Pavarësi e hipotekuar, shtetshmëri e gjymtuar

Shkruan: Abdi BALETA

Kjo është historia e shtetformimit kombëtar shqiptar në Ballkan qysh nga koha kur u shpall pavarësia kombëtare më 28 Nëntor 1992. Hipotekimi i pavarësisë dhe gjymtimi i shtetshmërisë e kanë shoqëruar qysh nga fillimi shtetin e parë shqiptar të Shqipërisë të cunguar londineze dhe i njëjti fat po e shoqëron prej 10 vitesh shtetin e dytë shqiptar, Republikën e Kosovës. Edhe pas shkëputjes de facto të Kosovës nga Serbia, si rrjedhojë e ndërhyrjes së NATO-s në verën e vitit 1999, Serbisë iu lanë mundësi të shumta që de jure ta mbante peng për shumë vjet përcaktimin e statusit juridiko-ndërkombëtar të Kosovës dhe të vijojë ta mbajë peng shtetshmërinë e saj të njohur ndërkombëtarisht. Për dhjetë vite me radhë (1945-1955) Shqipërisë i refuzohej pranimi si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ka dhjetë vjet tashmë që edhe shtetit të pavarur shqiptar të Kosovës i mohohet pranimi në këtë organizatë. Për disa dekada Shqipëria nën sundimin komunist ishte vendi më i (vetë)izoluar në Europë. Prej një dekade shqiptarët e Kosovës janë mbyllur si në geto dhe nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në Europë.

Bie në trishtim kur u kthehesh ngjarjeve – pësimeve të rënda në historinë shumëshekullore dhe në jetën kombëtare moderne të shqiptarëve. Trishtimi rritet kur të duhet të shkruash kështu në kohën që shqiptarët kanë për të nderuar dy jubile: “Vitin e Skënderbeut”, të shpallur në Shqipëri me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, dhe 10-vjetorin e (ri)shpalljes e të njohjes ndërkombëtare të shtetit të pavarur të Kosovës. Këto jubile po kalojnë në një atmosferë të zymtë.

* * *

Kujtesa për “Motin e madh”, kur jetoi e luftoi Gjergj Kastrioti–Skënderbeu sot po shërben edhe një herë më shumë për pragmatizëm të shpëlarë politik. Fama e luftërave dhe legjendat për Skënderbeun u përdorën mjeshtërisht nga rilindësit tanë për zgjimin kombëtar të shqiptarëve dhe për përgatitjen e terrenit për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar. Mbi këto themele Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) përpiloi e paraqiti programin politik kombëtar shqiptar. Bëmat e Skënderbeut shërbyen për konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar pas vitit 1912. Lavdia e Skënderbeut u shfrytëzua me efikasitet edhe nga regjimi komunist për mobilizime popullore rreth Partisë së Punës përballë rreziqeve që i vinin nga jashtë vendit. Prandaj, në vitin 1968 u kremtua me seriozitet e bujë 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Edhe pas 50 vitesh pushteti politik në Shqipëri iu rikthye kësaj praktike. Por, kësaj ngjarjeje askush nuk mund t’i japë më jehonën e shkëlqimin e herës së parë. Tani po nderohen jo një, por tri portrete-ikona të Skënderbeut. Disa e vlerësojnë e nderojnë atë si Heroin Kombëtar të shqiptarëve, që luftoi për atdheun e popullin e tij. Disa e hyjnizojnë më shumë si “Luftëtar për mbrojtjen e Krishterimit dhe të qytetërimit perëndimor”. Të tjerë spekulojnë politikisht duke e hymnizuar si prijës-emblemë që do të çojë shqiptarët drejt integrimit europian. Në jubileun e tanishëm figura e Skënderbeut nuk e ka më atë forcën magnetike e frymëzuese si më parë, sepse shqiptarët duken më të lodhur dhe më të zhgënjyer se kurrë nga copëtimi kombëtar nga dobësia e dy copë shtetesh krejt të pasigurt.

* * *

Më 17 janar nuk pati nderime të veçanta pranë monumenteve të Skënderbeut. Monumentit të lavdisë së vërtetë të Skënderbeut ende i mungon piedestali politik, shteti i përbashkët kombëtar, me gjithë mburrjet e herëpashershme se shqiptarët tani kanë jo një po dy shtete të tyre në Ballkan. Nuk bën të harrojmë se shtetshmëria, si e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, po nëpërkëmben vazhdimisht. Në mënyrë të veçantë duhet të kujtojmë se shtetshmëria e Kosovës së pavarur është e hipotekuar rëndë nga Serbia dhe po gjymtohet vazhdimisht edhe nga diplomacia ndërkombëtare. Proceset politike e diplomatike, që kanë çuar në këtë gjendje të rrezikshme e kërcënuese, janë në zhvillim të pandalur. Duket se diplomacia ndërkombëtare formulën magjike të saj se “Kosova është rast sui generis”, po e kthen në kahe antishqiptare për të zhbërë shumë nga arritjet e mëparshme në rrugën e njohjes e të konsolidimit të pavarësisë e të shtetshmërisë së Kosovës. Dëgjohen deri deklarata absurde se ky apo ai shtet mund të tërheqë njohjen e mëparshme të pavarësisë së Kosovës. Pra, duket se ende nuk është fashitur fryma antishqiptare e formulës famëkeqe të Komisionit Badinter, të vitit 1991, që e përjashtonte Kosovën nga e drejta për shkëputje meqenëse në radhë të njësive konstituive të ish-Federatës së Jugosllavisë emërtohej krahinë e jo republikë. Çështja e pavarësisë së shpallur me referendum të Kosovës u shpërfill në Konferencën e Londrës në vitin 1992 për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Kjo çështje u shpërfill nga marrëveshjet e Dejtonit, me arsyetimin se Kosova nuk ishte përfshirë në luftërat që bëheshin në ish-Jugosllavi. Pastaj, për të imponuar një zgjidhje të çfarëdoshme, u sajua “argumenti sui generis” se status quo-ja e papërcaktuar (as luftë, as paqe) në Kosovë nuk mund të vazhdonte, por nuk mund të kishte as pavarësi për Kosovën. Shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër, veçse të mendonin për luftë të armatosur çlirimtare dhe, siç pritej, Kosova u ndodh përballë mësymjes më të egër ushtarake nga Serbia. Konferenca e Rambujesë, në shkurt-mars 1999, u mblodh për t’i vënë punës kapak, duke i detyruar shqiptarët të nënshkruanin që Kosova të mbetej pjesë e Serbisë. Por, Serbia, e inkurajuar nga Rusia, nuk e nënshkroi marrëveshjen, sepse kishte në plan të ndryshonte një herë e përgjithmonë fizionominë etnike të Kosovës, duke ndërmarrë masakra e dëbime masive të shqiptarëve. Kjo e detyroi NATO-n të ndërhynte ushtarakisht dhe Kosova u çlirua. Por, nuk u ndërprenë veprimet ndërkombëtare për të mos e çuar lirinë e Kosovës deri në pavarësimin e saj dhe për ta lënë gjithsesi Kosovën në një lidhje politike e juridike me Serbinë (Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së). Vitet e administrimit të Kosovës nga OKB-ja për këtë shërbyen. Këto ishin vite të ankthit të madh për shqiptarët. Pakënaqësia shqiptare shpërtheu sërish fort në kohën e “trazirave” të 17-18 marsit 2004, që e detyruan diplomacinë ndërkombëtare të kthente edhe një herë sytë më seriozisht ndaj problemit të pazgjidhur të statusit të Kosovës. Pas kësaj u vu në lëvizje “Procesi Ahtisari”, pra u përpilua “Projekti Ahtisari”, që ishte tejet i ngarkuar me teknicizma. Ky projekt ende vazhdon të merret si baza juridike ndërkombëtare e pavarësisë së sotme të Kosovës, ndonëse në projekt fjala “pavarësi” nuk figuronte fare. Kjo nuk ndodhi për harresë. Këtë bindje ma përforcon vlerësimi se “Në dinamikën e procesit (të pavarësimit të Kosovës, shënimi im) kyç u bë deklarata e Presidentit Bush gjatë një konference shtypi më 10 qershor 2007 në Tiranë: “Mbështes fuqimisht ‘Planin Ahtisari’. Kur do të përfundojë procesi. Koha është tani… Unë e kam bërë të qartë se së pari ne duhet të fillojmë të lëvizim dhe së dyti se rezultati përfundimtar është pavarësia” (Henry H, PerrittJr. “The Road to Independence for Kosovo, Achronicle of Ahtisari Plan”, 2010, f. 181). Por, para kësaj deklarate Ahtisari kishte qenë i detyruar që “Projektin” e tij ta vendoste në kornizën e “tri JO”-ve të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit për ish-Jugosllavinë: 1. “JO” kthimit të Kosovës në gjendjen para vitit 1999 (nuk mund të fshiheshin rezultatet e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s); 2.“JO” ndarjes së Kosovës (Serbia e donte ende gjithë Kosovën në hyqmin e saj); 3.“JO” bashkimit të Kosovës me ndonjë shtet ose pjesë të një populli tjetër. “JO” e tretë është një padrejtësi e pashembullt ndaj një kombi, duke e përjashtuar nga e drejta e vetëvendosjes. Për “Planin Ahtisari” jam shprehur shpesh. Këtu po sjell një pjesë nga një analizë e mëparshme (2007), që mbetet aktuale.

* * *

Atributet dhe elementët shtetërorë për Kosovën që i parashikon “Pakoja e Ahtisarit” nuk formojnë një fizionomi të mirëfilltë të një shteti të pavarur e sovran kombëtar shqiptar në Kosovë, siç duhet të jetë në të vërtetë ky shtet. Edhe kjo është bërë për të kënaqur tekat e Serbisë, që çirret se nuk mund të lejojë krijimin e një shteti të dytë shqiptar në Ballkan.

“Pakoja e Ahtisarit” ka mbetur një variant i tekstit të marrëveshjes së Rambujesë, që njihet dhe si teksti Hill-Majorov. Nuk kemi gabuar kur procesin e bisedimeve të Vjenës e kemi parë si një edicion të dytë të bisedimeve të Rambujesë, por në kushte më të lehta për shqiptarët, ngaqë këto bisedime u bënë pas gjendjes së re që e krijoi ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, kur Serbia me kokëfortësi sfiduese refuzoi ta nënshkruante tekstin Hill-Majorov. Në Rambuje, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, u gjet formula dykuptimëshe “Serbia jashtë Kosovës dhe Kosova në Serbi”, që donte të thoshte që Serbia të tërhiqej ushtarakisht nga Kosova, por Kosova të mbetej nën juridiksionin dhe nën kontrollin politik të Serbisë. Serbia nuk deshi ta pranonte këtë formulë dhe kjo çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, në dëbimin e pushtetit politike ushtarak të Serbisë nga Kosova, por nuk e çoi procesin deri në fundin logjik dhe me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit teorikisht e la Kosovën nën juridiksionin juridik-ndërkombëtar të Serbisë. Pra, mbeti pa efekt teksti i përgatitur për marrëveshjen e Rambujesë, por u ruajt fryma vepruese e Rambujesë, e cila u ringjall në bisedimet e Vjenës dhe tani është rikthyer në tryezën e bisedimeve politiko-diplomatike me “Pakon e Ahtisarit”.

Natyrisht, kohët e rrethanat kanë ndryshuar dhe formula “Serbia jashtë Kosovës dhe Kosova në Serbi” nuk mund të ruhej në formën e saj fillestare. Tani me “Pakon e Ahtisarit” praktikisht po veprohet sipas një formule ku bëhet rokadë termash “Kosova jashtë Serbisë dhe Serbia në Kosovë”. Pikërisht këtë rokadë termash e shprehin edhe shfrimet e kënaqësisë që lëshojnë optimistët shqiptarë se “Pakoja e Ahtisarit e nxori Kosovën nga juridiksioni i Serbisë”. Për ata që nuk dinë ose nuk duan të thellohen në kuptimin e hileve të formulave politiko-diplomatike dykuptimëshe duket si një fitore e madhe që Kosova po del nga juridiksioni i Serbisë. De facto kjo kishte ndodhur. De jure gjendja absurde dhe arbitrare ishte mbajtur artificialisht.

Mirëpo, tani nën pretekstin se po i jepet fund kësaj gjendjeje juridike arbitrare e artificiale, e cila nuk mund të kthehet në gjendje faktike, Kosovës po i mohohet sërish ajo që është thelbësore: njohja e shprehur ndërkombëtare e statusit të shtetit të pavarur e sovran. Kjo është një hipotekë shumë e rëndë serbe mbi ardhmërinë e Kosovës. Sipas “Pakos së Ahtisarit” Kosova nuk do të jetë shtet normal si çdo shtet tjetër në botë. “Konturet shtetërore” të Kosovës, për të cilat gëzohen disa politikanë shqiptarë, nuk do të jenë “konture të një shteti shqiptar” në Kosovë, por konture të një krijese shtetërore amorfe, që do të emërtohet “shoqëri shumetnike”, ku dhe një pakicë kombëtare, serbët, që nuk përbëjnë më shumë se 3-4% të popullsisë do të jetë element shtetformues me më shumë fuqi politike e juridike se shumica shqiptare prej 95%.

Beogradi nuk do të ushtrojë më pushtetin në Kosovë drejtpërsëdrejti, si fuqi koloniale, por do ta ushtrojë këtë pushtet si partner e kujdestar i pushtetit që do të kenë kolonët serbë në Kosovë. Këta kolonë serbë do të jenë në pozita politiko-juridike e faktike më të privilegjuara, sepse do ta kenë të drejtën e vetos për çështjet që u interesojnë më direkt dhe që, me sa duket, bëjnë një listë të gjatë në “Pakon Ahtisari”. Gjatë konferencës së shtypit, Ahtisari ia la zëvendësit të tij austriak, Rohanit, detyrën të jepte sqarimet për këtë aspekt. Rohani përmendi fusha të tilla, si arsimimi, shëndetësia, pushteti vendor, trashëgimia kulturore, pjesëmarrja në qeveri e mekanizmat administrativë, ku autoritetet qendrore të Kosovës nuk bëjnë dot asnjë ligj e nuk hedhin dot asnjë hap pa qenë dakord edhe serbët. Serbët do të kenë lidhje shtetërore me Beogradin, do të marrin fonde nga Beogradi, pra do të jenë bujtës sherrxhinj në Kosovë, të mbrojtur nga ndërkombëtarët e nga Beogradi, dhe shtetas të bindur të Serbisë në detyrime. Ndërkaq shqiptarët e Kosovës do të kenë vetëm detyrime që serbët të mos ankohen asnjëherë për asgjë. Kështu, qeverisja në Kosovë është e hipotekuar rëndë në favor të pushtetit serb në Beograd. Kishat serbe do të jenë në Kosovë njolla të mëdha eksterritorialiteti.

Pavarësisht nga anët pozitive të “Pakos Ahtisari”, nuk kemi si të mos vëmë në dukje se procesi i gjatë diplomatik që quhet “përcaktimi i statusit të Kosovës” është përdorur, në fakt, për ta përcaktuar statusin me të cilin do të kthehej prania politiko-juridike e Serbisë në Kosovë, duke e bërë Kishën Ortodokse dhe pakicën serbe një forcë kolonizuese “sui generis”, pengmarrës të pavarësisë së Kosovës. Duhet të frikësohemi edhe më shumë, sepse nëse tani e tutje punët shkojnë sipas planit të paraqitur, në Kosovë do të vërdallisen më guximshëm fantazmat e shtetit teokratik serb dhe kolona e pestë e sundimit të Beogradit. Ndërsa trumbetohet se Kosova po nxirret nga juridiksioni i Serbisë, ky juridiksion rikthehet në Kosovë në formën e privilegjeve të mëdha të papërligjura për Kishën serbe, trashëgiminë kulturore serbe, enklavat serbe që bëhen shtetucë më vete brenda Kosovës nën garanci ndërkombëtare. Ja pse nuk flitet për pavarësinë e Kosovës në “Pakon e Ahtisarit”. (A.Baleta, “Pengmarrje serbe për pavarësinë e Kosovës”, gazeta “Rimëkëmbja”, 6 shkurt 2007).

* * *

Rrjedhojat që sillte“ Plani Ahtisari” për shtetmërinë e brishtë të Kosovës së pavarur besoj se më qartë, më saktë e më sinqerisht i ka përshkruar Henry H.Perritt Jr.: “Realiteti ishte i tillë sa rekomandimet e Ahtisarit u kishin dhënë aq shumë serbëve të Kosovës sa e bënin Kosovën gati të paadministrueshme për shkak të mbivendosjes së autoritetit ndërkombëtar dhe autoritetit të zgjedhur e të qeverisë së dobët qendrore” (f. 205). Sot, në Kosovë është krijuar pikërisht kjo gjendje dhe vazhdon të thellohet. Ndikim të fuqishëm negativ për krijimin e kësaj gjendjeje ka pasur plani i paraqitur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, në fillim të vitit 2009, kur pushteti i UNMIK-ut (OKB) i kaloi EULEX-it (Bashkimit Eruropian). Henry H. Perritt Jr. ka theksuar: “Ky plan prej 6 pikash në themel nuk pajtohej me Kushtetutën e Kosovës dhe statusin e saj si shtet i pavarur. Ai ishte më i keq se Rezoluta 1244 kur hiqej se kishte ‘status neutral’… Plani prej 6 pikash përforconte ndarjen faktike të Kosovës dhe e përligjte ushtrimin e sovranitetit nga Beogradi mbi një pjesë të saj”. Kjo gjendje po zgjat prej gati 10 vjetësh dhe vetëm përkeqësohet në dëm të sovranitetit të Kosovës, sidomos qysh kur filluan bisedimet shqiptaro-serbe në Bruksel, gjoja për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Efektin eroziv të kësaj veprimtarie mbi themelet e pavarësisë e të shtetshmërisë së Kosovës e ilustrojnë më së miri projekti për krijimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë, Gjykata Speciale Ndërkombëtare për Kosovën dhe trysnia që Kosova të japë territor për të siguruar lëvizjen e qytetarëve të saj në Europë, çka me shumë të drejtë kryeministri i Kosovës, Haradinaj, e cilëson si turp ta pranosh. Pra, të këqijat e Planit Ahtisari, me kalimin e viteve, janë shtuar e rënduar për shtetin e pavarur të Kosovës. Projekti “Zajednica” tregon se diplomacia europiane vazhdon t’i përmbahet me këmbëngulje të shëmtuar formulës “Kosova jashtë Serbisë, por Serbia në Kosovë”. Për fat të keq, të gjitha këto shoqërohen me një trysni sistematike, që e ushtron diplomacia europiane e Brukselit mbi shqiptarët, që ka herë pas herë dhe mbështetjen e SHBA-ve në kërkim të rregullimeve të reja në dëm të shqiptarëve që të tërheqin pas vetes Serbinë.

Tani flitet shumë se Rusia, e forcuar dhe e trimëruar nga sukseset që pati në aneksimin e Krimesë, në nxitjen e separatizmit në Ukrainën Lindore e ndërhyrjet në Siri, po bëhet më arrogante dhe më trazuese në Ballkan. Henry Perritt Jr. Vlerësonte para 8 vjetëve se “Rusia bëri një gabim thelbësor jo vetëm se mori anën e Beogradit, por dhe sepse i tha Koshtunicës se SHBA-të e BE-ja nuk do të guxonin kurrë ta çonin përpara pavarësinë e Kosovës përballë kundërshtimit të Rusisë e të Serbisë” (f. 206). Kuptohet, një dështim të tillë të dytë, pas atij të vitit 1999, gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në Serbi, diplomacia ruse përpiqet ta kompensojë me sa më shumë veprimtari ngatërrestare e turbulluese kundër Kosovës e shqiptarëve. Perrit-i ka tërhequr vëmendjen dhe në faktin se: “Rusia nuk ka nevojë ta dërgojë ushtrinë e kuqe në Ballkan për ta vendosur hegjemoninë e saj. Ajo ka nevojë vetëm të bëjë investime këtu nga korporatat që i kontrollon shteti. Sa më e madhe pasiguria në Kosovë, aq më pak do të shkojnë atje investimet perëndimore, duke lënë kështu më shumë hapësirë për investimet ruse, ndoshta më të mëdha se në kohën e Titos” (f. 259).

Prandaj shtohen gjasat për tensionimin e gjendjes në Kosovë e në Ballkan, siç dëshmojnë edhe fërkimet për Gjykatën Speciale, kriza në “Vetëvendosje”, trysnia për çështjet e demarkacionit me Malin e Zi, si dhe spekulimet që mund të bëhen me rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Kjo vrasje mund të ketë gjithfarë motivesh e autorësh, por mbetet gjithsesi brenda atij kuadri politik që ka krijuar në Serbi “debati për Kosovën”. Këtë e dëshmoi edhe nxitimi i presidentit të Serbisë të shpallte ndërprerjen e bisedimeve serbo-shqiptare në Bruksel dhe vizita e tij në Mitrovicë që të nxiste serbët për më shumë serbizëm.

* * *

Në Kosovë dhe për Kosovën problemet janë të shumta dhe acarimet mund të shtohen. Problemi më delikat për shqiptarët është të shmangin reagimet që mund të keqinterpretohen si mosmirënjohje ndaj bamirësve të tyre ndërkombëtarë. Por, me po aq rëndësi është që edhe miqve ndërkombëtarë t’u jepet mesazhi i sinqertë se shqiptarët pezmatohen kur bamirësit e tyre ndikojnë që t’i zihet shpesh fryma shtetshmërisë së Kosovës së pavarur, që ata e ndihmuan të vinte në jetë, por nuk kanë të drejtë ta mbysin./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne