“Palestinezët janë duke e paguar shtrenjtë mospërputhjen e botës muslimane”

Tensionet, dhunën izraelite ndaj muslimanëve palestinezë dhe ngjarjet e fundit në xhaminë Al-Aksa, kanë shkaktuar reagime të shumta në mbarë botën, duke përfshirë edhe Kosovën, në mesin e institucioneve fetare, studiuesve dhe organizatave të ndryshme të shoqërisë civile.

Doktor i Filozofisë Islame dhe teologu kosovar, Mustafa Bajrami, në një deklaratë me shkrim për Anadolu Agency (AA) vlerëson se ndërhyrjet e javëve të fundit të Izraelit kundër Al-Aksas janë presion mbi botën arabe dhe islame në përgjithësi, ndërsa sipas tij, Izraeli ka përvojë t’i shfrytëzojë këto situata në dëm të palestinezëve.

Siç thotë Bajrami, bota muslimane ndodhet në një rrëmujë të vërtetë dhe palestinezët janë duke e paguar shtrenjtë çmimin e shpërputhjes politike, ekonomike dhe sociale të botës muslimane.

Duke theksuar se gjendja e tensionuar politike në Lindjen e Mesme prek edhe pozitën e palestinezëve në rajon, Bajrami thotë se palestinezët janë të pafuqishëm pa mbështetjen e shteteve islame.

“Shpresojmë që situata të mos eskalojë edhe më shumë. Palestinezët janë duke e paguar shtrenjtë çmimin e shpërputhjes politike, ekonomike dhe sociale të botës muslimane. Nuk mendoj se ka ndonjë shtet islam që do të kishte dëshiruar fillimin e ndonjë lufte ndër-fetare mes izraelitëve dhe palestinezëve”, shprehet ai.

Bajrami thotë se përkundër kësaj dhune të autoriteteve izraelite, përveç Turqisë dhe herë pas here Pakistanit, nuk ka pasur reagim tjetër serioz nga bota islame.

“Bota islame është duke hyrë në një periudhë te re gjeostrategjike. Ajo, në fakt është shpërbërë si botë islame. Në kundërshtime të tilla, reagimet sporadike dhe të aty-këtushme nuk çojnë peshë në ngjarje të mëdha dhe me ndikim që mund të ndodhin diku në botën islame apo me gjerë”, thotë ai për AA.

Ai duke apeluar se “bota islame duhet të zgjodhet nga ky tërbim në të cilën ndodhet”, thotë se bota islame, përjashtuar Turqinë, nuk bëri asgjë deri më tani në lidhje me ngjarjet e fundit në Al-Aksa.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne