OKB paralajmëron shtimin e të shpërngulurve Rohingya në Mianmar

OKB ka paralajmëruar mbi mundësinë e shtimit të numrit të myslimanëve Rohingya që shpërngulen nga Mianmari dhe shkojnë në Bangladesh.

Komisionari i lartë i OKB-së për Refugjatët publikoi pamje të filmuara me dronë, ku shfaqen mijëra myslimanë “Rohingya” në Bangladesh, pasi kalojnë lumin Naf për t’ia mbathur nga Mianmari. Kombet e Bashkuara njoftuan se videoja u xhirua mbi zonën Palongkhali, e refugjatët shfaqen duke mbërritur me varka dhe duke ecur përmes fushave të përmbytura. Ata i bashkohen mbi gjysmë milioni “Rohingya”-ve që kanë braktisur Mianmarin që prej gushtit, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre nga ushtria e shtetit budist, që sipas OKB-së shkon në kufijtë e spastrimit etnik. Qeveria në Mianmar vazhdon të mohojë dhunën ndaj kësaj pakice etnike, qëndrim që ka shkaktuar kritika nga e gjithë bota. Kritikave nuk i ka shpëtuar as udhëheqësja “de facto” e vendit, nobelistja Aung San Suu Kii se nuk po bën asgjë për të ndaluar spastrimin etnik, madje duket sikur e mbështet atë. UNHCR-ja, që publikoi pamjet, bashkë me organizata të tjera për emigrantët, bëri thirrje për solidaritet global para zhvillimit të një konference për krizën e refugjatëve “Rohingya”./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne