Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar raportin e parë mbi efektet e dëmshme të pirjes së duhanit në mjedis në të cilin thekson se cigaret ndotin mjedisin me më shumë se 7.000 kimikate dhe mijëra ton të gazeve toksike dhe kancerogjene, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prag të Ditës botërore “Pa tym duhani”, OBSH ka paralajmëruar se duhani në vit vret 7,2 milion njerëz, ekonomisë botërore i kushton 1,4 trilion dollarë, si dhe shkakton ndotjen e mjedisit dhe shkatërron pyjet.

Në raport theksohet se prodhimi i duhanit çon në shkatërrimin e pyjeve. Çdo 300 cigare të prodhuara nënkupton humbjen e një peme. “Duhani na kërcënon të gjithëve. Nxit varfërinë, redukton produktivitetin ekonomik, kontribuon në përzgjedhjen e keqe të ushqimit dhe ndot ajrin që ne thithim”, tha drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se duhani rrezikon zhvillimin e shteteve dhe i bën thirrje qeverive të zbatojnë masa të ashpra për kontrollin e duhanit. Këto përfshijnë ndalimin e reklamimit dhe marketingut të duhanit, promovimin e paketimit të njëtrajtshëm të produkteve të duhanit, rritja e akcizës për duhanin, si dhe krijimin e vende të mbyllura publike dhe të punës pa tym duhani.

Shpenzimet vjetore shëndetësore globale që lidhen me pirjen e duhanit vlerësohen në rreth 422 miliardë dollarë amerikanë, ose 56.34 dollarë amerikanë për person, e cila është 5.7 për qind të shpenzimeve të përgjithshme shëndetësore.

OBSH gjithashtu thekson se duhani shkakton dhe humbje vjetore ekonomike në triliona dollarë për shkak të dobësimit të produktivitetit të punëtorëve, sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga pirja e duhanit.

Me qëllim të paraqitjes së efekteve të dëmshme të pirjes së duhanit, OBSH në vitin 1987 miratoi një vendim, që në çdo 31 maj të vitit shënohet si Dita Botërore “pa tym të duhanit”./ AA

24