Pa burimet turke nuk mund të mësohet historia e popujve të Ballkanit

Në gazetën “Pobjeda” (Fitorja) të 5 prillit të vitit 1970, që dilte në Titograd (tani Podgoricë, Sh. V.) në rubrikën “Intervistat” u botua artikulli me titull “Shkenca nuk është muze i epokës – ajo është inspirim i pakënaqësisë”, të cilën do ta prezantojmë tërësisht.

Dr. Hasan Kaleshi, anëtar i lartë i Institutit Albanologjikë në Prishtinë. Ka diplomuar filologjinë orientale në Beograd në vitin 1951, ndërsa në shkurt të vitit 1960 ka doktoruar. Ai ka publikuar një numër të madh të punimeve nga arabistika, turkologjia, ballkanologjia dhe albanologjia në gjuhën serbokroate, turqishte, gjermanishte, frëngjishte, italishte dhe maqedonishte. Ka marrë pjesë në shumë kongrese ndërkombëtare të orientalistëve dhe është i vetmi anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Kairos nga Jugosllavia (lexo në kontekstin kohor Sh. V. ). Është anëtar i tri shoqatave shkencore ndërkombëtare dhe bashkëpunon me shumë revista shkencore dhe letrare të Jugosllavisë, në mesin e të cilëve është edhe “Stvaranje” (Krijues). Përkthen nga gjuha arabe dhe turke dhe është hulumtues i njohur i arkivit të Stambollit dhe Vjenës.

JOKIQ: Keni shkruar një studim shumë të shquar, të parin tek ne mbi Kuranin, kurse në vitin e kaluar një përkthim shumë i reklamuar i këtij libri u botua nga shtëpia botuese “Stvarnost” (Realiteti) nga Zagrebi, ndërsa neve na intereson se çka mendoni ju, si njohës i gjuhës arabe të Kuranit, për këtë përkthim.

Kaleshi: Mendoj se ky përkthim është aq i dobët, saqë nuk është dashtë fare të botohet. Botuesit kanë vlerësuar se botimi i këtij lloji të literaturës është një bashkim dhe e kanë botuar për shkaqe krejt komerciale për të fituar goxha do para. Përndryshe, ai përkthim është botuar në vitin 1936 dhe qysh atëherë ka qenë shumë i kritikuar. Ai nuk është përkthim nga arabishtja, por nga turqishtja, madje nga një përkthim i turqishtes që nuk është prej më të mirëve. Bile, nga aspekti ortodoks, konsiderohet shiizmatik. Përkthyesit kanë qenë teologë dhe jo shkencëtarë të Islamit. Ata nuk e kanë ditur çka është teologjia evropiane dhe nuk kanë pasur njohuri rreth rezultateve të “kuranologjisë” evropiane. Mjafton të shikohen sqarimet dhe komentimet dhe të vëresh se tërë është përkthimi është joshkencor. Unë jam për atë që të krijohet përkthimi shkencor, ashtu siç u bë me Biblën.

JOKIQ: Ju merreni me studimet e lidhjeve kulturore dhe marrëdhëniet e popujve të Ballkanit. Çfarë është roli i studimeve orientale për njohurit më të mira mes vetë të kulturave të popujve të Ballkanit?

Kaleshi: Ky “burak”, kafsha me të cilën Muhamedi, sipas besimit, fluturoi në qiell, nuk fluturoi nëpër Ballkan, e që mos të lë ndonjë gjurmë. Unë nuk do të hyj në shtresën e vjetër të civilizimeve të vjetra, të cilat kanë kaluar nëpër Persi, Azi të Vogël dhe Ballkan, për të shkuar në Perëndim. Këto gjëra janë mjaftë të njohura për Evropën dhe janë të mësuara deri në detaje. Në këtë Ballkanin tonë turqit ishin pesëqind vjet të pranishëm me kulturën dhe civilizimin islam. Një komponentë orientale ende është e pranishme në jetën dhe kulturën shpirtërore të popujve të Ballkanit. Edhe atëherë kishte shkrimtarë, poetë e përkthyes. Ne shumë pak dimë për shkrimtarë të ndryshëm nga Pazari i Ri (Novi Pazari), Plevla, Uzhica (çfarë qendre kulturore ishte ajo!) dhe qytetet e tjera të njohura asokohe. Natyrisht, se ata krijues shkruanin në gjuhën turke ose arabe, ndërsa ndonjë kolos edhe në persishte – ato janë gjuhët e asaj kulture. Arabishtja ishte gjuhë më e përhapur se latinishtja, ka qenë gjuha diplomatike e tërë botës myslimane, madje rrallë ndonjë klerik i shkolluar katolik nuk e njihte arabishten. Edhe te ne ka pasur njerëz të cilët që kanë shkruar me gjuhën e lezetshme arabe. Nëse e mësojmë pak terminologjinë e arkitekturës së vjetër, bujqësisë, ushqimeve dhe pijeve, enëve e armëve, të cilat sot nuk na duken të prejardhjes orientale, do të shohim se me të vërtet të gjitha kanë ardhur përmes turqve.

JOKIQ: Me që keni punuar në arkivat turke, a mos keni hasur atje në ndonjë material arkivor që ka të bëjë me Malin e Zi?

Kaleshi: Historianëve malazezë gjithsesi se u janë të njohura kanunnamet dhe punimet e Gjurgjevit, por mua më duket se deri më tani ata më së paku e kanë përdorë arkivin e Stambollit (kjo ndërlidhet me vështirësitë, sepse duhet të njihet gjuha osmane-turke). Jam më se i sigurt se ekzistojnë me mijëra e mijëra dokumente interesante për ta, që nga pushtuesit e parë turq, e deri te viti 1912. Mua drejtpërdrejt nuk më kanë interesuar ato dokumente dhe për këtë arsye edhe nuk ua kam vënë aq mendjen, por nga ato që i kam gjetur, disa i kam regjistruar. Për shembull, ka mjaft për Mahmut Pashë Bushatliun. Vitin e kaluar kam mbledhur dokumente për Lidhjen e Prizrenit dhe ngjarjet mes viteve 1878-1882. Vetëm në lidhje me këto ngjarje ekzistojnë me mijëra dokumente. Pastaj kam hasur dokumente për problemin e kufirit turko-malazez pas betejës së Grahovës. Bash për ato ngjarje të stuhishme të viteve 1878-1882 në arkivin sekret të sulltan Hamidit, që tani është bartur në Arkivin e Kryesisë së Qeverisë së Stambollit, ka shumë dokumente. Tani turqit punojnë në drejtimin e një klasifikimi të dokumenteve sipas vendeve dhe mendoj që kjo do ta lehtësojë përdorimin e tyre. Atje ka edhe literaturë interesante të memoareve. Studimet sistematike të arkivave dëshmojnë se ka shumë këso lloj të materialeve dhe se sa pak njohuri kemi ne për to. Por, ekzistojnë vështirësi rreth përdorimit të atij materiali. Unë e kam të ashtuquajtur leje-qëndrimi për punë në Arkivin e Kryesisë Qeveritare, por turqit lejojnë të regjistrohen vetëm 200 deri në 300 dokumente. Të tjerat mund t’i përkthejnë vetëm ekspertët, dijetarët e shkëlqyer, kurse te ne dijetarë të tillë ka pak. Por, edhe ata të cilët kanë mundësi, nuk po u qasen vullnetarisht këtyre punëve, sepse “punëdhënësit” përkthimin e këtij lloji të dokumenteve i trajtojnë si përkthimet nga italishtja e gjermanishtja, kurse dallimi është shumë i madh. Sot çdo historian e ka të qartë se pa publikimin e burimeve turke nuk mund të mësohet objektivisht historia pesëqindvjeçare e popujve të Ballkanit.

*Marrë nga GLASNIK, nr. 3-4, mars-prill, Sarajevë 1970, faqe 69-70.

Intervistën e zhvilloi M. Jokiq.

Përgatiti dhe përshtati Shefki Sh. Voca./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne