PD bën analizë të humbjes së zgjedhjeve

Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e kësaj të hëne solli në vëmendje debatet e brendshme që pasuan humbjen në zgjedhjet e 25 qershorit dhe rikonfirmimin e Lulzim Bashës në krye të partisë. Burime nga mbledhja thanë se ishte deputeti i Durrësit, Oerd Bylykbashi që ka kërkuar një analizë të thellë për humbjen dhe për mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet brenda partisë. Bylykbashki ka kërkuar që pjesë e analizës të jenë të gjithë ata që ishin pjesë e shtabeve dhe ata që votuan në garën për kryetar të PD-së.
“Duhet që në analizë të thirren të gjithë ata që morën pjesë në shtabet e fushatës. Të thirren të gjithë ata që morën pjesë në komisionet zgjedhore dhe të gjithë ata që votuan në votimin për kryetar te PD-së se këta janë pjesa aktive e PD-së” – mësohet të ketë thënë Bylykbashi.
Sipas burimeve i vetmi që ka reaguar ka qenë Armand Teliti, ish-kryetar i degës së Durrësit. Sipas Telitit, Bylykbashi bën një ndarje të padrejtë kur quan anëtarë vetëm ata që votuan për kryetarin e PD-së.
Bylykbashi i është kundërpërgjigjur duke sqaruar se kishte të thënë të kundërtën e asaj që ai pretendonte.
“Armand, unë thashë të kundërtën. Duhet të thirren të gjithë këta sepse jo të gjithë ata që ishin nëpër shtabe morën pjesë në komisione në zgjedhje. Se jo të gjithë ata që ishin në komisione erdhën e votuan për kryetar të PD-së dhe jo të gjithë ata që votuan për kryetar të PD-së morën pjesë në shtabe e komisione. Pra, të tre këto bashkësi janë më të mëdha se njëra e vetme” – e ka mbyllur Bylykbashi. Armand Teliti ka qenë kryetar i PD-së së Durrësit. Ai kandidoi dhe humbi zgjedhjet lokale të 2007-ës përballë Vangjush Dakos, i cili vazhdon të jetë kryebashkiaku i Durrësit.

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne