OBI dënon Izraelin për shkurtimin e fondit për familjet e dëshmorëve dhe të burgosurve palestinezë

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) reagoi të hënën kundër Izraelit për shkurtimin e rreth 139 milionë dollarëve nga fondi i caktuar për familjet e dëshmorëve dhe të burgosurve palestinezë.

“Kjo është pirateri, është ndëshkim masiv për popullin palestinez, është shkelje e ligjeve ndërkombëtare”, u tha në një komunikatë me shkrim të OBI-t, ku gjithashtu i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të vihet në veprim për t’u dhënë fund praktikave izraelite, të cilat thellojë krizat humanitare dhe ekonomike që po kalojnë palestinezët, sidomos në territoret e pushtuara.

Kabineti i Sigurisë së Izraelit miratoi të hënën ligjin që parashikon shkurtimin e 502 milionë e 697 mijë shikelëve (rreth 139 milionë dollarë) nga fondi i caktuar për familjet e dëshmorëve dhe të burgosurve palestinezë.

Fondi i siguruar nga Izraeli në emër të Ministrisë së Financave të Palestinës kap një vlerë mesatare prej 700 milionë shikelësh (rreth 190 milionë dollarë) çdo muaj. Izraeli mban 3 për qind si kosto për mbledhjen e taksave.

Në përputhje me Protokollin Ekonomik të Parisit, firmosur ndërmjet Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) në vitin 1994, administrata izraelite i transferon Thesarit palestinez 2 miliardë dollarë në vit nga taksat që mbledh në emër të palestinezëve nga pikat kufitare nën kontrollin e saj.

Kurse qeveria palestineze, nga këto taksa, u jep nga një pagë simbolike familjeve të dëshmorëve dhe personave që mbahen të arrestuar në burgjet izraelite./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne