Organizata terroriste YPG ka ndryshuar emrin me rekomandimin e SHBA-ve

Komandanti i Forcave Speciale të SHBA-ve, Gjenerali i Përgjithshëm Raymond Thomas thotë se kanë rekomanduar që YPG “ta ndryshojë emrin” për shkak se ka parë lidhshmëri me organizatën terroriste të PKK-së në Turqi dhe që pas kësaj organizata ka ndryshuar emrin në “Forcat Demokratike të Sirisë” (FDS).

Komandanti Thomas në takimin vjetor të sigurisë së Institutit Aspen në shtetin federal amerikan Kolorado, i cili njihet si një nga institutet më të rëndësishme të mendimit të opinionit publik në SHBA, foli për organizatën terroriste PKK/PYD.

Ai foli për grupet kurde me të cilat bashkëpunojnë në Siri me ç’rast gjenerali Thomas haptazi bëri të ditur se YPG që është krahu ushtarak i PYD-së (zgjerimi i PKK-së në Siri) ka ndryshuar emrin e saj.

“Ne u treguam atyre se duhet ta ndryshojnë emrin”

Duke vënë në dukje se punon nga afër me PKK/PYD, Thomas thotë se “Ata zyrtarisht e quanin veten YPG, ndërsa Turqia deklaronte se janë të njëjtë me PKK-në. Pra, Turqia na tha ‘Si po merreni me armiqtë tanë terroristë, si mund ta bëni këtë si një aleat?. Ndaj ne u thamë atyre (YPG) që ta ndryshojnë emrin. I kemi pyetur për shembull si dëshironi të quheni përveç YPG? Një ditë më pas ata vendosën të marrin emrin në ‘Forcat Demokratike të Sirisë'”.

Mendoj se vendosja e shprehjes ‘demokratike’ në mes të emrit të tyre është një veprim i zgjuar. Kjo u ka sjellë sado pak kredibilitet”

Gjenerali Thomas tha se në luftën kundër DEASH-it, PKK/PYD-në e shohin si partner aktiv ndërsa edhe përfaqësuesi special i SHBA-ve në luftën kundër DEASH-it, Brett McGurk është duke e ndihmuar shumë këtë proces.

“Nuk mund të ishin në asnjë tryezë nën emrin PKK”

Duke vënë në dukje se PKK/PYD është element dominues në Siri në aspektin demografik, gjenerali Thomas thotë se “Isha me fat që kisha një partner si Brett McGurk sepse (FDS) kërkonin ato që unë nuk mund t’u kisha dhënë. Ata dëshironin që të jenë pjesë e tryezave ku diskutohej tema e Sirisë si në Gjenevë dhe Astana. Nuk mund të ishin në asnjë tryezë nën emrin PKK”.

Duke folur për evolucionin në PKK/PYD, Thomas thotë se “Ne për këtë arsye i bëmë ata ushtri dhe Brett McGurk i mbajti ata brenda takimeve, duke iu ofruar legjitimitetin e nevojshëm për të qenë partneri ynë”.

Në pjesën tjetër të fjalimit të tij Thomas u përqendrua në luftën kundër DEASH-it dhe vuri në dukje se Rusia po krijon “kërcënim për sigurinë e NATO-s”, duke shtuar se SHBA-të në të dy çështjet po ndërmarrin hapa të kujdesshëm dhe precize./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne