Pas Arabisë Saudite, Pompeo do të vizitojë Turqinë për rastin Khashoggi

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, do të vizitojë Turqinë pas vizitës në Arabinë Saudite në lidhje me rastin e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i cili u zhduk më 2 tetor pas hyrjes në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Sipas të dhënave që ka siguruar AA, Pompeo do të vijë në Turqi më 17 tetor dhe do të takohet me shefin e diplomacisë turke, Mevlüt Çavuşoğlu.

Më parë, presidenti Donald Trump tha se Pompeo do të dërgohet për të takuar mbretin saudit Selman për të diskutuar rreth zhdukjes së gazetarit të Washington Post, Khashoggi.

Departamenti i Shtetit konfirmoi njoftimin për udhëtimin e Pompeos, duke thënë se ai do të largohet për në Riad të hënën.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët turq dhe sauditë arritën në Konsullatën Saudite në Stamboll pas fillimit të një hetimi të përbashkët për gazetarin e zhdukur.

Autoritetet saudite ende nuk kanë dhënë një shpjegim të qartë për atë që mund të ketë ndodhur me Khashoggin, ndërkohë që disa vende, veçanërisht Turqia, SHBA dhe Britania, kanë deklaruar që misteri duhet të zbardhet sa më parë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne