Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi se ushtria e Mianmarit ndaj myslimanëve të Arakanit ka shfaqur 4 nga 5 veprime me të cilat përkufizohet gjenocidi.

Misioni i Pavarur Ndërkombëtar i Identifikimit të Fakteve i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Mianmarin publikoi raportin e detajuar të “gjenocidit” të cilin e kishte nxjerrë më 27 gusht në përvjetorin e masakrës së kryer ndaj myslimanëve të Arakanit.

Në raportin gjithëpërfshirës prej 444 faqesh, ku shpjegohet se në provincën Arakan janë kryer krimet e “gjenocidit”, “kundër njerëzimit” dhe “krimet e luftës”, u jepet vend edhe deklaratave trishtuese.

“Brigada e 33-të dhe 99-të e këmbësorisë së Mianmarit kanë kryer krimet më “trishtueshme” kundër njerëzimit ndaj popullatës civile”, thuhet në raport, i cili vijon me këto fjalë: “Forcat e Armatosura të Mianmarit janë përgjegjësit kryesorë për shkelje të pandërprera të të drejtave të njeriut dhe kryerjen e krimeve ndërkombëtare në provincat Arakan, Kaçin dhe Shan. Ndaj shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Mianmarit, Min Aung Hlanig dhe komandantëve të lartë duhet të fillohen hetimet nga një organ i besueshëm gjyqësor ndërkombëtar në kuadër të krimeve të kryera kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës dhe të gjykohen personat në fjalë. Ata duhet të përgjigjen para gjykatës në fjalë edhe për akuzat për gjenocid në provincën e Arakanit”.

Në raport vihet theksi se përgjegjësit nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar dhe bëhet thirrje për tu vënë në veprim menjëherë.

Është përcaktuar se myslimanët e Arakanit, të cilët sipas dokumenteve zyrtare emërohen si “Bengalezë” dhe që në raport cilësohen si “refugjatët e ardhur nga Bangladeshi” janë “grupi i mbrojtur me ligj”.

Në raport gjithashtu thuhet se trajtimi i myslimanëve të Arakanit nga forcat e sigurisë së Mianmarit “përfshin sjelljet që i përkasin katër prej pesë veprimeve të ndaluara me Konventën e OKB-së për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit”.

Në mes tjerash në raport është përshkruar në detaje dhuna seksuale ndaj vajzave të reja dhe grave myslimane të Arakanit të moshave 13-25-vjeç, ku thuhet se ato janë përdhunuar dhe disa prej tyre janë vrarë nga meshkujt që i përdhunuan.

Bëhet e ditur se edhe fëmijët e nënave të përdhunuara janë vrarë ose janë plagosur rëndë.

Prej gushtit të vitit 2017 e këtej janë vrarë 10 mijë myslimanë të Arakanit dhe janë zhvendosur 725 mijë prej tyre, ndërsa shtohet se janë dokumentuar 9 masakra masive dhe se në këto masakra janë vrarë qindra persona.

Raporti i OKB-së cilëson se në Mianmar janë shkatërruar plotësisht apo pjesërisht 392 fshatra myslimane dhe është dëmtuar prona private e 37 mijë e 700 personave.

Ky raport i OKB-së, i cili shkaktojë jehonë të madhe në mbarë botën, është përgatitur sipas deklaratave të 875 viktimave dhe dëshmitarëve okularë, në bazë të dokumenteve të analizuara, videove, fotografive dhe pamjeve satelitore.

Burimi: Koha islame

16