Projekti i kompanisë Mabetex që përfshin ndërtimin e apartamenteve, të hoteleve dhe të vilave në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, shkakton pasoja të rënda dhe shkatërrim të ekosistemit në atë zonë.
Kështu u shpreh Sazan Guri, inxhinier mjedisor, gjatë një takimi mes organizatave mjedisore, ku u diskutua vlerësimi i trashëgimisë natyrore dhe anulimi i këtij projekti.
Guri shtoi se projekti për urbanizimin e Divjakës është thellësisht i dëmshëm, pasi shtrihet deri në brendësi të parkut kombëtar.
“Nga pikëpamja e projektimit gjeologjik kemi të bëjmë me një zonë shumë të paqëndrueshme që kërcënohet nga veprimtaria njerëzore edhe në marrjen e inerteve apo ndërtimin e liqeneve të mëdha që janë në rrugën e proceseve lumore tani ti i kanos edhe një ndërtim shumë të madh projekti urban”, tha Guri.
Sipas Gurit ky projekt mund të jetë i dobishëm në zona të tjera, por në Parkun Kombëtar të Karavastasë, do të sillte shkatërrim të të gjithë ekosistemit.
“Ky projekt që vjen nga jashtë në dukje gjigant, i themi nuk jemi kundra teje shko ose në veri të Shkumbinit, në Spille që është një zonë bregdetare e qëndrueshme ose në jug të Semanit që është një zonë që mund të thithë zona shterpë, zona që kanë nevojë për zhvillim”, tha Guri
Projekti i kompanisë Mabetex përfshin ndërtimin e mbi 2,300 apartamenteve, disa hoteleve dhe vilave, një fushë golfi dhe pista për ulje-ngritjen e helikopterëve.
Projekti ka nisur të hartohet që nga viti 2012, por së fundmi duket se kompania po kryen procedurat formale para se të kërkojë miratimin në qeveri.