Rënia e monedhës lira, që ka rrezikuar ekonominë e Turqisë është nxitur nga një mosmarrëveshje mes Donald Trumpit dhe Recep Tayyip Erdoganit mbi fatin e një shtetaseje turke të prangosur në Izrael, për lirimin e së cilës ka ndërmjetësuar presidenti amerikan, si dhe fatin e një pastori amerikan të ndaluar në Turqi, lirimin e të cilit po kërkon si këmbim shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Të paktën kështu pretendojnë zyrtarët në Ankara. Udhëheqësit turq thonë se lirimi i njëkohshëm i dyshes në fjalë, – Ebru Özkan e burgosur mbi pretendimet për lidhje me Hamasin në Izrael dhe Andrew Brunsonit, një predikues nga Karolina e Veriut, – është diskutuar në samitin e NATO-s më 11 korrik.

Biseda parapriu krizën e besimit që tashmë ka mbështjellë ekonominë turke, por shihet gjithashtu edhe si një shkak politik për një seri masash amerikane, që kulmuan me vendosjen e tarifave të reja të vendosura ndaj Turqisë gjatë së premtes së kaluar.

Özkan, 27 vjeç, u lirua ditën pas samitit, ndërsa Brunson mbetet ende nën arrest shtëpiak në qytetin bregdetar të Izmirit. Pastori ka qenë figura qendrore e krizës që po përshkallëzohet me ritme të shpejta, aq sa detyroi lirën turke të binte në nivele rekord kundrejt dollarit, përpara se të stabilizohej disi gjatë së hënës, mes frikës se ekonomia e vendit është e mbivlerësuar dhe e mbështetur nga nivelet e paqëndrueshme të borxhit të jashtëm.

E ndërsa bazat ekonomike të Turqisë kanë shqetësuar tregjet globale prej pak kohësh, sfondi politik i trazirave turke ka qenë më pak i qartë. Një vëzhgues turk i mirinformuar, shumë pranë vendimmarrësve të vendit, tha se biseda mes Trumpit dhe Erdoganit është keqinterpretuar nga presidenti amerikan, i cili besoi se kishte arritur një marrëveshje me homologun e tij për lirimin e Brunsonit, pasi detyroi udhëheqësin izraelit, Benjamin Netanyahu të kërkonte lirimin e Özkanit.

Në anën tjetër, Erdogani besonte se kishte rënë dakord për një proces: transferimin e Brunsonit, një rezident në Turqi prej 23 vitesh nga burgu në arrest shtëpie, përpara lirimit të tij të mundshëm.

“Gjithçka ndodhi në kuadër të samitit të NATO-s, – tha burimi në fjalë për “The Guardian”. – Erdogani i kërkoi ndihmë Trumpit për zonjën e burgosur në Izrael. Ishin vetëm ata të dy dhe një përkthyes. Trump i kishte thënë se donte tërheqjen e palës turke kundrejt pastorit fillimisht. Dhe, kur Erdogani i dha miratimin, ai nënkuptoi se në Turqi do të punohej për këtë çështje. Por, gjërat duket se i trazoi zv.presidenti Mike Pence, ndoshta për shkak të periudhës së zgjedhjeve të mesmandatit. Kështu, Trumpi ka ngatërruar një proces me një marrëveshje”.

Brunson u burgos në tetor të vitit 2016, tri muaj pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti kundër presidentit turk, i cili besohet gjerësisht se u udhëhoq nga kreu në ekzil i lëvizjes politike “Gulen”, Fethullah Gulen, i cili jeton në Pennsylvania të Shteteve të Bashkuara prej dy dekadash.

Gjithsesi, Turqia mohoi të hënën në mbrëmje se po planifikonte lirimin e Brunsonit, me Erdoganin që mbetet ende sfidues përballë tarifave të reja ndaj çelikut dhe aluminit, e duke këmbëngulur se zgjidhja është qasja e tij joortodokse ndaj çështjeve ekonomike.

44