OKB-ja i kërkon Belgjikës që të ballafaqohet me të kaluarën e saj koloniale

Ekspertët me mision në Kombet e Bashkuara realizuan në Belgjikë një vizitë mes datave 2-11 shkurt për të hulumtuar racizmin dhe ksenofobinë në këtë vend.

“Qeveria e Belgjikës duhet të miratojë një plan veprimi kombëtar gjithëpërfshirës kundër racizmit”, theksoi Michal Balcerzak, kryetar Grupit të Punës së Ekspertëve të OKB-së për Njerëzit me Prejardhje Afrikane.

“Kemi gjetur dëshmi të qarta se diskriminimi racor është endemik në institucionet në Belgjikë”, u shpreh ai duke i kërkuar Belgjikës që të rishikojë tekstet arsimore për të pasqyruar me saktësi faktet historike, pasi ato lidhen me tragjeditë e kaluara dhe mizoritë e kryera gjatë epokës koloniale belge.

Balcerzak nënvizoi se njerëzit me origjinë afrikane përballen me diskriminim po ashtu në gëzimin e të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore, përfshi këtu diversionin në arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional, “uljen në detyrë” në mundësitë e punësimit dhe diskriminimin në tregun e banesave.

Grupi i punës do t’i paraqesë Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në sesionin e muajit shtator një raport mbi vizitën e tij 10-ditore në qytetet Bruksel, Antwerp, Liege, Namur dhe Charleroi për të hetuar racizmin, diskriminimin racor, afrofobinë, ksenofobinë dhe intolerancën që prek njerëzit me prejardhje afrikane në Belgjikë.

Perandoria Koloniale Belge përfshinte territoret e sotme të Burundit, Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës. Sundimi belg në këto territore rezultoi me reduktime të ndjeshme të popullatave lokale të shkaktuara nga dhuna masive, uria dhe përhapja e sëmundjeve./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne