Parti(ballë) Kazani

Një sondazh i fundit i titulluar “Besimi në qeverisje 2017” i mbështetur nga PNUD përsërit gjetjet e mëparëshme se institucioni më i besueshëm janë Forcat e Armatosura me 63%, pas tyre Institucionet e Arsimit Publik me 63% kurse Policia e Shtetit, e shpallur pak kohë më parë si institucioni më i besueshëm, është vetëm me 53%.

Shifrat japin të dhëna interesante për shoqërinë civile që ka besueshmëri 57%, ndërkohë që më keq paraqiten gjykatat me 21%, partitë politike me 21%, prokuroria me 22%. Rekordin e besueshmërisë e kanë Institucionet fetare me 76%.

Siç bëhet e ditur për efekt të këtij sondazhi u intervistuan 1648 qytetarë në 61 bashki të vendit.

Duke mos vënë në dyshim të dhënat dhe metodën e ndjekur, nuk mund të mos marrim në krahasim të dhënën kryesore se më të besueshmit e sistemit janë jashtë qeverisjes dhe më pak të besueshmit janë brenda dhe pjesë e saj.

Media, kaq shumë e kritikuar dhe autokritikuar qëndron dy herë më part se partitë politike, duke i dhënë një përgjigje stigmatizimit të qëllimshëm që vjen nga politika. Këtu në vëmendje vjen lufta e përditshme  e kryeministrit Edi Rama që ka vënë në qarkullim shprehjen “Media kazani” – për fat të keq e vërtetë në shumë aspekte – shprehje e cila nisur nga shifrat duhet të vlejë shumë mirë edhe për atë që ai drejton e që e quan si “pasuri kombëtare”. Partia e tij Socialiste, e me të edhe programi i Rilindjes, timonit dhe tepsisë, në dritën e kësaj besueshmërie do të duhet të quhen parti kazani dhe çfarë kazani se.

Kjo është etiketë që jo vetëm provon një realitet shumë kompleks, por ajo vë distancën e nevojshme për të kuptuar mirë se vota që rëndom lexohet si shprehje besimi, është në fakt shprehje dëshpërimi dhe fataliteti mes dy alternativave që kanë uzurpuar jetën publike.

Sigurisht që përshtypjet mund të ndryshojnë, mundet që partitë të bëhen shumë më të besueshme, por deri në atë ditë, ato mbeten ashtu siç edhe janë: Kazani i Shqipërisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne