Organizata turke shpërndan tenda për të prekurit nga tërmeti në Indonezi

Shoqata humanitare turke Cansuyu ka shpërndarë tenda për 200 familje të prekura nga tërmeti dhe cunami në Indonezi.

Për shkak të shkatërrimit të shumicës së vendbanimeve të rripit bregdetar që lidh rajonet Palu dhe Donggala të prekura nga tërmeti prej 7,5 ballësh dhe cunami pasues, janë duke vazhduar jetën në Malin Gavalise pasi kanë braktisur zonat në afërsi të brigjeve.

Shoqata Cansuyu ka shpërndarë 100 tenda në të cilat mund të qëndrojnë 200 familje në rajonet Tando dhe Gavalise në rrëzë të Malit Gavalise.

Koordinatori i shoqatës për Indonezinë, Bayram Numan Köksal, tha për AA se afër 70 mijë njerëz në rajonet Palu dhe Donggala kanë ngelur pa shtëpi si pasojë e tërmetit dhe cunamit.

Ai theksoi se njerëzit janë duke u përballur me kushte të vështira në rrëzë të zonës malore.

“Mbi 60 mijë persona u detyruan të ikin drejt rrëzës malore. Në tri zona të rajonit Palu vendosëm 100 tenda. Për shkak të popullsisë së ngjeshur, në çdo tendë qëndrojnë nga dy familje. Në të njëjtën kohë, jemi duke plotësuar nevojat ushqimore për njerëzit që jetojnë në këtë rajon”, u shpreh Köksal.

Ndërkohë, Amine Osman Lahidu, e prekur nga tërmeti, tha se prej ditësh është duke qëndruar jashtë dhe shtoi se përpiqen të vazhdojnë jetën me ndihmën e Turqisë.

“Allahu e bëftë të pasur Turqinë. Allahu qoftë i kënaqur me Turqinë. Lusim Allahun që ajo të jetë e fortë për ta ndihmuar jo vetëm Indonezinë, por të gjithë muslimanët. Ne nuk mund ta shpërblejmë Turqinë për atë që ajo bën për ne, por shpresojmë që Allahu do ta shpërblejë atë”, u shpreh Lahidu.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne