Patriotizmi-nacionalizmi-shovinizmi

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Shqiptarët sot janë të detyruar të përballen fort e njëherësh me rrjedhojat e të tria këtyre dukurive, por u kushtojnë ende pak vëmendje nocioneve përkatëse. Ne shqiptarët jetojmë si të tjerët në një botë të pasigurt, në një Europë të tronditur dukshëm këto kohët e fundit, në një Ballkan gjithnjë të çoroditur e shpërthyes, në dy shtete shqiptare rrumpallë dhe në shoqërira të ndara e të trullosura. Jemi komb i ndarë, por kërkesa për bashkim kombëtar nuk është bërë ende lajtmotiv politik kryesor për të gjithë shqiptarët. Fjalën “atdhetarizëm” (patriotizëm) e kemi në majë gjuhës, që të tregojmë se jemi njerëz me dinjitet. Por, më shumë përpiqemi të tregohemi “europianistë” të vendosur, “panballkanistë” të përkushtuar, pa u merakosur se dukemi “hiçoshqiptaristë”. Një shembull pështirosës të “hiçoshqiptarizmit” na e ka sjellë gazeta “Panorama” më 22 nëntor 2017 me titullin e madh “Meta: Shqipëria shtyllë e fortë e filozofisë për europianizimin e rajonit”. Kjo parullë politike ngritur mbi një “filozofi” të shpikur rishtas ngjan më qesharake se parulla e kohës së Enverit: “Shqipëria, fener ndriçues dhe kështjellë e socializmit në Europë”.

Rrjedhat e zhvillimeve më të reja të ngjarjeve tregojnë se në marrëdhëniet ndërkombëtare, në përgjithësi, dhe në Europë e Ballkan, në veçanti, “patriotizmi”, “nacionalizmi” e “shovinizmi” janë në ngjitje.

Presidentit i Komisionit të Bashkimit Europian, Zhan-Klod Junker, ka lëshuar në gazetën spanjolle “El Pais” një deklaratë shumë zevzeke dhe një tezë provokuese se: “Katalonja është një shqetësim i madh, shumë i madh. Nuk më pëlqen situata që ka krijuar, është një katastrofë…. Është shumë e trishtueshme. Kjo nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Nacionalizmi është një helm i vërtetë”. (“Tema”, 20 nëntor 2017). Teza e Junkerit “Nacionalizmi, helmi i Europës” teorikisht është e gabuar dhe politikisht e rrezikshme.

*          *          *

Deklarata e Junkerit më shtyn të reagoj edhe për arsyen se me një mendësi të tillë antinacionaliste ndeshemi edhe në Shqipëri. Menjëherë pas deklaratës alarmante të Junkerit, kryetari i shtetit të Shqipërisë, Ilir Meta, mori rrugën drejt FYROM-it dhe atje ka “nxitur kryetarin shqiptar të parlamentit fyromas, Xhaferri, të kujdeset më fort për të forcuar marrëdhëniet ndëretnike në këtë shtet”. Pra, kryetari i shtetit të Shqipërisë i konformohet tezës antinacionaliste të Junkerit. Si duket, Ilir Metën, krahas halleve politike që ka brenda Shqipërisë, e paska zënë dhe frika se mos “vullneti politik katalanas për pavarësi” i infekton shqiptarët në Maqedoni dhe e rrezikon FYROM-in, duke nxitur nacionalizmin shqiptar për të sfiduar shovinizmin sllav.

Shqetësim tjetër është se zotëri Zhan-Klod Junker, për funksionet që kryen, me deklaratat e tij krijon turbullirë të re politike e diplomatike lidhur me vlerësimin e zhvillimeve që kanë ndodhur në Europë pas rrëzimit të murit të Berlinit. Ai nuk ka mbajtur fare parasysh natyrën nacionaliste të proceseve politike europiane që kanë çuar në ndryshimet e thella gjatë 30 viteve të fundit në Europën Lindore, Qendrore e Juglindore. Zhvillimet këtu kanë ndodhur pikërisht mbi bazën dhe sipas kritereve të politikave nacionaliste. Kjo është vlerësuar si emancipim, çlirim e arritje e madhe për zgjerimin e Bashkimit Europian. Kjo epokë e re në historinë europiane nisi me bashkimin e dy shteteve gjermane në një shtet të vetëm kombëtar, që përbën shembull të pastër të triumfit të nacionalizmit të mirëfilltë dhe është vlerësuar si faktor me rëndësi për stabilitetin në Europë. Kjo ngjarje u pasua nga shpërbërja e tri federatave shtetërore, ish-Bashkimit Sovjetik, ish-Jugosllavisë dhe ish- Çeko-Sllovakisë, ku shumë kombe nuk e ndjenin veten mirë. Edhe kjo është parë si shpërthim i valës së nacionalizmit në Europë që e përmirësoi mjaft klimën në kontinent. Pse të shpallet tani nacionalizmi si “helmi i Europës”!

Deri i radhis këto mendime, e mbaj në dorë librin me titull “Suitors and Suppliants. The Little Nations at Versailles” (Lutës dhe lypës. Kombet e vegjël në Versajë) botim në vitet 1946, 2001. Ky libër është ditari i Stephen Bonsal, që ka qenë ekspert i rëndësishëm diplomatik e përkthyes pranë drejtuesve të delegacionit amerikan në Konferencën e Versajës (1919), Udro Uillsonit e kolonelit Hauz. Bonsal-i ka pasur takime me të gjithë politikanët që bënin lutje e kërkesa pranë katërshes së madhe diplomatike të kohës (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Itali). Ka pasur takime, dreka e darka edhe me politikanë ballkanas, duke përfshirë Knjaz Nikollën e Malit të Zi dhe shqiptarin Esat Pashë Toptani, për të cilët shkruan me simpati: “Është e vërtetë se ata kanë ardhur si lypës, por pa rënë në gjunjë. Në fakt ata janë mjaft të papërkulur dhe ndoshta për këtë unë i dua ata kaq shumë. Këtu janë të shumtë ata që sillen e pështillen rreth e rrotull, duke rënë të gjithë barkas sa herë u duket se kjo përulësi do t’i ndihmojë të shtyjnë përpara planet e tyre” (f.77). Pas një shekulli duket se skena të ngjashme me ato të Versajës (Paris) janë zhvendosur në kryeqytetin e eurocentrizmit, në Bruksel, kur përfaqësues vendesh të vogla shkojnë vetë ose i thërrasin që të zvarriten para diplomacisë burokratike eurobrukselase. Kjo ndodh më shpesh me politikanët nga dy shtetet shqiptarë. Nuk mund të marrim me mend se si do të shkruhet për këta “lypës e lutës” shqiptarë më vonë. Urojmë që midis tyre të ketë dalë ndonjëherë ndonjë si Esat Pashë Toptani, me pakëz sedër e sens realpolitike shqiptare, jo vetëm qaravitës dhe grindavecë që fyejnë njëri-tjetrin.

Është për të ardhur keq kur një personalitet me rol të rëndësishëm në Europë, nacionalizmin në jetën e kombeve e në marrëdhëniet ndërkombëtare e trajton në mënyrë të pasaktë e në kundërshtim me konceptet teorike që i gjejmë më çdo fjalor gjuhësor dhe në literaturën e gjerë të specializuar. Nuk mund të mbështetemi fort tek “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, sepse konceptet e nacionalizmit e shovinizmit i ka trajtuar në frymë tejet ideologjike. Por, edhe në këtë fjalor nuk mungon vlerësimi se “Nacionalizmi është lëvizje kombëtare kundër pushtimit e sundimit të huaj”. Bëhet dhe sqarimi që i përshtatet shovinizmit “nacionalizëm borgjez … që shpall epërsinë e një kombi mbi kombet e tjerë dhe që nxit e ndez armiqësinë, grindjet e urrejtjen nacionale reaksionare”. Besoj se “konceptin junkerian” mbi “nacionalizmin si helm” e përgënjeshtron si duhet fjalori i gjuhës frënge “Le Petit Robert”, ku shkruhet se: “Nacionalizmi është doktrinë (pra, jo ideologji, AB), lëvizje politike që kërkon për një kombësi të drejtën të formojë një komb” (lexo një shtet sipas kuptimit që ka fjala komb në Europën Perëndimore, AB). Ky fjalor shpjegon gjithashtu se nacionalizmi është “ekzaltim i ndjenjës kombëtare, lidhje pasionante me kombin, të cilit i përket që nganjëherë shoqërohet me ksenofobi dhe vullnet për vetizolim”. Në këtë rast nacionalizmi kalon në “shovinizëm”.

Nga këndvështrimi teorik katalanët kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë të kenë shtetin e tyre dhe është e padrejtë që kjo të interpretohet si “helmim” i Europës. Nuk është Katalonja që po “helmon Europën”, por vetë politikat europiane. Nuk është faji i Katalonjës që në Gjermani nuk po bëjnë dot qeveri e mund të shkohet drejt zgjedhjesh të reja ose që mbështetja për presidentin e Francës, të zgjedhur me bujë, po bie. Nuk është faji i Katalonjës që diplomacia eurobrukselase nuk e shëron dot asnjë nga plagët e Ballkanit, por krekoset se mban në “Geto” shqiptarët e Kosovës. Nuk është faji i Katalonjës që në Europë janë krijuar probleme të vështira me refugjatët e luftës në kontinente të tjera e të varfërisë në Ballkan, që vlojnë pakënaqësira në Poloni, Hungari e gjetkë. Dhe, më kryesorja: nuk është faji i Katalonjës që Britania e Madhe doli nga BE-ja. Ky shpërthim i nacionalizmit britanik është shumë më goditës për “eurocentrizmin brukselas, parizian e berlinez” sesa pavarësimi i Katalonjës.

“Helm” për Europën nuk mund të bëhet kërkesa e Katalonjës për pavarësi, sikurse nuk u bë e tillë kërkesa e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Pavarësimi i Kosovës u bë antidot ndaj helmimit të Ballkanit nga shovinizmi serb. Por, për fat të keq, mësojmë se në pikëpamjet politike e diplomatike të Junkerit paska zënë vend urrejtja për nacionalizmin dhe simpatia për shovinizmin. Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin Europian në Bruksel, në një mbledhje të Komitetit të Jashtëm i qenka kundërvënë fort Junkerit për shkak se ky favorizon Serbinë dhe diskriminon Shqipërinë lidhur me caktimin e datës për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. (“Fleckenstein ‘sherr’ me Juncker për Shqipërinë”, “Tema” 22 nëntor 2017) Shovinizmi serb shpesh përkëdhelet në Europë, ndërsa nacionalizmi shqiptar vetëm akuzohet.

Po mbushen tri dekada që Europa nuk zgjidh dot problemin e pagëzimit për një shtet anëtar të OKB-së, që ende mban emër të përkohshëm, FYROM. Nuk ma merrte mendja se kjo punë do të zgjaste kaq shumë kur lexoja pjesën “Çështja e emrit” në librin “Who are the Macedonians” (Kush janë maqedonasit), ribotimi i vitit 2000. Autori i këtij libri, Hugh Poulton, shpjegonte atëherë se për ta pranuar këtë shtet në OKB u bë një kompromis me Greqinë (i sugjeruar nga Britania e Madhe, Franca e Spanja) që përkohësisht të përdorej emri “Ish-Republika Federative Jugosllave e Maqedonisë”. Poulton-i shkruante se “Përpjekjet (nga viti 1993 deri në 2000) për të gjetur kompromisin afatgjatë kanë dështuar. Në maj 1993 Greqia e hodhi poshtë propozimin e bërë nga Sairus Vens (amerikan) dhe Deivid Ouen (britanik) për emrin “Maqedonia e Re” ose “Maqedonia e Sipërme”… Më i pranueshëm për palën greke dukej emri “Sllavomaqedonia”, por kundër këtij emri reaguan fort shqiptarët në Maqedoni e jashtë saj”.

Emri nuk është gjetur ende dhe vështirë të gjendet një emër që t’i kënaqë të gjithë. Pas ngrohjes, kohët e fundit, të marrëdhënieve greko-fyromase, flitet se do të shtohen përpjekjet për të gjetur emrin e pagëzimit. Shqiptarët deri tani janë ankuar se qeveritarët e Shkupit i kanë lënë jashtë bisedimeve me grekët. Por, edhe sikur t’i përfshijnë, tani në këto bisedime nuk u bëjnë as vlerësim, as nderim. Nuk ka asnjë garanci se kjo do t’u dalë për mirë shqiptarëve. Me sa kam dijeni, shqiptarët nuk kanë ndonjë emër për të propozuar. Përkundrazi, rritet rreziku që shqiptarëve t’u kërkohet të bëjnë ndonjë sakrificë të re, kësaj radhe rreth emrit të shtetit, që deri tani nuk është shteti i tyre. Shqiptarët në FYROM janë vërtet popullsi autoktone në trojet e veta stërgjyshërore, janë në atdheun e tyre, në vendin e tyre, por ende jo në shtetin e tyre. Në FYROM shqiptarët trajtohen vetëm si pakicë kombëtare. Atëherë le të mbetet emri FYROM, si përkohshmëri. Problemi themelor me FYROM-in nuk qëndron tek emri, por tek konceptimi dhe ndërtimi i shtetit si shtet kombëtar unitar i një kombi, që në fakt ende nuk ekziston në të vërtetë. Këtë gjithkush mund ta kuptojë lehtë po ta lexojë si duhet librin e Poulton-it “Kush janë maqedonasit” ose po t’i ketë parasysh qëndrimet që mbajnë Serbia, Bullgaria e Greqia ndaj popullsisë sllavishtfolëse të FYROM-it. Për shqiptarët nuk mund të ketë kuptim të gjendet një emër që do t’i lejë ata, jo më përkohësisht, por përfundimisht, në pozitën e statusin e tyre të tanishëm të pakicës kombëtare. Çfarëdo emërtimi që nuk do të përfshinte elementë gjuhësorë të federalizimit të FYROM-it, nuk ka pse të jetë i mirëpritur nga shqiptarët.

Në mjediset politike, intelektuale e publicistike shqiptare janë bërë debate të shumta, e shpesh të ashpra, lidhur me nacionalizmin, në përgjithësi, dhe nacionalizmin shqiptar, në veçanti. Antinacionalistët shqiptarë kanë ndjekur pak a shumë atë logjikë që gjejmë në deklaratën e Zhan-Klod Junkerit, por fshihen pas termit “patriotizëm”. Është thënë shpesh se praktikisht ata kanë bërë lojën e nacionalizmave të tjerë anti-shqiptarë, d.m.th. të shovinizmave ballkanikë. Historiani Ardian Muhaj ka sugjeruar një perceptim teorik të ri të nacionalizmit në Ballkan. Në Ballkan asnjëherë nuk është zbatuar parimi themelor i nacionalizmit, siç e ka formuluar studiuesi i njohur Ernest Gellner: “Përputhje e njësisë politike (shtetit) me njësinë etnike (kombin)”. Kur lindi çështja kombëtare në Ballkan në shekullin XIX, të gjitha kombet e këtij rajoni shpallën programe shoviniste, që njësinë e tyre politike e shtrinin përtej njësisë etnike dhe pothuajse të gjithë e realizuan këtë edhe në praktikë. Shembullin e parë më tipik e kanë dhënë serbët me “Naçertanien” e grekët me “Megaliidenë” në gjysmën e parë të shekullit XIX. Pastaj bullgarët me projektin e “Bullgarisë së Madhe” të Shën Stefanit dhe Mali i Zi në çerekun e fundit të shekullit XIX. Vetëm shqiptarët në Lidhjen e Prizrenit shpallën një program nacionalist të mirëfilltë, duke kërkuar që njësia politike të përputhej me atë etnike, si bashkim i katër vilajeteve shqiptare të Perandorisë Osmane. Luftërat Ballkanike (1912-13) e të tjera më vonë përforcuan karakterin shovinist të politikave të shteteve të Ballkanit dhe penguan zbatimin korrekt të parimit të nacionalizmit për shqiptarët.

Është mjaft domethënës vlerësimi që bën Muhaj se sot “maqedonasit nuk synojnë përputhjen e njësisë politike me atë etnike, por kanë bërë politikë të tyre shtetërore pikërisht mospërputhjen e tyre” (“Gazeta e re”, 11 prill 2017). Shqiptarët kanë mbetur të vetmit që u duhet ende të kërkojnë përputhjen e njësisë etnike me atë politike dhe për këtë nacionalizëm krejt normal qortohen. Ndërkaq ata që ndjekin politikë shoviniste mirëkuptohen e mbështeten. Këtë bën Junkeri në Bruksel. Çfarë ka për të thënë ai për këtë “gjendje helmuese” prej dy shekujsh në Europë?! Por, edhe shqiptarët në shumicën e tyre ende ngrihen kundër nacionalizmit të tyre, u vetëtrullosën me formulat panballkaniste e europianiste. Pra, Ballkanin nuk e ka helmuar dhe nuk e helmon nacionalizmi i paralizuar shqiptar, por e ka helmuar dhe vazhdon ta helmojë shovinizmi i shteteve ndaj njëri-tjetri dhe së pari kundër shqiptarëve.

Megjithatë, qeveritarët, politikanët e propagandistët grekë asgjë nuk i ndalon të japin alarmin deri në Bruksel se nacionalizmi shqiptar po rrezikon Ballkanin dhe Europën. Ata kërcënojnë se po nuk u zgjidhën si do Greqia disa çështje, të qena e të paqena, në marrëdhëniet greko-shqiptare, atëherë Greqia nuk do të lejojë hapjen e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë në BE. Mbas një fushate intensive kërcënuese që ndërmori Greqia gjatë disa muajsh, u bënë bisedime greko-shqiptare treditore në Kretë. Asgjë nuk është marrë vesh se çfarë u tha e çfarë u bë. Që nuk është zgjidhur e që nuk mund të zgjidhej asnjë çështje, kjo ishte e qartë dhe është e dukshme. Janë premtuar bisedime të tjera. Por, atje kur vihen përballë në bisedime diplomatike një shovinizëm agresiv e arrogant grek me një nacionalizëm ende të mekur shqiptar nuk duhet pritur shumë shpejt zhvillime pozitive. Problemet e ngrira në marrëdhëniet shqiptaro-greke do të vazhdojnë.

*          *          *

Në përgjithësi rajoni i Ballkanit vazhdon të jetë rajoni më i pasigurt i Europës, një lëmsh ngatërresash e politikash shoviniste që nuk po i bëjnë dot zap e vënë dot në vijë as BE-ja e as NATO-ja. Në Ballkan deri tani vetëm shovinizmit i është lënë terren i lirë dhe ky e ka shfrytëzuar mirë këtë mundësi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne