Opozita e Kosovës shfaqet e ndarë për kandidimin e përbashkët të Haradinaj

LAJM 25 Apr 2017
Vetëvendosje po i reziston presionit nga aleatët politikë për të përqafuar liderin e AAK, Ramush Haradinaj si kandidatin e përbashkët të opozitës për postin e kryeministrit në zgjedhje.

Dy parti opozitare në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë thënë se do të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme me një kandidat të përbashkët për kryeministër, liderin e AAK, Ramush Haradinaj.

“Haradinaj do të jetë kryesuesi i listës për opozitën AAK-Nisma dhe shpreson që parti të tjera të vogla me të cilat po negociojmë t’i bashkohen listës,” tha për BIRN zëdhënësi i AAK, Muharrem Nitaj.

Lideri i Nismës Fatmir Limaj të premten tha se Haradinaj, i cili aktualisht po pret një vendim nga gjykatat franceze për kërkesën e Serbisë për ekstradim mbi akuzat e krimeve të luftës, tha se ai ishte kandidati më i mirë i opozitës.

“Kandidati më serioz dhe më i mirë është Haradinaj, kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, tha Limaj për TV Dukagjini.

Megjithatë, partia më e madhe opozitare në Kosovë, Vetëvendosja, e cila kundërshtoi koalicionin qeverisës me AAK dhe Nismën, mbetet shumë e kujdesshme e pyetur për përqafimin apo jo të një kandidati të mundshëm të përbashkët.

“Çdo bashkëpunim kundër partive në pushtet nuk duhet të paraprihet nga diskutime [të tilla],” tha për BIRN Vetëvendosje.

Sipas Vetëvendosjes, negociatat me AAK dhe Nismën mbeten të përqendruara te bashkëpunimi me shoqërinë civile – dhe te largimi i qeverisë së Isa Mustafës.

“Jemi të vendosur ta shpëtojmë shtetin nga kapmja që po ndodh tani dhe për këtë jemi të angazhuar të mbledhim të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë regjim, të gjithë njerëzit e pakënaqur që duan një shtet të ligjit dhe rendit… [me] të gjithë të barabartë,” tha Vetëvendosje.

Të dyja palët pretendojnë se mbështetja e tyre politike po rritet. “AAK aktualisht është partia më e strukturuar në Kosovë dhe është shumë e zgjeruar,” tha Nitaj për BIRN.

Vetëvendosje thotë pak a shumë të njëjtën gjë. “Si partia më e madhe opozitare, po punojmë shumë për t’u forcuar sa më shumë të jetë e mundur dhe njëkohësisht po shohim rritje të mbështetjes për ne, siç kanë konfirmuar sondazhet,” tha partia.

Imer Mushkolaj, analist politik nga Prishtina, tha se partitë opozitare do të bënin gabim nëse dështonin të bashkonin forcat.

“Opozita duhet të diskutojë mundësinë e një koalicioni apo unioni për zgjedhjet kombëtare nëse do të heqë nga pushteti Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës” tha për BIRN Mushkolaj.

Ai shtoi se gjëja më e rëndësishme është që të gjitë liderët e opozitës të premtojnë të mos pranojnë asnjë rol në një qeveri me LDK ose PDK.

Partitë opozitare mbeten të bashkuara në rezistencë të fortë ndaj marrëveshjes polemike të demarkacionit me Malin e Zi, që sipas tyre përfshin dorëzim të territorit.

Çështja mund të vendosë fatin e koalicionit qeverisës së Mustafës, pasi koalicioni mund të mos ketë mjaftueshëm vota në parlament për të siguruar miratimin e marrëveshjes.

Ky do të ishte një problem i madh, pasi Bashkimi Europian e ka vënë ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi në krye të kushteve për liberalizimin e vizave.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne