nga Aydin Enes Seydanlioglu.

Sot Gjermania po diskuton çështjen e mbledhjes së “taksës së xhamisë” nga muslimanët për të financuar fondacionet muslimane dhe xhamitë. Ky plan i ri mendohet të jetë i ngjashëm me taksën e kishës gjermane dhe qëllimi kryesor pas hyrjes është të financojë nëpërmjet qytetarëve muslimanë shpenzimet për xhamitë dhe pagat e imamëve që punojnë në xhami.

Taksa e kishës mblidhet në Gjermani për të financuar shpenzimet e komuniteteve fetare dhe ideologjike. Ajo mblidhet nga zyrat e taksave të shtetit përkatës. Sipas nenit 140 të Kushtetutës Gjermane, në perputhje edhe me nenin 137 të Kushtetutës së Weimarit, subjektet publike të bashkësive fetare dhe ideologjike mund të taksohen.

Diskutimet për zbatimin e modelit të taksimit të kishave për xhamitë në Gjermani vazhdojnë të jenë një çështje shumë e rëndësishme. Taksa e kishës që mblidhet nga anëtarët e bashkësive fetare që konsiderohen si entitete publike, grumbullohet nga zyrat e taksave në përpjesëtim me pagat e qytetarëve në bazë të të ardhurave. Një sasi e caktuar e këtyre parave merret nga shteti si tarifë, dhe shuma e mbetur transferohet në bashkësinë fetare përkatëse.

Megjithatë, në Gjermani asnjë nga komunitetet myslimane, përgjithësisht të përbërë nga njerëz me prejardhje turke dhe komuniteti turk, nuk janë entitete publike. Entitetet publike kanë autorizim superior dhe të privilegjuar, dhe kanë statute të ndryshme për pronat, të ardhurat dhe personelin si dhe janë te ngritura në bazë të dispozitave të parashikuara nga një ligj specifik. Rrjedhimisht, është e pamundur që komunitetet myslimane dhe fondacionet ekzistuese të mbledhin një “taksë xhamie”.

Pra, cila është arsyeja kryesore për rritjen e popullaritetit të kësaj çështjeje midis elitave politike në Gjermani?

Imamët e Unionit Islamik Turk për Çështjet Fetare (DİTİB) të cilët janë dërguar në Gjermani nga Turqia janë konsideruar si një problem, veçanërisht pas krizës midis dy vendeve. Kohët e fundit, Horst Seehofer, ministri i brendshëm i Gjermanisë, tha se financimi për bashkesinë muslimane në Gjermani duhet të kryhet i pavarur nga vendet e huaja dhe theksoi se ai beson se imamët që punojnë në Gjermani duhet të trajnohen në Gjermani pa ndërhyrjen e vendeve të huaja. Me 900 xhamitë e saj, DİTİB është organizata më e madhe myslimane joqeveritare në vend e cila merr mbështetje financiare nga Turqia.

Për më tepër, Gjermania po kërkon të shkurtojë mbështetjen financiare të vendeve të huaja që shpërndahet nëpër fondacionet muslimane dhe xhamitë. Është e qartë se qeveria gjermane dëshiron të zëvendësojë financimin e ofruar nga vendet e Gjirit, kryesuar nga Arabia Saudite, për t’i dhënë fund varësisë së burimeve të huaja të komuniteteve të xhamive. Shumë fondacione dhe komunitete myslimane financohen ose nga Turqia ose nga shtete të Gjirit. Si rezultat, këto fondacione dhe komunitete janë akuzuar për transferimin e vlerave të diskutueshme politike tek qytetarët dhe krijimin e shoqërive paralele në Gjermani.

Diskutimi për një “taksë xhamie” në Gjermani nuk është një problem në vetvete. Fakti që kjo çështje është trumpetuar nga politikanët është një shenjë e qartë se nuk bazohet në nevojat e komunitetit musliman. Ky është një tregues i qartë se kjo çështje është shprehur nga politikanët me një axhendë politike. Nuk është një kërkesë e përqendruar në shqetësimet dhe nevojat e komunitetit musliman; përvec kësaj, kjo është një strategji politike.

Projekti “Islami gjerman” që ka dalë gjatë muajve të fundit është i lidhur drejtpërdrejt me debatet rreth të ashtuquajturës taksë xhamie. Koncepti i “Islamit gjerman”, pjesë e projektit të Islamit Evropian, përbëhet nga imamë të trajnuar paralelisht me paradigmën e përcaktuar nga Gjermania dhe synon të krijojë një “disiplinë islame liberale apo sekulare”.

Deklaratat kundër këtyre imamëve që vijnë nga Turqia dhe kërkesat që ata të trajnohen në Gjermani synojnë të thyejnë barrieart kulturore dhe fetare midis Turqisë dhe popullit turk që jeton në Gjermani. Plani për të trajnuar imamët në Gjermani perceptohet nga komuniteti mysliman si hapi i parë drejt projektit të Islamit gjerman, duke çuar kështu shqetësime në mesin e muslimanëve në vend.

Eshtë normale që një fe mund të praktikohet ndryshe në çdo vend, por kjo duhet të rrënjoset vetëm në dallimet social-kulturore, dhe jo për shkak të barrierave të hartuara nga një shtet. Ndërhyrja e shtetit në këtë proces është e paligjshme dhe e papranueshme. Nuk është e rëndësishme se ku trajnohen imamët, por si imamët të trajnohen paralelisht me parimet themelore të Islamit.

Si përfundim, ngritja e shkollave islame në Gjermani, edukimi fetar në shkolla dhe imamët e trajnuar në Gjermani janë tema me rëndësi jetike për myslimanët që jetojnë në Gjermani. Këto përpjekje janë kuptimplota vetëm nëse ato kryhen në mënyrë të pavarur nga politika; kjo është ajo që kërkojnë parincipet e shtetit modern. Çështja e taksës së xhamisë në axhendë si një instrument kontrolli që detyron Islamin të “reformohet” dhe formësimi i Islamit dhe muslimanëve në Gjermani nëpërmjet një modeli të imponuar nuk do të jetë sociologjikisht i zbatueshëm./dailysabah/Gazeta Impakt

73