Papa Françesku: Bashkim i plotë ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve

“Të vijojmë rrugën tonë drejt bashkimit të plotë”. Ky qe urimi i Papës Françesku për katolikët dhe ortodoksët, gjatë audiencës me delegacionin e Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës, me rastin e vizitës tradicionale në Romë për kremtimin e Shën Pjetrit e të Shën Palit. Ishin “dishepuj e apostuj të Jezu Krishtit – kujtoi Ati i Shenjtë – i shërbyen Zotit me stil e mënyrë të ndryshme, por, në këtë larmi, dhanë dëshminë e dashurisë së mëshirshme të Hyjit”.

“Jo” uniformitet i homologuar

Papa shprehu dëshirën “e rivendosjes së plotë të bashkimit ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, të cilën e shijojmë që tani – tha në audiencë – në takimin vëllazëror, në lutjen e përbashkët dhe në shërbimin ndaj Ungjillit. Përvoja e mijëvjeçarit të parë, në të cilin të krishterët e Lindjes e të Perëndimit merrnin pjesë në të njëjtën tryezë eukaristike – nga njëra anë, duke ruajtur së bashku të njëjtat të vërteta të fesë e, nga ana tjetër, duke kultivuar tradita të ndryshme teologjike, shpirtërore dhe kanonike, që përkojnë me mësimet e apostujve dhe të Koncileve ekumenike – është pikë referimi e nevojshme dhe burim frymëzimi në përpjekjen për rivendosjen e bashkimit të plotë në kushtet aktuale; bashkim, që nuk duhet të jetë uniformitet i homologuar”.

Në Leros të Greqisë, dialogu teologjik

Duke nënvizuar se “ndryshimet e ligjshme duhet të bashkëjetojnë në një bashkim të vetëm kishtar”, Papa Françesku kujtoi se në shtatorin e ardhshëm, në Leros të Greqisë, do të mblidhet Komiteti i koordinimit i Komisionit të përbashkët ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj ortodokse.

Ati i Shenjtë uroi që “kjo mbledhje, në atmosferën shpirtërore të dëgjimit të vullnetit të Zotit e në vetëdijen e gjallë për udhën e përshkuar së bashku nga shumë besimtarë katolikë dhe ortodoksë, në anë të ndryshme të botës, të jetë e pasur me rezultate të mira për të ardhmen e dialogut teologjik”. Zoti, u lut Papa, na dhashtë të gjithëve mundësinë për të qenë “mjete bashkimi e paqeje”.

50-vjetori i vizitës së Papës së lum Pali VI në Fanar

Siç e nënvizoi edhe vetë Ati i Shenjtë, në fjalën drejtuar delegacionit nga Kostandinopoja, sivjet kremtohet 50-vjetori i vizitës së Papës së lum Pali VI në Fanar, në korrik të vitit 1967. Patriarku i atëhershëm, Athenagoras, ia ktheu vizitën në Romë, në tetor të atij viti. Që atëherë, të dyja Kishat, ajo e Lindjes dhe ajo e Perëndimit, vijojnë të dërgojnë delegacione në festën e Pajtorëve të tyre: Shën Andrea për Lindjen dhe shën Pjetri e Shën Pali për Perëndimin.

Burimi : Radio Vatikan/ ML

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne