Palestina me të drejta të plota në OKB, Shqipëria votoi “pro”

Shqipëria voton sërisht kundër qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi çështjen e Palestinës. 146 shtete u shprehën në favor të rezolutës që i jep të drejtën të paraqesë amendime, mocione  dhe deklarata në OKB.

Palestina ka fituar më shumë të drejta dhe privilegje në organizatën e OKB-së, pavarësisht se nuk është vend anëtar i saj.

146 pjesëtarë të Asamblesë së Përgjithshmë të Kombeve të Bashkuara, votuan të martën në favor të një rezolute që i jep Palestinës autoritetin të propozojë amendime, deklarata dhe mocione nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Edhe në këtë rast Shqipëria ka votuar pro, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Australia u shprehen kundër vendimit të propozuar nga Egjipti, për të kundërshtuar sipas tyre strategjinë manipuluese të liderëve palestinezë që duan të avancojnë axhendën e njohjes së shtetit të Palestinës nga më shumë vende të OKB-së.

Përfaqësuesit e SHBA-ve thanë se do të vazhdojnë të mos e njohin Palestinën në rolin e saj në OKB, sepse vetëm shtetet anëtare duhen lejuar të flasin dhe të veprojnë në emër të një grupi shtetesh të tjera.

Ambasadori palestinez në OKB, nga ana tjetër, tha se vendi i tij do të përfaqësonte dhe mbronte interesat e Grupit të 77 vendeve dhe Kinës, në të mirë të njerëzimit.

Grupi 77 në OKB, i themeluar në vitin 1964, është një koalicion i 134 vendeve në zhvillim që promovon interesat ekonomike të anëtarëve.

Në të kaluarën ai është vlerësuar për qëndrimin që ka mbajtur ndaj aparteidit në Afrikën e Jugut dhe për mbështetjen që i ka dhënë çarmatimit në botë.

Burimi: Ora News.tv

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne