Demokratët akuzuan kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku se me urdhër të Kryeministrit Rama, po godet dhe shantazhon grupin e prokurorëve antimafia. Sipas demokratëve, pjesë e të njëjtit skenar të ideuar nga kreu i Qeverisë, është edhe transferimi i 3 prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe procedimi disiplinor për 10 prej tyre, që ndiqnin dosjet e krimit të organizuar.
Partia Demokratike është e bindur se shpërbërja e grupit hetimor të dosjes së ish-ministrit Tahiri ka si qëllim pengimin e drejtësisë, gjë të cilën selia blu e konsideron vepër kriminale për të cilën kryeprokurorja Marku duhet të përgjigjet para ligjit.
“Hetimi pa vonesë për padinë penale të opozitës dhe pezullimi i Arta Markut nga detyra është shërbimi më i madh që prokurorët e ndershëm mund t’i bëjnë drejtësisë, duke mos lejuar që një kryeprokurore e përkohshme, shërbëtore e krimit të organizuar, t’i bëjë Shqipërisë një dëm të përhershëm”, tha Gazmend Bardhi, këshilltar ligjor i PD.
Burimi: Top Channel