“Partia Demokratike Osmane” dhe demokratët e parë shqiptarë

Dy perandoritë më të mëdha në këto anë, që shpesh i portretizojnë si “lindore”, Perandoria Bizantine e ajo Osmane, kishin Cezarin, respektivisht Sulltanin si maja të pushtetit në sistemin politik, ku përmes feve dominuese të këtyre dyjave, Ortodoksizmit gjegjësisht Islamit, paraqiteshin si “përfaqësuesit e Zotit në tokë”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Evropa Perëndimore që kishte ikur nga Mesjeta, me të mirat materiale e ndryshimet intelektuale që i kishin ndodhur, sytë i kishte nga Antikiteti dhe eksperimentet që grekët e lashtë kishin bërë. Kurse për shtetin osman, që dikur kërcënonte zemrën e saj, por që tashmë kishte hyrë në dekadencë, tani po shihte si model pikërisht evropianët.

Me reformat e Selimit III, të Tanzimatit e Islahatit, osmanët po eksperimentonin si aksiomë modernizmin evropian. Otomanët e rinj nën influencën e Namik Kemalit e Zija Pashës po kërkonin tashmë kushtetutë për perandorinë, sipas modelit të monarkive kushtetuese evropiane.

E kjo edhe erdhi, më 1876 nga një grusht shtet që Mithat Pasha do të bënte në sarajet e sulltanit. Por, jetëgjatësia e saj ishte vetëm dy vjet, për t’u kthyer përsëri nën absolutizmin e Sulltan Abdylhamitit II. Kthesa më e madhe në rrugën drejt demokratizimit të vendit ishte Revolucioni Xhonturk i 1908-ës, çka riktheu Kushtetutën që sulltani kishte abroguar dhe i hapi rrugë pluralizmit politik.

Do të krijoheshin shumë parti politike, e në mesin e tyre edhe Partia Demokratike Osmane, e njohur ndryshe edhe si “Firka-i Ibad”

 

Shkruan: Shasivar Kabashi

Nga përpjekja xhonturke deri tek Partia Demokratike

Humbja e luftës me rusët më 1877-78, do ta bindte edhe më shumë sulltanin që të zhbënte Kushtetutën e 1876-s, e për ta centralizuar edhe më shumë pushtetin e tij absolut. Por, kjo vetëm sa do të forconte e motivonte edhe më shumë kundërshtarët e tij. Tanzimati, që gjithë shtetasit osmanë i shihte të barabartë tashmë, kishte si avangardë intelektualët e rinj që ishin bashkuar rreth konceptit të Osmanizmit, e përpiqeshin për një decentralizim të pushtetit dhe autonomi për grupet e shumta etnike përbrenda një perandorie te lirë që ata ëndërronin. Njëri nga ta, që do të merrte hapin e kundërshtisë së sistemit, ishte një i ri energjik, Ibrahim Et’hem Sojliu, një shqiptar nga Struga e Vilajetit të Manastirit, me prejardhje nga krahina e Matit. Ibrahimi, që me adetin shqiptar të shkurtimit të emrit u bë i njohur si Ibrahim Temo, do të studionte mjekësin në mejtepet e Stambollit, ku do të binte në kontakt me rilindësit e tjerë shqiptarë, e duke kontribuar në Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip. I ndikuar nga pikëpamjet darviniste që gulçonin në Mekteb-i Tıbbiyye, për Temon do të ishte edhe traseja e rrugëtimit të tij politik. Një vizitë e tij në Itali, ku do të njihte nga afër organizatën e fshehtë “Carbonaro”, do të vendoste jo vetëm veprimet e tij politike, por të një revolucioni që perandoria do ta jetonte në vitet në vazhdim. Pasi që ishte kthyer në Stamboll, më 2 qershor të 1889, pikërisht në përvjetorin e 100-të të Revolucionit Francez, Temo, së bashku me Abdullah Xhevdetin, Ishak Sukutin e një grup shokësh të tjerë, në bahçen e Spitalit Ushtarak, do të themelonin edhe organizatën e fshehtë “İttihad-ı Osmanî Cemiyeti”, që duke bërë betimin mbi revolver dhe Kur’an, do të besatoheshin që perandorisë ti sillnin Liberté, Egalité, Fraternité. Nënshkrimi i parë dhe numri një i kësaj organizate ishte vetë Ibrahimi. Nga ky vit e deri tek 1908-a, lufta e vetme ishte kthimi i Kushtetutës së Parë dhe largimi nga froni i sulltanit absolutist. Fitorja e Revolucionit të 1908-ës, do të vinte nga një mashtrim dhe manipulim i shqiptarëve të mbledhur në Ferizaj, arma e fundit që Abdulhamiti II kishte në dorë. Pa kaluar mirë një vit nga ‘ardhja e lirisë’ (Hürriyeti), Kushtetuta që ishte hartuar nga Mithat Pasha 20 vjet më parë, e që ishte miratuar duke mos ndryshuar as edhe një nen të vetëm, ishte kërcënuar nga Kundërrevolucioni i 1909-s. Me dështimin e kësaj përpjekje, një grup përbrenda organizatës xhonturke, nga frika e humbjes së pushtetit do ta drejtonte organizatën drejt një politike centraliste (merkeziyet) të pushtetit, dhe një ndryshim koncepti ideologjik – nga Osmanizmi në Turqizëm. Ky ndryshim drastik që shumë hapur ishte shpalosur nga Hysejn Xhahiti, kryeredaktor i gazetës “Tanin”, organit më të fuqishëm mediatik të organizatës, revoltoi intelektualët e shumtë përbrenda organizatës, kryesisht ata që vinin nga etnitë tjera dhe deri atëherë besonin në një decentralizim të pushtetit (Adem-i Merkeziyet), dhe vazhdonin ta shihnin osmanizmin si ombrellën e përbashkët për të gjithë shtetasit osmanë. Duke i qëndruar besnik idealeve të tija, për një perandori të së drejtës e të lirë – Temo, vetë themeluesi i saj ishte larguar vite më parë, porse ftohej gjithmonë në mbledhje si mysafir nderi dhe ishte ai që fillonte mbledhjet. Dikur personi pa të cilin nuk fillonte mbledhja e kryesisë së Xhemjetit, nuk u ftua më. Së bashku me të u larguan një grup i madh intelektualësh e themeluesish, duke u ndarë e hapur parti të ndryshme. Temo së bashku me bashkëthemeluesin e dikurshëm dhe shokun e tij të ngushtë, Abdullah Xhevdetin, që më 1906 u rreshtua përkrah decentralistëve, nuk do të ndalnin aktivitetin e tyre politik, duke marrë vendimin e një rirreshtimi të ri politik, me themelimin e Partisë Demokratike Osmane (Osmanlı Demokrat Fırkası).

10324
Kujtimet e Ibrahim Temos

Në lidhje me këtë, në kujtimet e tija, Ibrahim Temo rrëfen: “Ata që erdhën në krye, duke i thyer parimet e para të organizatës, duke ndryshuar programet dhe sjelljet, si dhe duke mos krijuar një klimë të përbashkët gjithë popullore, po largoheshin dita ditës. Filluan të krijonin komitete të ndryshme në Stamboll e jashtë tij. Kjo ishte një gjë e keqe dhe e dëmshme për vetë Turqinë (lexo: shtetin osman), dhe duke mbledhur rreth vetës një grup të fuqishëm, Turqinë po e kthenin në sistemin e vjetër, prandaj duke pasur të qartë që nuk ka rrugë tjetër për ta ruajt zërin e etnive tjera dhe lirinë e shprehjes, vendosëm të themelonim partinë demokratike duke e përshtatur kështu me programin e vjetër që kishim.” Në koordinim me Abdullah Xhevdetin, krahun e djathtë të Temos, që vepronte në Kajro të Egjiptit, ku botonte gazetën e tij “Ittihad”, vendosën që klubin e vjetër “Selamet-i Umûmiye” ta shëndrronin në një parti politike. Më 6 shkurt 1909, të mbledhur në shtëpinë e Fuad Shukruit, një poligloti që kishte marrë nofkën ‘Ebu-l Lisan’ – përballë Sulltanahmetit, nikoqiri, Ibrahim Temo dhe rilindësi e socialdemokrati tjetër shqiptar, Dervish Hima, themeluan Partinë Demokratike Osmane. Si datë zyrtare e themelimit të partisë na del pikërisht 31 Marsi, dita e Kundërrevolucionit.

Programi politik, Demokracia, Parlamentarizmi, Islami e Osmanizmi

Hartimin e statutit të brendshëm partiak dhe programit politik e kishte marrë përsipër vetë Temoja. Si rrjedhojë ai kishte hartuar një statut prej 66 pikave dhe gjithashtu një programi politik prej 15 pikave. Nga studimet që ka përmbledhur me një libër së fundmi rreth këtij organizimi politik, studiuesi Gokhan Kaya vë në dukje që hartimi i një programi politik të tillë ishte nga më demokratikët për kohën. Pjesa më e rëndësishme e statutit dhe programit politik është veja në pah e një shtrese të harruar të shoqërisë osmane, si punëtorët, fermerët e tregtarët, për të cilët tregohet theksim i madh i rolit të tyre në shoqëri. Për më tepër, ky interes për këtë pjesë të shoqërisë nuk mëtohej të mbetej vetëm në nivelin teorik, por ishin precizuar edhe rrugët konkrete se si atyre t’u arrinte ndihma e shtetit, me hapjen gjithashtu të shkollave profesionale e teknike. Vetë prezenca e Dervish Himës, që kishte pikëpamje majtiste, mund ta ketë influencuar një program politik social. Demokracia, përveç trajtimit si fenomen, mendim politik e koncept u pa si një ideal i përparimit dhe mirëqenies socio-ekonomike për shoqërinë osmane. Sundimi i demokracisë u promovua si një vullnet edhe i Zotit: “Zëri i popullit është zëri i Allahut” (Milletin sedası Allah’ın sedasıdır).

81341
Tablo nga zgjedhjet e para në Perandorinë Osmane

Demokracia u promovua si një pjesë përbërëse e Islamit, pasi që kjo si fe në themel u pa të ketë barazinë e njerëzve dhe drejtësinë në mes tyre. Parlamentarizmin dhe demokracinë si koncepte, kjo parti e gjente edhe tek vetë tradita e shekujve te hershëm të islamit. Demokracinë në barazinë mes njerëzve që promovonte dhe parlamentarizmin në vetë traditën e profetit – tek “shura” – këshillimi me pasuesit që profeti kishte bërë në situata dhe vendime politiko-shoqërore. Ky institucion pretendohej që ishte shuar dhe ishte manipuluar pas kalimit në dinastitë dhe sistemet monarkike që islami kishte përjetuar gjatë shekujve më pastaj. Përfaqësimi i popullit në parlament u pa sikur zëri i tyre dikur në “shura”.

Në statut gjithashtu edhe në programin politik, në disa prej pikave sqarohej edhe koncepti ideologjik i shtetit, ku si koncept shtetëror pranohej osmanizmi, në të cilin të gjithë shtetasit osman, pa dallim feje, etnie, race e mendimi pranoheshin si të barabartë me njëri tjetrin, ku përveç tjerash duhej të luftohej që kjo ide të jetë themel për një shtet të lirë, të zhvilluar e modern. Mirëpo, siç e thamë edhe më lartë, te mënyra e qeverisjes së këtij shteti që prosperonin ta ndërtonin, duhej të bëhej gjithmonë sipas decentralizimit (Adem-i Merkeziyet), në mënyrë që grupet e shumta etnike e fetare që kishte perandoria të kishin një lloj lirie e autonomie vetëqeverisëse. Rol ndikues në këtë aspekt ka dhënë edhe rritja e nacionalizmit, që përveç popujve krishterë, kishte prekur edhe etnitetet me shumicë myslimane. Këtë ndoshta e kuptojmë më së miri kur shohim veprimtarinë nacionaliste të vetë themelueseve shqiptarë që kishte kjo parti, të cilët për shumë vite ishin përpjekur për një lloj autonomie të Shqipërisë.

Arnavutllëku nxjerr deputetin e parë dhe të vetëm demokrat

Në zgjedhjet e para të përgjithshme që ishin mbajtur më 1908, Partia Demokratike Osmane nuk kishte marrë pjesë, dhe atëherë i vetëm Fuad Shukru nuk kishte mundur të merre votat e mjaftuara në Stambollin e tij. E pas kundërrevolucionit të 1909, xhonturqit në pushtet, përveç kërcënimit me forcë që kishin përjetuar në Stamboll, pas saj, ata nuk ishin të sigurt edhe për pushtetin legjitim që duhej të krijohej nga votat e qytetarëve. Për këtë arsye ata pas kësaj do të merrnin masa duke futur në dorë çdo lloj mjeti propagandues që i doli para, madje duke u përgatitur edhe për manipulimin e zgjedhjeve. E përkundër propagandave që bënin klubet xhonturke nëpër çdo cep të perandorisë, nuk mundën që të ndalnin votimin për partitë e shumta opozitare që tashmë ishin krijuar. Në Arnavutllëkun që si realitet gjeografik pranohej ashtu siç edhe nacionalistët shqiptarë pretendonin politikisht, klubet xhonturke që ishin hapur në çdo cep bën fushatë intensive në favor të tyre, e që në veri të tij më shumë manipuluan përmes fesë. Por, përkundër kësaj fushate mjaftë të ngjeshur në Zgjedhjet e Dyta të Përgjithshme në Konstitucionin e II-ë, shqiptarët jugorë kishin arritur ta nxirrnin në Parlamentin Osman deputetin e vetëm nga Partia Demokratike – Shahin Teki Ypin, i cili vinte nga kazaja e Kolonjës që ishte pjesë e  Sanxhakut të Korçës në Vilajetin e Manastirit.

Deputeti Korçës Shahin Taki Bej
Fotoja zyrtare si deputeti i parlamenitit osman: Deputeti i Korçës Shahin Taki Beu

Meqenëse vinte nga Kolonja, ai u bë i njohur më shumë si Shahin Kolonja. Shahin beu kishte lindur në fshatin Starja në kazanë e Kolonjës, kishte përfunduar rushdijen në Korçë dhe pas përfundimit të liseut kishte ndjekur Shkollën Bujqësore në Selanik. Kishte shërbyer në kajmekamllikun e Kozanit, Edirnesë e të Vlorës. Kishte ikur më 1901 jashtë perandorisë dhe pas ca viteve do të kthehej në Sofje, ku do të binte në kontakt me nacionalistët shqiptarë që vepronin te mbledhur rreth “Dritës”. Për shkak të aktivitetit nacionalist ishte dënuar disa herë duke marrë arratinë, për tu kthyer përsëri vetëm pas shpalljes së Kushtetutës së II-ë. Me t’u zgjedhur deputet i parlamentit, Kolonja përveç përfaqësimit të konceptit të partisë së tij, nuk la anash as avancimin e çështjes shqiptare në parlamentin osman, me çka edhe kohë pas kohe u kritikua nga anëtarët e tjerë të partisë, për anashkalim të vijave dhe vlerave të përgjithshme e përbashkëuese  që kjo parti promovonte. Në të gjitha dokumentet që posedon Arkivi i Parlamentit Osman, Shahin Teki Kolonja, ishte i vetmi deputet zyrtar që kishte kjo parti.

1911, fundi i demokratëve

Pasi që xhonturqit kishin forcuar pozitat e veta dhe vendin e kishin futur në një diktaturë më të egër se sa pandehnin dikur për Sulltan Abdulhamitin II, reprezaljet dhe kërcënimet nuk pushuan për asnjë anëtarë tjetër që nuk ishte me ata. Ibrahim Temo, Abdullah Xhevdeti, Dervish Hima e Fuad Shukru, ishin emra me nam dhe aktiviteti i tyre ishte gjithmonë nën vëzhgimin e zabitëve xhonturq. Për këtë, megjithëse Partia Demokratike kishte hapur dy klube të fuqishme në Stamboll dhe gjashtëmbëdhjetë të tjerë në vendet e ndryshme të perandorisë, kundër tyre nuk munguan bastisjet e kërcënimet në vitet radhazi. Të gjithë këta anëtarë u arrestuan sa e sa herë nëpër zyrat e komisariatet xhonturke, duke pamundësuar kështu aktivitetin e tyre të lirshëm politik. Të ndodhur përballë kësaj gjendjeje, më 5 dhjetor 1911 partia kishte vendosur t’i bashkohej “Hürriyet ve İttilaf Fırkası”, që ishte partia më e madhe opozitare dhe ku mund të vazhdonin aktivitetin e tyre politik, duke përfunduar së ekzistuari kështu platforma demokratike e hartuar me aq hollësi nga Ibrahim Temo. Në Turqi viteve të fundit janë bërë studimet serioze arkivore në lidhje me këtë çështje, kurse historiografia shqiptare ende nuk ka arritur të trajtojë ecajaken historike të demokracisë ndër shqiptarë dhe që personalitetet shqiptare si Ibrahim Temo, Dervish Hima e Shahin Kolonja, t’i rehabilitoj e ti jap vendin e merituar në flakadanin e parë të demokratëve./ fronti.info

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne