Opinion fetar për qëndrimin ndaj presidentit Erdogan dhe pushtetit të sotëm politik në Turqi

Justinian Topulli

Padyshim që zhvillimet politike në një vend të madh e të rëndësishëm për rajonin dhe botën si Turqia, na prekin të gjithëve, dhe natyrisht për besimtarët muslimanë ato kanë një rëndësi edhe më të veçantë, sidomos kur këto zhvillime ndikojnë drejtpërdrejtë ose tërthorazi në jetën e tyre fetare. Ajo që vihet re më së shumti, është se njerëzit mbajnë qëndrime emocionale ndaj këtyre zhvillimeve, ata janë pro ose kundra apo edhe indiferent dhe shpesh nuk i referohen burime të fesë për të formuar qëndrimet e tyre. Një pjesë e madhe e besimtarëve, për shkak të mungesës së gjatë të një modeli të suksesshëm pozitiv fetar në politikë, ekzaltojnë pa masë sukseset e AKP-së dhe presidentit turk Erdogan në veçanti, disa madje e quajnë atë në mënyrë figurative “sulltan” apo edhe “kalif të muslimanëve”, duke dashur me këtë të vënë në pah se ky njeri është lideri i ri i botës së sotme islame, që më së fundi është shfaqur për ta nxjerrë atë nga bataku politik, kulturor, social dhe ekonomik, ku ajo ndodhet.

Në anën tjetër, një pjesë më e vogël, gjithsesi shohin tek Erdogani modelin e një njeriu autoritarist që shkel të drejtat e njeriut, që përdor fenë për interesa të ngushta politike të partisë së tij, të pushtetit personal apo edhe vetëm për interes të shtetit turk. Natyrisht edhe këta motivohen nga arsye të ndryshme, si pakënaqësia politike, dallimet ideologjike e fetare, xhelozia sektare etj. Ndërkohë që ka edhe mjaft të tjerë, që janë më të matur në qëndrimet e tyre, ashtu siç ka edhe moskokëçarës, si në çdo ngjarje, vend dhe kohë.

Por cili është qëndrimi i duhur, që duhet të mbajë një musliman karshi ngjarjeve, personave dhe zhvillimeve të tilla?

Për këtë duhet të dimë se qëndrimet dhe gjykimet fetare ngrihen mbi dy elementë: së pari mbi njohjen objektive të realitetit dhe së dyti mbi vendosjen e një gjykimi të drejtë fetar mbi këtë realitet përkatës.

Për sa i përket realitetit shoqëror fetar është më se e dukshme dhe jashtë çdo debati, se Turqia e sotme në drejtim të lirive fetare dhe rigjallërimit islam ka një ndryshim tepër të madh, në krahasim me kohën e mëparshme, ku laiciteti i egër antifetar qemalist, ishte kthyer de fakto në fenë e vetme zyrtare të shtetit turk. Zhvillimet pozitive në jetën fetare të popullit turk janë të dukshme, p.sh. janë shtuar njerëzit dhe rinia që falen dhe praktikojnë fenë, xhamitë mbushen më shumë se dikur, gratë dhe vajzat me shami nuk ndjehen më të shtypura dhe të dhunuara për shkak të mbulesës islame, arsimi fetar dhe mësimi i Kuranit kanë marrë një hov të dukshëm dhe përgjithësisht praktikat fetare dhe parimet islame duket se janë një referencë më e fuqishme në jetën e turqve sesa dikur. Krahas kësaj nuk janë të paktë muslimanët joturq, që kanë gjetur një strehë të sigurt në Turqi, pasi janë larguar për shkak të përndjekjeve nga vendet e tyre, pa harruar këtu strehimin e miliona sirianëve të ikur nga lufta.

Ndoshta është e vështirë të përmenden të gjitha zhvillimet pozitive në këtë drejtim, por kjo mirësi ndihet sadopak edhe në vende të tjera ku ka muslimanë, të cilët kanë përfituar nga politikat dhe programet e ndihmës dhe mbështetjes që shteti apo organizata joqeveritare turke japin në drejtim të zhvillimit të jetës dhe infrastrukturës fetare në këtë drejtim, sado të vogla qofshin ato.

Ndërsa në aspektin ekonomik dhe financiar arritjet e sotme të shtetit turk janë edhe më të dukshme, rritja e mirëqenies, larja e borxhit të jashtëm, fuqizimi i lirës turke, rritja e investimeve të brendshme dhe të jashtme, vendosja e Turqisë në radhën e shteteve me zhvillim të lartë ekonomik dhe rritja e fuqisë së saj politike në rajon dhe në botë, janë të gjitha një zhvillim i dukshëm dhe i pamohueshëm i politikave dhe arritjeve të partisë në pushtet dhe të udhëheqësit të saj. Të dyja këto zhvillime, pra ai fetar dhe ekonomik, kanë pa diskutim ndikimin e tyre social dhe kulturor në jetën e këtij vendi dhe përtej tij.

Në anën tjetër, të pakënaqurit dhe opozitarët, vënë në dukje se ata prisnin më tepër në drejtim të kthimit të fesë në jetën e popullit dhe shtetit turk, prisnin më tepër në drejtim të ndryshimit të legjislacionit turk, apo se pushteti aktual mbështet grupe të caktuara fetare dhe sulmon të tjerë, se Erdogani është një demagog populist, që shfrytëzon ligjërimin fetar për pushtet dhe përfitim personal… etj. Ka të tillë që e akuzojnë edhe si agjent të huaj, e mason, apo edhe të tjerë, që nuk shohin tek ai një suni puritan që lufton bidatin, madje ka edhe të tillë që e konsiderojnë atë një hipokrit jomusliman.

Ajo që vlen të theksohet në këtë drejtim është se ne duhet t’i gjykojmë njerëzit nga ajo që shohim dhe dimë në mënyrë të sigurt për ta, ndërsa nijetin, qëllimet e fshehta dhe çfarë kanë në zemrat e tyre i takojnë vetëm Zotit t’i gjykojë. Ai që futet deri në këtë eskluzivitet të Allahut, jo vetëm që nuk e njeh apo s’e ka kuptuar Fenë Islame si duhet, por ngarkon edhe veten me gjynah duke dhënë gjykime të gabuara në këtë drejtim.

Është fakt i pamohueshëm se AKP dhe lideri i saj vijnë nga një shoqëri dhe grupim me sfond të theksuar fetar, të cilin ata e kanë demonstruar gjatë gjithë karrierës së tyre politike, por edhe personale, kështu që akuzat për hipokrizi të shkallës së lartë duket se janë të pabaza. Ndërkohë arritjet politike, ekonomike, sociale dhe fetare, si në arenën turke, por edhe përtej saj janë një fakt evident i pamohueshëm, që kanë entuziasmuar muslimanë të shumtë jo vetëm në Turqi, por në mbarë botën. Është nga rastet e rralla ndoshta, që muslimanët, pas gati një shekulli të shembjes së kalifatit islam, kanë pasur momente kur të jenë ndjerë krenar, së paku për qëndrimet e liderëve të tyre politikë, karshi padrejtësive dhe zullumeve që ju bëhen muslimanëve nëpër botë. Në anën tjetër për vetë kontekstin historik, gjeopolitik dhe social apo edhe fetar arritjet dhe sukseset janë detyrimisht të kufizuara dhe shpesh të brishta nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që i cenojnë ato.

Këtu vlen të theksohet se për qëllime fushate dhe propagande shpesh theksohen vetëm anët pozitive dhe tejkalohet në lëvdata dhe glorifikime, të cilat në këndvështrimin fetar janë të tepruara. Kjo sepse në bindjen tonë islame suksesi është vetëm dhe vetëm në dorë të Allahut, dhe se njerëzit që Ai përdor janë vetëm se robër dhe shërbyes të Tij, ndaj lavdet dhe falënderimet më të mëdha duhet t’i kushtohen në çdo moment vetëm Allahut, e nuk duhet të kalohet në gati adhurim të njeriut, dhe as të lidhet fati i fesë dhe i umetit me një individ të caktuar, sepse Allahu nuk ka bërë asnjë njeri të përjetshëm në këtë botë dhe as të pagabueshëm. Kjo natyrisht shërben edhe si vetëkritikë për të përmirësuar veten dhe të tjerët dhe ndihmon pozitivisht në vazhdimin dhe rritjen e suksesit.

Ajo çka kemi më shumë nevojë ne si muslimanë, përtej gëzimit dhe entuziazmit të natyrshëm, është të reflektojmë për çdo gabim dhe t’i shtrohemi dijes dhe punës me më shumë qetësi, zell dhe seriozitet, pa eufori triumfaliste, pa provokuar ndjesitë emocionale të njeri-tjetrit dhe të të tjerëve, dhe duke qenë modest e duke mos harruar për asnjë çast, se çdo e mirë dhe e keqe na vjen vetëm nga Allahu, dhe se për çdo njërën prej tyre jemi ne vetë shkaku i saj.

Si argument të asaj sesi duhet ta gjykojmë situatën e mësipërme, duhet t’i referohemi hadithit të mirënjohur të Hudhejfes, që ai na përcjell nga Profeti (alejhi salatu ue selam). Siç dihet, në të përmendet se muslimanët do të kalojnë nëpër momente dhe faza të këqija dhe të mira, dhe disa nga këto momente të mira Profeti (alejhi salatu ue selam) i ka cilësuar si të mira të përziera, ku krahas të mirës përzihet me të edhe keqja, dhe si njëra dhe si tjetra dallohen qartë. Mirëpo fakti që në tërësi kjo fazë emërtohet si e mirë, tregon se e mira e dominon të keqen. Nisur nga kjo mund të themi, se ajo me të cilën po shqyrtojmë në rastin e Turqisë, kemi të bëjmë me një pakësim të së keqes së dikurshme, kur praktika fetare shtypej me ligj dhe dhunë, dhe një shtim të së mirës në favor të fesë dhe fetarisë së njerëzve. Edhe pse padyshim në disa raste kemi rishfaqje të së keqes apo edhe të fenomeneve të reja të së keqes, siç është dyfytyrësia dhe hipokrizia, por që në thelb edhe kjo është një tregues i shtimit të së mirës dhe ndikimit në rritje të fesë në shoqëri, sepse fenomeni i nifakut të madh shfaqet aty ku feja është e fortë dhe në shtim, si në rastin Medinës, kur muslimanët kishin pushtetin dhe numrin e madh të besimtarëve, në dallim me atë të Mekës, ku ata ishin të pakët dhe të persekutuar dhe armiqësia ishte e dukshme, dhe kufarët nuk kishin nevojë ta fshihnin armiqësinë dhe kufrin e tyre karshi muslimanëve, siç bënë më pas, kur muslimanët u fuqizuan dhe u shtuan në Medinë.

Përveç këtij argumenti, për disa këtu mund të perifrazojmë edhe thënien e Profetit (alejhi salatu ue selam), se Allahu e ndihmon këtë fe edhe me njerëz të cilët kanë probleme në fetarinë e tyre, qoftë kjo në drejtim të devotshmërisë apo edhe të konceptimit dhe praktimit të fesë. Pra se nuk është kusht, që të mirat muslimanëve t’iu vijnë vetëm nga muslimanë idealë apo të ngjashëm me sahabët. Historia islame është e mbushur me të tillë shembuj dhe dëshmi të qarta të vërtetësisë së këtij udhëzimi profetik, i cili na mëson ta njohim dhe pranojmë këtë të mirë dhe ta kritikojmë të keqen në të, por duke qenë proaktiv ndaj së mirës dhe jo nihilistë ndaj saj.

Në këtë rast mund të përdorim edhe një argument tjetër, të cilin e marrim nga Kurani. Allahu na tregon në fillim të sures Rum për betejën mes persëve idhujtarë dhe bizantinëve të krishterë, dhe i përgëzon besimtarët për fitoren e ardhshme të të krishterëve karshi idhujtarëve, duke e cilësuar këtë moment legjitim për t’u gëzuar besimtarët, si ndihmë dhe fitore të Allahut. Në një situatë të ngjashme janë ndodhur edhe muslimanët e parë emigrantë në Etiopi, ku ata kishin gjetur strehë dhe liri në gjirin e një mbreti të drejtë të krishterë. Historia na tregon, se kur një rival i tij kërkonte ta përmbyste atë me forcën e armëve, besimtarët muslimanë u pozicionuan në anën e mbretit të drejtë duke u lutur për fitoren e tij dhe më pas falënderuan Allahun kur ai doli ngadhënjimtar, edhe pse ai nuk ishte musliman, por për vetë faktin se ai karshi tyre ishte i drejtë dhe mbrojtës ata e panë veten më pranë tij sesa thjesht të qëndronin indiferent e moskokëçarës. E nëse në të dyja këto raste kemi një pozicionim të ligjshëm të muslimanëve në anën e atyre që nuk janë muslimanë, vetëm për faktin se ata ishin më të drejtë dhe më pranë muslimanëve sesa idhujtarët dhe të padrejtët, atëherë patjetër që është më parësore të jemi në anën e fetarëve karshi armiqve të fesë apo laikëve armiqësorë, por padyshim pa miratuar në asnjë rast padrejtësinë nga kushdo qoftë ajo dhe kundrejt kujtdo qoftë ai.

Kështu që nuk na mbetet vetëm se ta mbyllim duke thënë se qëndrimi i moderuar, objektiv dhe i drejtë islam karshi zhvillimeve të dukshme në Turqi dhe ndikimit të saj në rajon dhe më gjerë është ai më së shumti pozitiv, por pa kaluar në ekstazë, teprime dhe pritshmëri që nuk na bëjnë mirë, as neve dhe as vetë aktorëve të këtyre zhvillimeve.

Padyshim që Allahut i përket dija dhe gjykimi absolut, ky është thjesht një opinion personal, i parë me syrin e argumenteve fetare dhe askush veç autorit nuk është përgjegjës për to./  Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne