OKB: Keqtrajtimi i muslimanëve ruhingianë nga Mianmari mbetet shqetësues

Një eksperte e të drejtave e OKB-së shprehu të premten alarmin për një operacion në rritje të sigurisë në shtetin Rakhinë në Mianmar, ku qeveria është akuzuar për abuzime të përhapura kundër muslimanëve Ruhingianë.

Duke reaguar ndaj njoftimeve se një batalion ushtarak u dërgua në Rakhinë të enjten për të ndihmuar autoritetet lokale të rrisnin sigurinë në rajon, raportuesja speciale e OKB-së, Yanghee Lee, paralajmëroi se zhvillimi ishte “një shkak për shqetësim të madh”.

“Qeveria duhet të sigurojë që forcat e sigurisë të kenë vetëpërmbajtje në të gjitha rrethanat dhe të respektojnë të drejtat e njeriut në adresimin e gjendjes së sigurisë në shtetin Rakhinë”, tha ajo në një deklaratë.

“Më kujtohen veçanërisht akuzat për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut që pasuan operacionet e forcave të sigurisë, pas sulmeve kundër tre objekteve të policisë kufitare në Maungdaw dhe Rathedaung në tetor dhe përplasjet e mëtejshme në nëntor,” shtoi ajo.

Komentet e Lee erdhën pasi një komision i emëruar nga qeveria të dielën hodhi poshtë akuzat e OKB-së për abuzime të gjera gjatë goditjeve, duke pastruar forcat e sigurisë së Mianmarit nga akuzat për përdhunim sistematik, vrasje dhe zjarrvënie kundër muslimanëve Ruhingianë.

Komisioni shqyrtoi dhunën vdekjeprurëse që filloi në Rakhinë vitin e kaluar pas sulmeve nga militantët Ruhingianë në postet e policisë pranë kufirit të Bangladeshit.

Qeveria po refuzon të lejojë një ekip të zbulimit faktik të OKB-së të kryejë hetimin e vet nëse reagimi i sigurisë ka arritur në “spastrimin etnik” të minoritetit Ruhingian pa shtetësi.

Mianmari me shumicë budiste është kritikuar gjatë për keqtrajtimin e më shumë se një milionë Ruhingianëve që jetojnë në Rakhinë, të cilët konsiderohen si të ardhur nga Bangladeshi, iu është mohuar shtetësia dhe qasja në të drejtat themelore.

Lee tha se kishte marrë parasysh raportin nga komisioni qeveritar, duke theksuar se kishte “pranuar se nuk ishte në gjendje të verifikonte shumë prej këtyre shkeljeve ose krimeve të pretenduara, përfshirë torturën, përdhunimin dhe zjarrvënien”, dhe ajo kërkoi që këto të adresohen siç duhet nga autoritetet përkatëse.

“Ka pasur rritje të raporteve të incidenteve që prekin popullsinë lokale, përfshirë vrasjet e gjashtë fshatarëve Mro më 3 gusht”, theksoi ajo.

Lee tha se ajo ndan shqetësimet e sigurisë së qeverisë dhe e kupton përgjegjësinë e shtetit për të ofruar siguri dhe për të mbrojtur njerëzit nga sulmet e ekstremistëve.

Por ajo theksoi se autoritetet duhet të ofrojnë mbrojtje të barabartë për të gjithë banorët.

“Çdo masë që marrin forcat e sigurimit ose çfarëdo operacioni që ndërmarrin për të siguruar zonat në fjalë, duhet të jetë në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, tha ajo. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne