Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi se qeveria ka ndër mend të “rrisë pagën minimale” nga 22 mijë qëështë aktualisht në 24 mijë lekë në muaj. Teorikisht punëtorët duhet të gëzohen. Praktikisht duhet të hidhërohen. Qeveria po rrit taksat për të paguar rritjen e rrogave të sektorit publik si dhe koncesionet multimilionëshe të shëndetësisë.

Teorikisht, pjesa dërrmuese e punëtorëve në sektorin privat, ato dhjetëramijëra që paguhen me pagë minimale zyrtare, (aktualisht 22 mijë lekë bruto dhe më pak se 20 mijë lekë neto), duhet të gëzohen. Punëtorë fabrikash fasonë, punëtorë ndërtimi, punëtorë shërbimesh, si hotele, restorante e kafene, që të gjithë do të duhet të gëzohen. Qeveria ka vendosur t’ua rrisë pagën minimale me gati 9 për qind. Kjo është pjesa dërrmuese e atyre 423 mijë shqiptarëve të punësuar me pagë në sektorin privat.

Sipas Ministrit të Financave Arben Ahmetaj, qeveria pritet të miratojë rritjen e pagës minimale në 24 mijë lekë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, pra të mërkurën.

Në thelb, teorikisht dhe praktikisht, nuk ka asgjë të keqe që qeveria të rrisë pagën minimale. Kompanive që paguajnë rroga minimale vështirë se do t’u shkaktojë ndonjë problem të madh rritja e kostove të punës ndërsa punëtorëve normalisht që do t’i bëjë mirë të marrin një rritje page mbi pagat sakaq mizerabël që kanë.

Por ka nja dy probleme që shqiptarët bëjnë mirë të kuptojnë para se të gëzohen me lugën bosh.

Problemi i parëështë që kjo rritje page minimale në të vërtetë nuk është rritje page minimale. Punëtori i përvuajtur i fasonerisë apo i shërbimeve vështirë se do të gëzojë ndonjë lek më shumë në shumicën dërrmuese të rasteve.

Problemi i dytëështë që qeveria duke rritur pagën minimale efektivisht ka rritur taksat dhe sigurimet shoqërore që mbahen për këtë pagë. Kjo nuk është gjë e keqe në vetvete, por është një gjë shumë e keqe kur shihet në kontekst, atë që qeveria para zgjedhjeve të 18 qershorit ka vendosur të rrisë pagat e sektorit publik dhe pensionet, të cilat do t’i paguajë ekzaktësisht nga taksimi shtesë mbi pagat minimale. Si një Robin Hud i vërtetë, qeveria po ia merr paratë të varfërve për t’ia dhënë të varfërve duke mbajtur një taksë në të dyja rastet për të paguar koncesionet te klientët e saj.

Problemi i tretëështë që një e katërta e shqiptarëve nuk janë të punësuar por të vetëpunësuar. Këta 100 mijë e kusur shqiptarë do të marrin sërish “rritjen e pagës” të vendosur nga qeveria, por këta do të duhet t’ia paguajnë rritjen e pagës vetes së vet.

Problemi i katërt dhe ndoshta më alarmanti është që për shkak tëmungesës së njohurive nga popullata e gjerë mbi taksimin dhe ekonominë, për shkak të evazionit të lartë fiskal përmes përdorimit të dy bilanceve nga një pjesë e madhe e kompanive si dhe për shkak të moszbatimit të kodit të punës nga ana e qeverisë, shumica dërrmuese e shqiptarëve do ta ketë të vështirë ta kuptojë se çfarë po ndodh.

Fitues dhe të humbur

Megjithëse Shqipëria e ka konceptin e “pagës minimale” në legjislacionin e saj, realiteti i dy dekadave të fundit e ka bërë këtë koncept vetëm teorik dhe aspak praktik. Teorikisht, çdokush që punon me orë të plotë sipas ligjeve në fuqi, duhet të punojë 40 orë në javë, të ketë dy ditë në javë pushim ose të ketë orar pune 6 orësh për gjashtë ditë, si dhe të marrë në dorë pagën minimale prej 20 mijë lekësh neto në fund të muajit. Të gjithë e dimë, (ndoshta me përjashtim të qeverisë), që kur kamarieri shkon të punojë, ai rrallëherë merr pagën minimale prej 20 mijë lekësh, ndërsa nëpër fabrikat e fasonerisë, ku gjenden shumica e vendeve të punës së keqpaguar, përveç konceptit “pagë minimale” përdoret edhe koncepti “normë”. Kjo do të thotë se ndonëse detyrimi ligjor është që punëtori të paguhet me 20 mijë lekë, fabrikat zakonisht paguajnë aq sa u teket, në varësi të normave të punës të imponuara mbi punëtorët.

Unë p.sh., kam pasur rastin të pyes disa punonjës fasonerie në Berat, të cilët më shpjeguan se efektivisht janë punonjës me mëditje. Në rast se fabrika ka punë për të ofruar, ajo ofron punë për 10 apo 12 orë në ditë për disa javë dhe pastaj mund ta bëjë pushim për një muaj dhe t’i nisë punëtorët në shtëpi. Paga që marrin realisht punonjësit nuk ka kurrfarë lidhjeje me konceptin “pagë minimale”.

Por qeveria e përdor pagën minimale për një arsye të vetme. Kjo është paga për të cilën paguhen sigurimet shoqërore e shëndetësore për çdo të punësuar e të vetëpunësuar. Kjo do të thotë se nëse një punëdhënës punëson një punëtor, ai mund t’i japë atij efektivisht më pak se 20 mijë lekë në muaj duke përdorur një seri manovrash, nga “norma” te zgjatja e orarit të punës në gjashtë ditë në javë, por qeverisë do të duhet t’i paguajë sigurime shoqërore për pagën minimale zyrtare. Rrjedhimisht, kur qeveria vendos të rrisë pagën minimale nga 22 mijë në 24 mijë lekë, atëherë ajo automatikisht do të arkëtojë më shumë sigurime shoqërore e shëndetësore mbi këto paga. Por duke e rritur pagën minimale, qeveria imponon që sigurimet shoqërore e shëndetësore që paguhen për këta punonjës të rriten, ndërsa “norma” ditore e punës do të mbesë siç ka qenë dhe të ardhurat reale të punëtorëve do të mbesin gjithashtu siç kanë qenë.

Në Shqipëri ka aktualisht 423 mijë të punësuar në sektorin privat. Nga këto, mbi 100 mijë janë të ashtuquajturit, të vetëpunësuar. Këta janë shqiptarët që ofrojnë shërbime apo bëjnë tregti në shkallë të vogël, të cilët janë regjistruar si biznes me një të punësuar, ku pronari është edhe i punësuari i vetëm. Këta shqiptarë paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën minimale. Kur qeveria e rrit pagën minimale, në praktikë për këta 100 mijë vetë rrit bazën mbi të cilën ata taksohen. Në vend që t’u rriten të ardhurat, këtyre 100 mijë shqiptarëve thjeshtë u rriten taksat.

Kategoria e dytë janë mbi 100 mijë shqiptarë të tjerë, të cilët janë të punësuar në biznes në pronësinë e një tjetri. Këta janë më së shumti punëtorë fabrikash, punëtorë lokalesh apo restorantesh. Megjithëse legjislacioni thotë se paga minimale për të gjithë këta duhet të jetë jo më e vogël se sa paga minimale zyrtare, në realitet jo nuk është e vërtetë. Shumë shqiptarë e dinë se nëpër fabrika njerëzit paguhen me ditë pune dhe se kur nuk ka punë, thjeshtë nuk paguhen. Kjo bën që e ashtuquajtura “pagë minimale” të jetë një shaka pa kripë. Shumë nga ata punëtorë që teorikisht duhet të marrin pagën minimale neto marrin në të vërtetë një pagë më të ulët. Qeveria bën sikur nuk i di këto punë, megjithëse ajo ka një zyrë që quhet “inspektoriati i punës” dhe që ka për detyrë të gjobisë kompanitë që shkelin kodin e punës.

Kategoria e fundit mbi të cilët do të rëndojë rritja e pagës minimale janë rreth 20 mijë shqiptarë, të cilët kanë pagë më të madhe se sa pesëfishi i pagës minimale. Ligji thotë se sigurimet shoqërore paguhen për deri në pesëfishin e pagës minimale dhe ky kriter aritmetik bën që kur paga minimale të rritet me 2 mijë lekë, paga maksimale mbi të cilën paguhen sigurimet shoqërore rritet me pesëfishin e kësaj shume, pra me 10 mijë lekë. Kjo nuk do të thotë se pagat e larta do të rriten. Taksat mbi këto paga do të rriten ndërkohë që paga reale që do të marrin në dorë punëtorët me këto paga do të ulet.

Rritja e pagës minimale për të rritur të ardhurat e skemës publike të pensioneve apo të sigurimeve shëndetësore është një lloj sporti që qeveritë shqiptare e kanë bërë prej kohësh. Është gjithashtu e kuptueshme që nga pikëpamja propagandistike, qeveria e ka të lehtë që të deklarojë “bamirësi” dhe “rritje page” në një kohë kur në të vërtetë po rrit taksat. Por në këtë periudhë që po kryhet kjo rritje, situata është paksa më ironike. Qeveria ka rritur pagat e sektorit publik dhe pensionet, një veprim paraelektoral i ndërmarrë muajin e kaluar. Njëkohësisht, qeveria po i shton koncesionet në sektorin e shëndetësisë te kompani fantazmë. Të dyja këto duhet të paguhen. Pagat më të larta të sektorit publik do të paguhen nga taksat më të larta mbi pagat mizerabël të sektorit privat. Dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të marrë më shumë para nga pagat minimale për të paguar ato 40 miliardë lekë koncesione të shëndetësisë./birn

50