OÇP: Rezultatet zgjedhore në Izrael, pengojnë perspektivën e paqes

Sipas rezultateve paraprake që ka deklaruar Komisioni Qendror Zgjedhor i Izraelit gara zgjedhore më shumë u zhvillua mes partisë së krahut të djathtë “Likud” e kryeministrit Beniamin Netanjahu dhe aleancës së qendrës “E kaltra dhe e bardha”, e udhëhequr nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali në pension Benny Gantz dhe ish-gazetari Yair Lapid.

Në zgjedhjet e përgjithshme, ku deri më tani janë numëruar 94% të votave partia “Likud” dhe aleanca “E kaltra dhe e bardha” kanë dërguar nga 35 deputetë në parlamentin me 120 vende.

Ashtu siç edhe pritej asnjë nga partitë nuk ka arritur të nxjerrë nga këto zgjedhje 61 deputetë, numri i nevojshëm për të qeverisur vetëm. Si rrjedhojë pa mbaruar mirë zgjedhjet, në Izrael nisën diskutimet mbi skenarët e koalicionit të ardhshëm.

Procesi për krijimin e qeverisë së koalicionit do të marrë start me takimet që Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin do të nisë të realizojë të enjten me partitë, që e kanë garantuar hyrjen në parlament.

Pas këtyre takimeve presidenti Rivlin brenda një jave nga data e shpalljes (17 prill) së rezultateve përfundimtare nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor do ti japë liderit të partisë, që ai vlerëson se është më afër krijimit të koalicionit, detyrën e krijimit të qeverisë.

Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP), Saib Ureykat tha se zgjedhësi izraelit duke mos votuar për ata që mbrojnë idenë e modelit të zgjidhjes me dy shtete ka mbështetur kundërshtarët e këtij modeli.

Në një postim që ka bërë në rrjetin social “Twitter”, Ureykat thotë se sipas rezultateve të para jozyrtare të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme “zgjedhësit izraelitë ua dhanë votën palëve që bëjnë racizëm”.

Partitë izraelite që mbrojnë modelin e zgjidhjes me dy shtete në çështjen palestineze, shton Ureykat, do të kenë vetëm 18 karrige në parlamentin izraelit me 120 vende gjithsej./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne