Paralizohet Greqia, grevës i bashkohet edhe policia

Mijëra grekë kanë vërshuar mesditën e së mërkurës në qendër të Athinës, Selanikut dhe qyteteve të mëdha të vendit, duke iu përgjigjur thirrjes së konfederatave të sektorit publik “Adedy” dhe atij privat “GSEE”, për një grevë të përgjitshme 24 orëshe.

Grekët protestojnë edhe njëherë kundër masave të rrepta të kursimit, si shkurtimet e pensioneve dhe rritjen e taksave që sjell qeveria, në mënyrë që të mbyllet vlerësimi i dytë i programit grek nga kreditorët, disa orë para miratimit të paketës së katërt të reformave në Parlament me vlerë 4.9 miliardë euro, që është edhe kusht për vazhdimësinë e ndihmës financiare për Greqinë.Në grevë marrin pjesë nëpunësit e Administratës Civile dhe lokale, mësuesit, nëpunësit e bankave. Spitalet funksionojnë me personel sigurie, mjetet e shërbimit urban punojnë në mënyrë të reduktuar, anijet qëndrojnë të ankoruara në porte, shumë fluturime janë anuluar ose është ndryshuar orari i tyre, ndërsa të martën në grevë kanë qenë edhe mediet e vendit.Greva është përshkallëzim i disa protestave të organizuara gjatë këtij muaji ndaj reformave të qeverisë “Tsipras”, kur partia që ai udhëheq, “Syriza”, ndodhet me 10 pikë diferencë pas konservatorëve të “Demokracisë së Re” në preferencën e qytetarëve sipas sondazheve të fundit./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne