Pas demarkacionit Haradinaj synon ngritjen e ushtrisë

Pas zgjidhjes të çështjes së demarkacionit, Qeveria e Kosovës do të fokusohet në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)  në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Për zyrtarët kompetentë, transformimi jo vetëm që është i pakthyeshëm, por është një proces i sigurt, në rrugë të mbarë dhe të mirë-koordinuar.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk janë assesi kërcënim për askënd në rajon dhe se Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti në rajon.

Lidhur me këtë proces, zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, i cili ka deklaruara se ekzekutivi është në fazën intensive të angazhimeve për të mundësuar komunikimin dhe avancimin e sektorit të sigurisë në Kosovë.

“Ky angazhim është në dy drejtime: me komunitetet pakicë në Kosovë dhe me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Secili proces e ka kohën e vet dhe ndonjëherë proceset janë të ndërlidhura në aspekte kohore dhe të angazhimeve”, ka thënë Ramadani për Indeksonline.

Sipas tij, tashmë procesi i transformimit të FSK-së është procesi kryesor i Kosovës.

“Jo vetëm përbrenda Kosovës, por po ashtu edhe për kontributin në sigurinë rajonale dhe më gjerë.  Transformimi i FSK-së jo vetëm që është i pakthyeshëm, por është një proces i sigurt, në rrugë të mbarë dhe të mirë-koordinuar. Kryeministri Haradinaj e ka qartësuar vazhdimisht se Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) nuk janë assesi kërcënim për askënd në rajon. Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti në rajon. Ndërsa, siguria e komuniteteve pakicë do të avancohet edhe më tutje me transformimin e FSK-së në FAK”, ka shtuar Ramadani.

LEXO EDHE:  Çfarë parashikon kontrata për “Rrugën e Kombit”?/ Nga detyrimet e qytetarëve, deri te ato të shtetit…

Ramadani ka thënë se Kosova do të jetë e gatshme të hap kapitullin e ri të saj dhe të rajonit në rrugën drejt NATO-s dhe në angazhimet ndërkombëtare për siguri dhe paqe.

“Është e qartë se procesi kushtetues për transformimin e FSK-së në FAK është rruga që kemi zgjedhur në respektim të rendit kushtetues dhe ligjor. Ky proces kushtetues mundëson lëvizjen para qoftë me Kushtetutë, qoftë me ligje dhe si të tilla sigurisht se këto ndryshime do të mundësojnë ndërtimin e momentin për vendimmarrjen politike”, ka përfunduar ai.

Ndryshe analistë të ndryshëm gjatë gjithë kohës janë shprehur skeptik në këtë çështje duke shtuar se shndërrimi i FSK-së në FAK mund të zgjasë pafundësisht.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne