Në Greqi është kthyer në çështje politike problemi me tekstet mësimore të shkollave në Shqipëri që prekin tema të karakterit historik dhe gjeografik. Dy vendet kanë ngritur prej vitesh një komision të përbashkët për rishikimin e teksteve dhe pastrimin e libra e shkollore nga përcaktimet irredentiste apo përmbajtjet me frymë nacionaliste.

Pala greke pretendon se ajo ka përmbushur kërkesat e palës shqiptare për pastrimin e teksteve, ndërsa ka bërë me dije se i ka kërkuar Tiranës zyrtare të rishikojë tekstin e Gjeografisë për klasat e 9 dhe 12, ku flitet për territore shqiptare në Greqi.

Zv/ ministri i Jashtëm, Yanis Amanatidis i thirrur në interpelancë për këtë çështje nga deputetët e Partisë “Grekët e Pavarur” tha se “Politika arsimore e Shqipërisë është e papërputhshme me vlerat e UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës në të cilën ajo është anëtare”, duke iu referuar librit të Gjeografisë që flet për “zona shqiptare në Greqi”. “Shteti shqiptar është i bllokuar në perceptime anakronike. Ne e kemi bërë të qartë se këto tekste janë të papranueshme dhe duhet të hiqen”-tha ai.

Amanatidis gjithashtu vuri në dukje se librat shkollorë do të jenë subjekt i takimit të radhës të Komitetit të Përbashkët Greko-Shqiptar të Ekspertëve – diçka që pala greke e ka kërkuar që në shkurt, por megjithatë libri i Gjeografisë për klasat e 9 dhe 12 u fut në kurikulat arsimore të vitit të ri shkollor.

Zëvendësministri i Jashtëm vuri në dukje se Shqipëria, për të vazhduar kursin e saj të pranimit në BE, duhet të plotësojë pesë kritere që lidhen me sistemin gjyqësor, ristrukturimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë vendin, ku përfshihet edhe çështja e teksteve shkollore.

41