“Paradoksi i barazisë gjinore” në Shqipëri dhe Rajon: më shumë gra diplomohen në shkencat ekzakte

Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Europë të grave që janë diplomuar në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri; apo Matematikë. Pesha e të diplomuarave gra në këto disiplina në 2015-n ishte 53.1%. Më konkretisht është i vetmi vend i Europës, ku diplomohen më shumë gra se burra në shkencat ekzakte.
Mirëpo sipas një studimi të fundit nga dy psikologë dhe kërkues nga Universiteti i Misurit dhe i Leeds Beckett kanë dalë në përfundimin se barazia gjinore mban larg gratë nga shkenca. Ata e kanë quajtur këto fenomen “paradoksi i barazisë gjinore”.

Ata i drejtohen fenomenit se sa më shumë gratë të kenë arritur barazinë gjinore në një shoqëri, aq më pak zgjedhin që të studiojnë në profile si Shkenca, Teknologji, Inxhinieri apo Matematikë, duke krijuar kështu një lidhje negative midis këtyre dy treguesve.

Nga grafiku që ka publikuar InfoData e IlSole, pas Shqipërisë, përqindjen më të lartë të grave të diplomuara në një nga drejtimet e mësipërme e ka Maqedonia, me 45.1 për qind.

Përqindjen më të lartë të grave të diplomuara në shkenca e kanë kryesisht vendet e Europës Lindore, ndërsa më të ulëtin ato të Europës Perëndimore.

Përqindjen më të ulët të grave të diplomuara në shkenca e mban Luksemburgu me 21.8 për qind dhe Zvicra me 22.73 për qind, megjithëse për sa i përket indeksit të barazisë gjinore kanë shënuar pikë të larta.

Shqipëria, edhe pse krahasuar me rajonin, është e pozicionuar më mirë për sa i përket barazisë gjinore, ka përqindjen më të lartë të grave shkencëtare.

Vendet me barazi më të lartë janë vendet nordike, Finlanda dhe Norvegjia. Por edhe pse gratë kanë arritur pozitën që duan në shoqëritë e këtyre vendeve, vetëm 27 dhe 29 për qind e grave kanë zgjedhur që të kenë një karrierë në shkencë./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne