Orientalizimi i orientalizmit (Pjesa 2.)

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Në artikullin e javës së kaluar folëm për ndryshimin e formës së orientalizmit, pasi në të shkuarën hulumtuesit perëndimorë shkonin personalisht në vendet e Lindjes për të studiuar në terren aspektet politike, shoqërore, kulturore, fetare, etnike, antropologjike dhe të tjera të shoqërive lindore; ndërsa sot njerëzit nga shoqëritë joperëndimore janë më të gatshëm që t’i paraqesin këto hulumtime apo informacione duke shkuar vetë në vendet perëndimore. Tërhoqëm vëmendjen se sa e gabuar është që çosh jashtë shtetit akumulimin e atdheut, për më tepër me fondet e atdheut, ndërkohë që je dërguar jashtë shtetit për transferuar në atdhe akumulimin e Perëndimit dhe për t’u bërë specialist i vendit tënd për shtetin në të cilin je dërguar, jo i shtetit ku je dërguar për vendin tënd.

Intelektualë të rekrutuar, të huaj për shoqërinë e tyre

Rikthimi në atdhe me hulumtime pa dobi për atdheun sigurisht që shkakton prej 200 vitesh probleme në shumë aspekte.

Në këtë pikë, ato që shkojnë dëm së pari janë shpenzimet e bëra dhe fondet e akorduara nga burime të kufizuara për njerëzit e dërguar jashtë shtetit.

Kur të dërguarit jashtë shtetit për një rreze shprese apo një zgjidhje fort të dëshiruar nuk i shërbejnë këtij qëllimi, ata pengojnë zhvillimin e vendit të tyre dhe gënjejnë shpresat e një populli të tërë.

Kur kthimi në atdhe bëhet me hulumtime të realizuara për vendet perëndimore, kjo do të thotë se njerëzit më cilësorë dhe më të aftë të atyre vendeve janë rekrutuar nga Perëndimi.

Po ta shikojmë nga dritarja e Turqisë, a mund të themi vallë se kjo situatë nuk është një nga shkaqet kryesore të tjetërsimit të intelektualëve prej tashmë 2 shekujsh? Të shkosh jashtë shtetit është një privilegj i madh sidomos nga vendet në zhvillim. Atyre që e kanë këtë privilegj u ngarkohen domethënie shumë më të mëdha kur kthehen. Prandaj efekti negativ që shkaktohen nga njerëzit e kthyer në vendet e tyre si të huaj, është mjaft më i rëndë. Nga një thënie 100 vite më parë e Said Halim Pashës, Vezir i Madh i Perandorisë Osmane në atë kohë, kuptojmë se kjo nuk është një situatë e re. Pashai thoshte asokohe se ka dy lloje intelektualësh, të parët s’njohin Perëndimin dhe të dytët nuk njohin shoqërinë e tyre. Me të drejtë ai ngrinte pyetjen: Cilët janë më të dëmshëm? Sipas tij, që të dyja llojet janë të dëmshme; por ata që njohin Perëndimin dhe s’njohin shoqërinë e tyre janë akoma më të dëmshëm.

Një pjesë e atyre që qëndrojnë për një kohë të gjatë jashtë shtetit, duke qenë se bëhen të huaj për shoqërinë e tyre, kthehet pothuajse me urrejtje dhe me një këndvështrim arrogant. Por shoqëritë e tyre, ndërkohë, kanë avancuar në të shumtën e rasteve. Ajo çfarë pritet nga njerëzit që kthehen nga jashtë shtetit nuk është përsëritja me një ton më të lartë, të ashpër, përgjithësues dhe poshtërues e mangësive tashmë të njohura nga shoqëria, por çfarë sjellin kur kthehen në vendin e tyre dhe me çfarë akumulimi kthehen. Prej tyre pritet jo që të transferojnë në atdhe ashtu siç janë dhe me adhurim literaturën apo teoritë e prodhuara për vendet ku ata kanë shkuar, por që t’i rishikojnë këto me një pikëpamje kritike dhe t’i revizionojnë me akumulimin e vendit të tyre.

Të vetorientalizohesh…

Kur ata që hulumtojnë jashtë shtetit në emër të institucioneve publike dhe sidomos për ato akademike kthehen të tjetërsuar dhe si të huaj në shoqëritë e tyre, mund të jenë shumë më të dëmshëm duke qenë se ndërtojnë brezat e ardhshëm. Në shtetet perëndimore, njohuritë, teoritë, metodat dhe indekset që mësohen në shkencat shoqërore, kanë absolutisht domethënie maksimale për ato vende. Këto njohuri mund të jenë me dobi edhe për vendet e tjera deri në një masë të caktuar. Por kur akademikët i përçojnë shkencat shoqërore si politika, ekonomia dhe sociologjia plotësisht siç janë në Perëndim (në aspektin e historiografisë, mendimtarëve dhe qasjeve kryesore), ata gjithashtu fshijnë rrënjët dhe historinë e vendit të tyre. Sepse në literaturën shkencore të Perëndimit, në të shumtën e rasteve s’ka vend për njohuri, mendimtarë dhe qasje të shoqërive joperëndimore. Pritet që këtyre t’u kushtojnë vëmendje akademikët e shoqërive joperëndimore dhe të gërshetojnë akumulimin e tyre dhe atë shkencor të Perëndimit. Kur ata nuk e bëjnë këtë, historia dhe akumulimi i një vendi neglizhohet dhe dënohet me skamje nga akademikët e dalë prej gjirit të tij, jo nga perëndimorët.

Origjina e problemit

Sigurisht, në vendet ku ata shkojnë, ka edhe studiues që realizojnë hulumtime jashtëzakonisht të çmuara për atdheun e tyre. Me përjashtim të këtyre, mund të themi se origjina e problemit është si më poshtë:

Vendi dërgues nuk bën një rregullim orientues dhe kufizues në lidhje me fushën mbi të cilën do të hulumtohet – Pavarësisht nëse dërgohen nga administrata publike apo universitetet, institucionet përgjithësisht nuk bëjnë kufizime për të dërguarit jashtë shtetit. Në disa raste, kandidatët lihen të lirë që të vendosin madje edhe për vendin ku do të dërgohen.

Të dërguarit zgjedhin rrugën më të thjeshtë – Atyre që shkojnë jashtë shtetit u duhet të punojnë më shumë në çështjet rreth vendit ku mbërrijnë dhe të dinë më mirë gjuhën e atij vendi. Kjo sepse qarqet akademike me të cilat ata do të kenë marrëdhënie, kanë më shumë informacion mbi këtë fushë. Por nëse hulumtojnë për një çështje rreth atdheut të tyre, ata s’kanë nevojë të lodhen edhe aq shumë. Kam dëshmuar shumë studime të doktoratës, të cilat s’kanë shumë kuptim për vendet e tyre, vetëm sepse ata kanë zgjedhur rrugën më të thjeshtë. Një student në Austri më tha se ka zgjedhur si temë doktorate politikën e Turqisë për Bashkimin Evropian, ndërsa një tjetër në Gjermani se po hulumtonte Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti); dhe që të dy shprehën dëshirën për t’u kthyer në Turqi. Kurse unë u thashë atyre se Turqia ka nevojë për më shumë doktorantë jashtë vendit, vetëm se ekspertë të fushave që ata po doktoronin janë bërë tashmë edhe njerëzit e rëndomtë në rrugët e Turqisë. Pastaj i pyeta: Çfarë kontributi mund të ofroni ju për Turqinë me këto studime? Në fund u sugjerova që hulumtimi i këtyre çështjeve në Evropë është shumë e rëndësishme për evropianët, kështu që do të ishte më mirë ta kërkonin të ardhmen e tyre në Evropë. Përveç këtyre, shumë të ngjashme ishin edhe dy subjekte doktorate që kam rastisur në vitin 2017 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Lëvizjet Islamiste në Turqi” dhe “Efekti i Sufizmit në Lëvizjen Kurde”. Megjithëse nuk ia dola që t’i bindë, dy doktorantëve iu drejtova me këto fjalë: “Çfarë kontributesh mendoni t’i jepni vendit tuaj me këto tema kur të ktheheni në Turqi? Po të kishit hulumtuar marrëdhëniet fe-shtet apo evangjelizmin në SHBA, Turqia do të kishte më tepër nevojë për ju.”

Orientimi i akademikëve me një vizion imperialist në vendet ku ata mbërrijnë – Në disa rrethana mund të jetë efektiv edhe ky lloj orientimi. Por këto sugjerime nuk janë një pengesë e pakapërcyeshme nëse njerëzit e dërguar jashtë shtetit janë këmbëngulës dhe të vetëdijshëm për atë çfarë duan të bëjnë. Kur shkova për intervistë në një universitet britanik gjatë kërkimeve të doktoratës, komisionit i shpreha dëshirën time për të hulumtuar mbi një çështje rreth Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa reagimi i komisionit ishte: “E pabesueshme, është hera e parë që përballemi me një propozim për kërkime oksidentaliste.”

Sigurisht që në disa situata mund të jenë të nevojshme edhe studimet mbi Turqinë, madje duhet të inkurajohen. Me vlerë të jashtëzakonshme është që historia dhe trashëgimia osmane, të cilat janë me interes të madh për historinë e shumë vendeve, të shpjegohen në mënyrë të drejtë dhe saktësisht në të gjithë botën nga akademikët turq. Me përjashtim të këtyre fushave, problemi ynë 200-vjeçar mund të zgjidhej deri diku përmes një rregullimi, i cili konsideron thelbësore hulumtimet për vendet e tjera dhe kushtëzon me lejen e institucioneve dërguese kërkimet shkencore për Turqinë. Nëse institucionet dhe/apo universitetet vendosin rregullin që të mos dërgojnë jashtë shtetit nëpunës/studentë për të hulumtuar në lidhje me Turqinë, kjo mund të rezultojë një kontribut madhor për kapërcimin e problemit.

Përkundrazi, siç përmendet nga Sezai Karakoç në poezinë e tij me titullin “Përrallë” (Masal), ne do të vazhdojmë të humbasim studiuesit e dërguar jashtë shtetit në hulumtimet e kryera për Perëndimin./ TRT

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne