‘OBC Transeuropa’: Xhafaj e mohon, por trafiku i drogës luan rol të rëndësishëm në Shqipëri. Ngjarjet lidhen me Ramën

Instituti kërkimor ‘OBC Transeuropa’, me bazë në Rovereto të Italisë, ka nisur publikimin e një serie investigimesh që lidhen me trafikun drogës në Shqipëri dhe lidhjet e politikës me trafikantët.

“Shqipëria: Drogë dhe politikë”, është ky titulli i artikullit të parë të ‘OBC’ dhe që nis me një citim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

OBC Transeuropa: “Shqipëria nuk është më një prodhuese e marijuanës”, thotë ministri i Brendshëm shqiptar, Fatmir Xhafaj. Por, Nicola Altiero, brigadier i Policisë së Barit përgjigjet: “Ne kemi sekuestruar 860 kg marijuanë dhe hashash në 2015-n, 13.9 ton në 2016-n, 34.9 ton në 2017-n dhe pothuajse 10 ton në katër muajt e parë të 2018-s”, duke shtuar se “droga e sekuestruar është prodhuar jo më larg se gjashtë muaj më parë”.

Ky institut shtron edhe disa pyetje që kërkojnë t’i japin përgjigje deklaratave kontradiktore që bëhen nga zyrtarët shqiptarë:

  • Si është e mundur që pavarësisht shpalljes së një “lufte të pamëshirshme kundër drogës” në vitin 2013, policia italiane fotografoi shpërthimin e plantacioneve të kanabisit në Shqipëri përgjatë 2013-2016?
  • Si është e mundur që pavarësisht shkatërrimit të plantacioneve në 2017-n, marijuana shqiptare vijon të zbarkojë në bregdetin e Pulias?

Për opozitën shqiptare nuk ka asnjë dyshim: “Qeveria e Edi Ramës lejoi kultivimin për të përfituar avantazhe politike”, argumenton Lulzim Basha, lider i Partisë Demokratike.

‘OBC’ raporton edhe për atë që e quan ‘skandali Siçilian’, arrestimin e Moisi Habilajt në Itali, kushëri i Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm në kabinetin e parë të Edi Ramës.

“Kur vjen puna te lidhjet midis botës së drogës dhe autoriteteve të Tiranës, historia më e famshme është ajo e Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm në qeverinë e parë të Ramës, sot nën hetim për trafik droge dhe korrupsion. Ai që Rama e konsideroi “ministrin më popullor” u bë në fakt i implikuar, në fund të 2017-ës, pas një investigimi të policisë së Katanias që shkatërroi një rrjet kriminal, i akuzuar se ka importuar në Itali armë dhe disa ton kanabis nga Shqipëria për një vlerë totale 20 milionë euro”, shkruhet në artikullin e institutit italian.

Më tej raportohet për mbrojtjen që kryeministri Rama i siguroi ish-ministrit Tahirit, mënyrës se si ky i fundit i ka shpërtuar burgut dhe për akuzat ndaj ish-komisarit Dritan Zagani.

‘OBC Transeuropa’ hidhet më pas në një tjetër rast, te ai i Klement Balilit.

“Historia e Saimir Tahirit – vijon ende – mund të duket e pabesueshme, por është vetëm një prej rasteve. Në fakt, Greqia vijon t’i kërkojë Tiranës të arrestojë Klement Balilin, biznesmenin shqiptar që shtypi rajonal e ka quajtur “Pablo Escobar i Ballkanit”. Historia nuk është e re: në vjeshtë të 2016-ës, autoritetet e Athinës publikuan një raport me mbi 10 mijë faqe për Balilin, duke e akuzuar atë për drejtimin e një karteli të madh droge, që kishte gjithashtu lidhje me Italinë”, raporton ‘OBC’.

‘OBC’ shtron pyetjen: “Po çfarë ka të bëjë qeveria e Ramës me këtë?” Përgjigjen ky institut e gjen te promovimi i Balilit në administratën shqiptare duke arritur që të bëhet edhe drejtor i Transportit në Sarandë në 2014-ën.

Shkrimi i ‘OBC Transeuropa’ mbyllet sërish me citimin e Xhafajt: “Shqipëria nuk është më prodhuese e marijuanës”, thotë ministri Xhafaj, por trafiku i drogës vijon të luajë një rol të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare.”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne