetari, durim, por dhe këmbëngulje, duke treguar që pronën, shpresën e fëmijëve tanë, nuk mund ta shkatërrojnë bandat”, u shpreh Ismail Keta.

Leja për kompaninë konçensionare është dhënë nga Ministria e Mjedisit në vitin 2015 për shfrytëzimin e parcelave pyjore pranë katër fshatrave të Fushë-Bulqizës. Banorët kundërshtuan që atëherë, duke u ankuar se nuk ishin konsultuar dhe se koncesioni prekte burimet e tyre jetike.

Banorët e fshatrave, ndërkohë, ankohen se u bëhet vazhdimisht presion dhe se autoritetet, përfshi Policinë, mbështesin në mënyrë të paligjshme koncesionarin. Kompania koncesionare është mbrojtur duke bërë me dije se kishte fituar një kontratë të ligjshme dhe se po të kërkonte zbatimin e saj, pavarësisht kundërshtimit të banorëve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne