Pacolli: Kosova do ta kishte vështirë të ecë me tempon e vet pa mbështetjen e Turqisë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, sot priti në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

Pas këtij takimi, Pacolli dhe Çavuşoğlu mbajtën një konferencë të përbashkët për media. Me këtë rast, Pacolli deklaroi se në takim me ministrin e Turqisë, të cilin e quajti si mik historik, kanë diskutuar për temat e rëndësishme që janë prezente edhe në politikë, edhe në ekonomi, por edhe në marrëdhëniet ditore mes Kosovës dhe Turqisë.

Duke vënë në dukje se Turqia prej ditës së parë ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, Pacolli tha se “Turqia vazhdon të mbështesë dhe kam marrë garancione që do të mbështesë edhe në të ardhmen Kosovën. Kosova do ta kishte vështirë të ecë me tempon e vet pa mbështetjen e Turqisë”.

Pacolli njoftoi se gjatë takimit kanë biseduar edhe për sfidat që po e presin Kosovën, si dialogu me Serbinë, si dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, si Interpoli dhe UNESCO.

“Unë homologun e informova edhe për mbarëvajtjen e dialogut, për arritjet që janë bërë deri tani dhe sfidat që na presin. Sigurisht, këtu nuk mungoi edhe një herë premtimi i Turqisë se edhe këtu do të na mbështesë”, tha ai.

Ai theksoi se në procesin e anëtarësimit në Interpol, Kosovës i janë paraqitur disa probleme, por që Turqia edhe kësaj radhe do të vazhdojë të ndihmojë.

“Por, sidoqoftë, këtu edhe presidenti Erdoğan gjatë takimit tonë që patëm në New York premtoi, por sot mora po ashtu premtimin se Turqia edhe kësaj radhe do të na ndihmojë. Është çështje shumë me rëndësi e Kosovës. Sigurisht, Turqia është e gatshme të na ndihmojë edhe në çdo kërkesë që parashtrohet në dialogun Prishtinë-Beograd”, tha ai.

Ai vuri në dukje se kanë mbi 22 marrëveshje të nënshkruara me Turqinë dhe se do të vazhdojnë edhe më tej me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera dhe në implementimin e tyre. Pacolli tha se kanë biseduar edhe për investimet ekonomike të kompanive turke në Kosovë dhe i inkurajoi që edhe në të ardhmen të vijnë më shumë investitorë në Kosovë, ku, sipas tij, ka mundësi për investime dhe bashkëpunim.

“Falënderova edhe TIKA-n, e cila ka kontribuar në 600 e më tepër projekte të mëdha e të vogla në Kosovë dhe vazhdon edhe tutje me qindra qindra miliona të investuar. Unë po ashtu e falenderova Turqinë për bashkëpunimin që kemi në fushën shkencore, arsimore, trajnimin e studentëve të ndryshëm dhe bashkëpunimin që e kemi edhe me policinë e Kosovës dhe faktorë të tjerë dhe u dakorduam që edhe në të ardhmen ky bashkëpunim të vazhdojë mes forumeve të ndryshme”, deklaroi ai.

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, sot Çavuşoğlu zhvilloi një takim edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Çavuşoğlu nesër pritet të takohet me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli. Ndërkaq, më pas është paraparë që ai të vizitojë qytetin e Prizrenit.

Burimi:AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne