Pas përfshirjes në islamofobi, Trampi do të flasë për Islamin në Arabinë Saudite

Presidenti Donald Tramp pritet të mbajë një fjalim mbi islamin radikal për udhëheqësit muslimanë në Arabinë Saudite këtë muaj, njoftoi Shtëpia e Bardhë të martën.

Trampi do të fillojë udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar si president në fund të majit, me ndalesa në Arabinë Saudite, Izrael, Belgjikë dhe Itali. Presidenti e portretizoi vizitën e tij në Lindjen e Mesme si një përpjekje për të ndërtuar bashkëpunim ndërfetar midis muslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve për të luftuar terrorizmin.

Këshilltari kombëtar i sigurimit, H. R. McMaster tha se Trampi do t’u drejtohet udhëheqësve nga 50 vende me shumicë muslimane, “ku ai do të mabjë një fjalim frymëzues por të drejtpërdrejtë mbi nevojën për t’u ballafaquar me ideologjinë radikale, dhe shpresat e presidentit për një vizion paqësor të Islamit që do të dominojë në të gjithë botën,” sipas The Hill.

McMaster tha se fjalimi do të synojë “të bashkojë botën më të gjerë muslimane kundër armiqve të përbashkët të të gjitha qytetërimeve, dhe të demonstrojë angazhimin e Amerikës ndaj partnerëve tanë muslimanë”.

Ndërsa në Arabinë Saudite, Trampi do të “marrë pjesë gjithashtu në themelimin e një qendre të re për të luftuar radikalizmin dhe për të promovuar moderimin”, tha McMaster.

Është ende e paditur nëse ndonjë nga liderët e pranishëm për fjalimin e Trampit në Arabinë Saudite do të jetë nga shtatë vendet me shumicë muslimane – Iraku, Irani, Siria, Sudani, Libia, Somalia dhe Jemeni – që Trampi veçoi në përpjekjen e tij të parë për ndalimin e udhëtimit në SHBA.

Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir e përshkroi vizitën e Trampit në mbretëri si “një mesazh i qartë dhe i fuqishëm që SHBA-ja nuk ka asnjë vullnet të keq” ndaj vendeve arabe dhe muslimane. “Ajo gjithashtu shërben për të zhdukur nocionin se Amerika është anti-muslimane”.

Por antagonizmi i Trampit ndaj islamit dhe muslimanëve është larg nga të qenit i zhdukur. Retorika anti-muslimane e presidentit vazhdon të ndjekë përpjekjet e tij për të imponuar një ndalim udhëtimi për personat pa viza nga gjashtë vende me shumicë muslimane.

Administrata ka pohuar se propozimi nuk përbën një “ndalim musliman”. Por gjyqtarët kanë vënë në dukje një numër komentesh Islamofobike të Trampit për të vënë në dyshim ligjshmërinë e tij.

“Nuk ka asgjë të ‘mbuluar’ për një njoftim për shtyp të titulluar ‘Donald J. Tramp po bën thirrje për një ndalim total dhe të plotë të muslimanëve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara’ “, shkroi në muajin mars Gjykatësi i Distriktit të SHBA-së, Derrick Watson, duke e lidhur drejtpërdrejt me një deklaratë të dhjetorit 2015 që ishte ende në faqen e internetit të fushatës së Trampit në atë kohë.

Trampi mbështeti propozimin e tij duke shkruar një email për gazetarët në dhjetor 2015: “Pa i parë të dhënat e ndryshme të votimit, është e qartë për këdo që urrejtja është përtej të kuptuarit. Nga vjen kjo urrejtje dhe pse ne do të duhet ta përcaktojmë? Deri sa ne jemi në gjendje ta përcaktojmë dhe ta kuptojmë këtë problem dhe kërcënimin e rrezikshëm që ai paraqet, vendi ynë nuk mund të jetë viktimë e sulmeve të tmerrshme nga njerëz që besojnë vetëm në xhihad dhe nuk kanë ndjenjën e arsyes apo respektit për jetën njerëzore”.

Trampi ka përdorur fjalë të tjera për të thënë pak a shumë të njëjtën gjë: “Unë mendoj se Islami na urren,” tha Trampi në një intervistë me Anderson Cooper të CNN në mars të vitit 2016. Ai vazhdoi duke thënë se kundërshtimi i tij ishte për Islamin radikal, por shtoi: “Është shumë vështirë të përcaktohet. Është shumë e vështirë të ndahet. Sepse nuk e di kush është kush”.

Pas një sulmi në qershor të vitit 2016 në një klub nate në Orlando, Florida, Trampi bëri thirrje për mbikëqyrje më të madhe të xhamive dhe paralajmëroi se muslimanët radikalë “po përpiqeshin të vrisnin fëmijët tanë”.

Komentet e Trampit gjatë fushatës së tij dhe pas zgjedhjeve nxitën islamofobinë dhe kontribuan në rritjen e incidenteve anti-muslimane, të cilat arritën në nivelet më të larta vitin e kaluar që nga periudha menjëherë pas 11 shtatorit 2001. Raporti nga Qendra Ligjore për Varfërinë Jugore tregoi se numri i grupeve anti-muslimane në SHBA u trefishua në vitin 2016.

Gjatë fushatës së tij, Trampi pëlqente të tregonte një histori apokrife rreth amerikanëve që gjuanin muslimanët me plumba të zhytur në gjakun e derrit. Ai gjithashtu sugjeroi një herë se nëna muslimane e një ushtari amerikan të rënë në luftë nuk u lejua të fliste, ndërsa burri i saj fliste në Konventën Kombëtare Demokratike. Dhe inaugurimi i tij në janar përfshinte lutje nga një pastor që mendonte se Islami është “i keq”.

Presidenti ka qenë shumë i heshtur ndaj sulmeve anti-muslimane në tokën amerikane.

Trampi gjithashtu e ka rrethuar veten me një numër islamofobash të njohur, duke përfshirë ndihmësin për sigurinë kombëtare, Sebastian Gorka dhe këshilltarin politik, Steve Bannon. Këshilltari i lartë i Trampit, Frank Wuco ka pohuar se muslimanët “në përgjithësi” duan “të nënshtrojnë” jo-muslimanët.

Në dhjetor, një grup urrejtjeje anti-musliman u vlerësua për ndikimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se kishte një “linjë të drejtpërdrejtë” me administratën Tramp.

Nga Antonia Blumberg

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne