Palestinezët plagosen në përleshje me IDF në ditën e parë të vizitës së Trampit në Izrael

Të paktën nëntë palestinezë u plagosën nga plumbat prej gome dhe të vërtetë ndërsa u përleshën me trupat izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, në ditën e parë të vizitës së presidentit amerikan Donald Tramp në Izrael.

Dhuna shpërtheu në pikën e kontrollit të Kalandisë që lidh Jeruzalemin dhe veriun e Bregut Perëndimor.

Dhjetëra të rinj palestinezë i vunë zjarrin gomave dhe mbeturinave, dhe hodhën shishe qelqi dhe gurë kundër trupave izraelite.

IDF u përgjigj me gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndërsa AP dhe Haaretz kanë raportuar se janë përdorur edhe plumba të vërtetë.

Të paktën nëntë vetë u plagosën gjatë përleshjeve dhe një person thuhet se mbetet ende në gjendje të rëndë.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, tre nga të plagosurit në Kalandi kishin plagë me armë zjarri, por ushtria izraelite i mohoi pretendimet e përdorimit të plumbave të vërtetë, njoftoi AP.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se dhjetëra protestues patën pasoja nga thithja e tymit dhe gazit lotsjellës, me 18 prej tyre që kërkonin trajtim mjekësor.

Agjensia palestineze e lajmeve WAFA gjithashtu raportoi plagosje me plumba gome dhe inhalime të gazit lotsjellës mes palestinezëve në fshatrat Deir Sharaf, Azzoun, Nabi Saleh dhe zona të tjera.

Dyqanet u mbyllën, shkollat ​​u mbyllën dhe transporti u ndal në Bregun Perëndimor të hënën, pasi banorët treguan mbështetje për mbi 850 grevistë palestinezë urie të cilët kanë kërkuar trajtim më të mirë në burgjet izraelite që nga mesi i prillit.

“Ne e caktuam që kjo grevë të ndodhte pas ardhjes së Trampit”, tha Isam Bakr nga Komiteti i Punëve të Brendshme të të Burgosurve të Palestinës për Jerusalem Post.

“Ne duam t’i dërgojmë një mesazh presidentit amerikan se ai duhet të bëjë presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund ndërtimit të vendbanimeve dhe okupimit”, shtoi Bakr.

Tensionet kanë gjasa të përshkallëzohen në territoret e okupuara palestineze, pasi organizata e Bakr ka bërë thirrje për një “Ditë Zemërimi” të martën, kur Trampi të vizitojë qytetin e Bethlehemit në Bregun Perëndimor. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne