Parashikimi i FMN hedh poshtë premtimin e qeverisë për rritje ekonomike dhe borxhin publik

Qeveria Rama 2 deklaron në programin e vet qeverisës se ka dëshirë që rritja ekonomike reale e vendit të jetë mesatarisht 4.5 për qind për katër vitet e mandatit të saj 2017-2021 ndërsa në vitin e fundit të mandatit pretendohet rritje deri në 6 për qind. Por parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë e konsideron të pagjasë rritjen ekonomike ndërsa kërkon ulje edhe më drastike të borxhit publik.

Programi i qeverisë Rama 2 thotë se rritja ekonomike e Shqipërisë duhet të arrijë në 5.5 deri në 6 për qind në terma realë deri në fund të mandatit të saj ndërsa borxhi publik si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto synohet të ulet deri në masën 60% të PBB-së, nga rreth 70% që është aktualisht. Por parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar të publikuara në faqen e internetit të Fondit IMF.org, tregojnë se nëse gjithçka shkon mirë, ekonomia shqiptare do të rritet me maksimalisht 4.1 për qind në vitin 2021 ndërsa mesatarja katërvjeçare parashikohet të jetë 4 për qind.

“Përmes zbatimit të plotë të këtij programi ne synojmë një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5 përqind për të arritur në rreth 5.5 – 6 përqind të PBB-së në fund të mandatit”, thuhet në programin e qeverisë, i cili nuk sqaron se mbi çfarë analizash dhe çfarë hipotezash mbështetet ky parashikim.

Prodhimi i Brendshëm Bruto vjetor i Shqipërisë është aktualisht rreth 10 miliardë euro, gjë që do të thotë se 1 për qind e PBB-së është e barabartë me 100 milionë euro. Në rast se ekonomia rritet me 4 për qind, atëherë, të ardhurat e disponueshme të shqiptarëve dhe të subjekteve të huaja që kanë pronësi asetesh prodhuese në Shqipëri rriten me 400 milionë euro.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është institucioni më i specializuar në botë për parashikimin e ecurisë ekonomike botërore, por kjo nuk do të thotë se parashikimet e fondit janë gjithmonë të sakta. Përveç parashikimit të FMN-së, zbatimi në kohë apo zbatimi me efikasitet i reformave nga qeveria e një vendi përcakton gjithashtu shanset e realizimit të parashikimit, krahas faktorëve të paparashikueshëm si emergjencat civile. Gjithsesi, Fondi Monetar Ndërkombëtar i kryen parashikimet e veta duke faktorizuar një numër të madh të dhënash specifike të çdo vendi anëtar, klimën e përgjithshme botërore dhe të dhëna të tjera.

Kështu, në parashikimin e kryer për Shqipërinë në tetor 2013, FMN parashikoi një rritje ekonomike prej mesatarisht 2.5 për qind për periudhën 2014-2017, pasi në këtë kohë, Shqipëria nuk kishte marrëveshje për reforma me Fondin. Parashikimi për Shqipërinë ndryshoi pozivisht pak muaj më vonë, pasi qeveria “Rama 1” pranoi paketën e reformave. Nën supozimin se reformat do të ecnin siç duhej, FMN parashikoi rritje ekonomike 2.1 për qind për vitin 2014 dhe 4.5 për qind për vitin 2017. [Link parashikimi i FMN prill 2014]. Siç e dimë, punët nuk ecën aq mirë sa qe shpresuar. Rritja ekonomike reale për vitin 2014 rezultoi vetëm 1.8 për qind, ndërsa rritja ekonomike e vitit 2017, shpresohet të jetë 3.6 për qind, nga 4.5 që qe shpresuar kur nisi programi i reformës me FMN.

Premtimi tjetër i qeverisë, ai i reduktimit të borxhit publik deri në 60% të PBB-së duket se është edhe më problematik. Sipas asaj që shpresohej nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, borxhi publik i Shqipërisë pritej të qëndronte në nivele pothuajse konstante përgjatë viteve 2017-2019, gjë që, e kombinuar me rritjen ekonomike në masën 4 deri në 4.5%, duhej të sillte rënie të shpejtë të borxhit si përqindje e PBB-së. Sipas parashikimeve [link], borxhi publik i Shqipërisë duhet të qëndrojë rreth 1.1 trilionë lekë gjatë katër viiteve të ardhshme dhe për rrjedhojë, borxhi si përqindje e PBB-së duhej të ulej në 53.4 për qind në vitin 2021, fundi i mandatit të qeverisë ‘Rama 2’.

Për të garantuar një të ardhme normale për brezat e ardhshëm, borxhi publik i Shqipërisë duhet të ulet vazhdimisht përgjatë dekadës së ardhshme deri në 40 për qind, dhe pas kësaj të mos lejohet të rritet më tutje me përjashtim të situatave të krizave. Por duke premtuar rënie shumë më të paktë të borxhit publik gjatë këtij mandati, qeveria ‘Rama 2’ vë në dyshim seriozitetin e vet në trajtimin e këtij problemi. Përveç borxhit nominal publik, qeveria aktuale ka shfaqur përgjatë katër viteve të kaluara fenomenin e shumëkritikuar të krijimit të borxheve përmes kontratave afatgjata koncesionare, të cilat janë borxh publik në të gjitha kuptimet me përjashtim të faktit që nuk janë kontrata të lidhura në bazë të ligjit për borxhin publik. Të shqetësuar për krijimin e borxheve të fshehura përmes kontratave koncesionare, ekspertët e FMN kërkuan dy vjet më parë që kostot e këtyre kontratave të raportoheshin veçmas në ligjin e buxhetit. Raportimi i parë i kryer në ligjin e buxhetit 2017, zbuloi për herë të parë se tetë kontrata koncesionare të nënshkruara dy nga qeveria e mëparshme ‘Berisha 1’ dhe gjashtë nga qeveria ‘Rama 2’, kanë një kosto të përgjithshme të pritshme prej 65.8 miliardë lekësh, ose rreth 5% të PBB-së.

Për qytetarët ka pak rëndësi praktike nëse paratë e tyre përdoren për të paguar borxh publik të emetuar përmes ligjit të borxhit publik apo borxh publik të krijuar përmes kontratave koncesionare. Arsyeja se pse kërkohet ulja e borxhit publik është që paratë në duart e qytetarëve kanë eficencë më të lartë përdorimi dhe krijojnë rritje më të madhe ekonomike. Rrjedhimisht, duke mos e ulur borxhin, apo duke shtuar barrën e detyrimeve përmes koncesioneve në ekonomi, qeveria nuk bën që tjetër veçse pengon përshpejtimin e rritjes ekonomike.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne