Opozitarizmi banal i LSI-së

U bënë gati katër muaj që përballë qeverisë së drejtuar nga Edi Rama është krijuar një opozitë e re parlamentare. Të paktën për çështje të caktuara, PD-ja dhe LSI-ja janë bërë bashkë, me një sipërmarrje politike që kulmoi me protestën e fundit me rastin e zgjedhjes së prokurores së përkohshme.

Është e vështirë të lexoh përmasën reale të këtij blloku poitik. Është e vështirë të tatosh koherencën e veprimeve politike të tij në kushtet kur mesazhet e koduara kryqëzohen përditë nga çdo drejtim. I reduktuar ky bllok na ofron si panoramë një aleancë Meta-Berisha, në shumicën e kohës si angazhim permanent që buron nga dyshimi se reforma në drejtësi i ka paracaktuar si viktima. Dhe një aleancë varësie Rama – Basha për arsye dhe interesa që kanë të bëjnë thjesht me mbijetesën politike.

Kjo marrëdhënie e fundit ndikon esencialisht në aftësinë e PD-së për të bërë opozitë dhe korrupton në rrënjë vullnetin e saj. Psetë e kësaj që po ndodh janë të panjohura që do të zbardhen rrugës, ndërkohë që bashkimi me LSI-në nuk po prodhon atë peshë të re specifike që presupozohet se do të sillte një zgjerim sasior.

Ku dallon opozitarizmi i PD-së nga ai i LSI-së? Ka disa përgjigje. Opozitarizmi i PD-së është i kamufluar por kapet pas disa çështjeve. Ndonëse aty nuk mungon personalizimi, sërish disa aspekte të sjelljes së PD-së, siç ishte rasti për ligjin e dekriminalizimit, janë paketuar mirë në formë.

Përkundrazi. Opozitarizmi i LSI-së ka zbritur nga karakteri shantazhues që kishte kur kjo parti bashkëqveriste me PS-në, në një vulgaritet të personalizuar ndaj kryeminitrit, që performohet edhe nga kryetarja Monika Kryemadhi, ashtu edhe nga nënkryetari Petrit Vasili.

Kjo politikë banale mëton një garë që ndërtohet kryesisht në mediat sociale, apo në mjedise virtuale, ku Edi Rama ka rezultuar se dominon pasi ankorohet më natyrshëm me budallallëqet dhe tonet tifozerike të tyre.

Nga kjo pikëpamje, opozita shkollëshumë e LSI-së paradoksalisht nuk fiton dot ndaj shkollapaktit që edhe sikur të pranojmë se nuk di të bëjë asnjë punë(shumë pranë të vërtetës kjo), sërish ia del të marrë like.

Sot që flasim opozita ka ikur nga terreni, nga kontakti me njerëzit. Ajo nuk shihet të ndërmarrë asnjë nismë ligjvënëse, as të korrigjojë marrëzitë juridike të kësaj qeverie. Ajo po kënaqet duke evidentuar problemet, sa për të acaruar njerëzit, aq edhe për të pickuar ndonjë gjë nga çorba e pushtetit.

Nuk janë rastësi thirrjet për bashkëqeverisje, apo kujdesi i PS-së për të mbajtur derën hapur për aleanca të reja. Ato lidhen me frikën e sotme të pushtetit, por paradoksalisht zbusin një opozitë e cila nuk po do të kuptojë se ka dalë zbuluar në atë se cilat janë interesat e saj ekonomike, por edhe për faktin se ajo është aty vetëm për këto interesa.

Interesat janë legjitime. Edhe në politikë. Nuk ka dyshim për këtë. Por nëse ka një parti apo grupim që të mund të konvertojë çdo etikë në mundësi për Pazar, kjo është LSI-ja. Ajo dërgon mesazhe të koduara për kryeministrin, sulmon sektorë apo vendimmarrje mbi të cilat ka patur kontrollin deri më sot, në një luftë për mbijetesë dhe shprese për militantë që e lidhin votën me punësimin. Ajo po përpiqet të mbajë të hapura kanalet e interesave financiare dhe asgjë më shumë dhe ka gjetur dy njerëz që kanë thjeshtuar edhe më tej fjalorin shqip, sesa Ilir Meta, që njihet për përdorimin e një shqipeje modeste, ndonëse korrekte.  Kjo nuk ka sesi të jetë opozitë.

Partia e Ilir Metës është shumë larg asaj partie të viteve 2007-2009, kur zhvilloi disa kauza të caktuara. Është e vërtetë që ato vite kanë qenë leksion i hidhur për presidentin aktual, që ndoshta i premtoi vetes se do të vinte mend dhe do të ecte me laps në dorë, por në kushtet e tanishme, kjo lojë është në fund. Është e pamundur të kuptosh se çfarë vlere përfaqëson LSI-ja në opozitë sot edhe pse ajo ofron më shumë siguri se është më në opozitë sesa PD-ja, nisur nga ajo që dëgjojmë përmes mllefit dhe inatit që lsi-stët kanë personalisht me Edi Ramën. Çështje pazari asgjë më shumë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne