Parajsa nuk ka më vend për milionerët

Monako u bë shumë i vogël për ndërtime të reja. Prandaj mbulohet deti për të fituar toka të reja ndërtimi. Në këtë oazë për të pasurit, një metër katror të banesës buzë detit nuk është më pak se 53.000 euro.

Paramendoni një vend me madhësi prej dy kilometrave katror me rrugët e pastra, të qeta, dhe pa tatim në fitim. Vendi ku Formula 1 dhe lundrimi me jahte është argëtim kombëtar, ndërsa njerëzit në vend të thërrasin taksi, transportohen me helikopterë, shkruan BBC.

Tani paramendoni se çdo i treti banor i këtij vendi është milioner. Kjo oazë e vogël është magnet aq i fortë për pasanikët sa që një numër i madh i tyre dëshiron të vendoset në bregun e tij me diell. Për këtë shkak pushteti lokal ka ndërmarrë hapa radikale në ndërtimin e terreneve të reja në mënyrë që të mundësojë banesa për të gjithë të interesuarit.

Principata e vogël Monako, ka numër më të madh të milionerëve në botë për kokë banori, dhe vlerësohet se në 10 vitet e ardhshme edhe 2.700 milionerë do të kërkojnë patundshmëri në këtë vend të vogël.

Derisa voziteni buzë bregdetit francez të Detit Mesdhe, para juve paraqiten plazhet të mbuluara me rërë të bardhë dhe çadra me vija, të rrethuar me selvi.

Dhe, papritmas gjendeni të rrethuar me rrokaqiej të latë të betonit. Bugatti’të fluturojnë pranë jush, dhe kur e vëreni kasinon botërisht të njohur, do ta dini se jeni në Monaco.

Me dendësi më të madhe të popullësisë në botë dhe reputacionin “shesh lojërash për pasanikët”, kërkesa për patundshmëri në Monako është rritur deri në qiell.

Por, blerësit nuk janë të interesuar vetëm për pamje nga deti, ky shtetëz është edhe oazë tatimore.

Atje nuk ka tatim në fitim, nuk ka tatim në ndërmarrje dhe tatimi është arsyja kryesore që njerëzit shkojnë atje. Arsyeja tjetër është stili i jetës.

Prej rreth 38.000 banorëve të principatës, 30 për qind janë milionerë. Për nga numri i banorëve të pasur, pas Monakos dhe kryeqytetit të tij Monte Carlo, janë qytetet si Gjeneva dhe Cyrihu.

Parashkohet se numrat do të rriten edhe më shumë. Sipas analizës së agjencisë për patundshmëri Knight Frank, në dhjetë vitet e ardhshme 16.100 milionerë do të kërkojnë patundshmëri në këtë principatë të vogël, të cilët në këtë moment nuk mund të blejnë sepse – nuk ka më vend.

Çmimi i banesave atje është më i lartë në botë, dhe një metër katror sillet prej 53.000 deri 100.000 euro.

Me sipërfaqen e vet, Monako është përplotë. Pas Vatikanit, ky është vendi më i vogël në botë, dhe terrenet për ndërtim janë aq të kufizuar sa që njerëzit po i shpojnë shkëmbinjtë, ndërtojnë rrokaqiej shumë të lartë apo ndërtesat po i fusin thellë në tokë.

Për t’i bërë ballë kërkesës së lartë për patundshmëri, sunduesi i tanishëm princi Albert është pajtuar të realizohet një projekt ambicioz të cilin do ta financojnë ndërmarrësit privat, ndërsa do ta mbikqyrë qeveria e Monakos: do ta mbulojnë një pjesë të gjirit para Monte Carlos dhe kështu do të fitojnë terren shtesë për ndërtim.

Projekti do të kushtojë një miliard e gjysmë euro, ndërsa principata do të fitoj deri në vitin 2026 edhe 15 hektarë shtesë tokë ndërtimore.

Laguna Portier, si do të quhet kjo pjesë, do të përfshijë një liman për 30 anije, një park të dizajnuar dhe ndërtesat luksoze rezidenciale me 120 banesa të reja.

Ky mbulim i deti do të ketë edhe dëme për ambientin, kështu planifikohet që flora dhe fauna e rrezikuar të barten në pjesë të sigurta në det si dhe të krijohet një shkëmb artificial koral ku do të strehohen qeniet e rrezikuara të detit.

Zgjërimi i rajonit tokësor në dëm të detit nuk është asgjë e re kur është në pyetje Monako. Prej vitit 1861 principata e ka rritur territorin e vet për 20 për qind. Por, tani as deti i thellë nuk mjafton të ngopë kërkesën në rritje për toka ndërtimore.

Shikoni videon:

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne