Kosova dhe Serbia po kalojnë një proces të vështirë të dialogut në Bruksel që tani ka ngecur pothuaj plotësisht për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve dhe paqartësive rreth formatit. Por, rreth kësaj teme po shfaq interes Behgjet Pacolli, kuptohet si zakonisht me një qasje konfuze.Në krye të këtij Komisioni Pacolli ka emëruar një zonjë nga Shqipëria, Klara Buda, e cila, sipas shpjegimeve që mund të gjenden në internet, është gazetare dhe shkrimtare.

Pacolli, prej se është emëruar në postin e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, është deklaruar shpesh për raportet e Kosovës me Serbinë, duke potencuar se dy vendet duhet të shkojnë drejt pajtimit.

Por, pak ditë më parë ai ka lënë të kuptohet se karshi Serbisë ai angazhohet për një qasje më “nacionaliste”, duke përmendur zëvendësimin eventual të produkteve serbe me ato turke. Megjithatë, kjo nuk ka zgjatur shumë. Tani Pacolli sërish i është kthyer Serbisë me tendencën për pajtim, por, natyrisht, me një qasje konfuze.

Express ka siguruar një dokument të nënshkruar nga  Ministri i Jashtëm i Kosovës, ku flitet për themelimin e një këshilli për promovim të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Madje, Pacolli e ka gjetur edhe figurën që do ta çojë Kosovën dhe Serbinë drejt pajtimin historik.

Në pikën 6 të këtij dokumenti Pacolli thotë se e ka ngarkuar me këtë detyrë një gazetare nga Shqipëria.

“6. në përputhje me pikën 5 të këtij vendimi, udhëheqëse e Këshillit të për Promovimin e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë emërohet zonja Klara Buda”, thekson dokumenti.

Më pas aty jepen detaje tjera se çfarë do të bëjë ky Këshill.

“7. Këshill për promovimin e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të hartojë një platoformë të funksionimit dhe të aktiviteteve vjetore, të cilat do të organizohen nga ky këshill”, thekson dokumenti.

Ky këshill, përvec financimit nga institucionet, sipas dokumentit, mund të financohet edhe nga donacionet.

“8.Këshilli për Promovimin e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të kërkojë donacione për të mbështetur aktivitetet e tij”.

Bisedimet Kosovë–Serbi ka kohë që ndërmjetësohen nga Brukseli me një shtytje te fuqishme nga Washingtoni. Palët kanë nënshkruar disa herë marrëveshje, por ato shpesh kanë ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Derisa Prishtina dhe Beogradi viteve të fundit kanë negociuar me një profil të lartë, që ka kërkuar investim të madh diplomatik të qendrave më të fuqishme të botës, iniciativa e Pacollit duket konfuze dhe i ngjan më shumë aktiviteteve të viteve 90’ta, kur problemi Kosovë–Serbi synohej të zgjidhej me anë të Komisioneve dhe OJQ’ve.

Klara Buda, gazetarja nga Shqipëria që është përzgjedhur nga Pacolli
38