Pelegrinët nga Shqipëria dhe rajoni gati për kryerjen e Haxhit

Institucionet e rajonit të Ballkanit kompetente për organizimin e Haxhit nga besimtarët muslimanë tashmë janë gati, ndërsa regjistrimet kanë përfunduar. Janë me qindra besimtarë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria që javën e fundit të këtij muaji do të nisen drejt vendit të shenjtë për të kryer kushtin e pestë të Islamit, Haxhin.

Rexhepi: Për herë të parë na kërkojnë 300 euro për person në tendat në Arafat

Nga Maqedonia do të nisen 70 pelegrinë më shumë se viti i kaluar, përkatësisht 800 pelegrinë, ndër të cilët më i riu është një tre vjeçar, ndërsa më i moshuari mbi 70 vjeç. Nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë për Anadolu Agency (AA) thonë se pelegrinët të cilët janë të ndarë në tre grupe dhe do të nisen me datë 25 dhe 26 të këtij muaji, të gjitha procedurat për shkuarje në Haxh i kanë përfunduar, përfshirë edhe kontrollin mjekësor.

Kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, për AA bëri të ditur se hoteli ku do të jenë të vendosur pelegrinët do të jetë në afërsi të vendeve të shenjta ku do të kryhen ritualet fetare dhe deri tek ato mund të shkohet në këmbë. Ai po ashtu theksoi se pelegrinët gjatë gjithë kohës do të jenë të shoqëruar nga një ekip profesional mjekësor që do të jenë në shërbim të tyre.

Shërbimi i vaksinimit të pelegrinëve realizohet nga Ministria e Shëndetësisë. Kreu i BFI-së theksoi se këtë vit u është bërë edhe ulje e çmimit të procedurës së vaksinimit, e cila deri në vitin e kaluar kushtonte 2.500 denarë (40 euro), ndërsa këtë vit kushton vetëm 1.000 denarë (16 euro). Rexhepi theksoi kjo shumë e shërbimit të vaksinimit paguhet nga BFI-ja, ndërsa vaksinat nuk paguhen pasi që tashmë disa vite dhurohen nga Bashkësia e Çështjeve Fetare e Turqisë (Diyanet).

Mirëpo, Rexhepi shprehu shqetësim në lidhje me atë siç tha ai, pagesës së tendave ku do të qëndrojnë pelegrinët në Arafat, gjë e cila u është kërkuar për herë të parë dhe për të njëjtën nuk janë njoftuar në kohë.

“Jemi të befasuar me një risi për të cilën nuk kemi qenë të informuar, edhe atë si duket jo vetëm ne, por të gjithë institucionet që janë të autorizuara për organizim të Haxhit nuk kanë qenë të informuar në kohë. Për herë të parë ndodh kjo që në Arabinë Saudite të paguhet qëndrimi në tendat në Arafat, edhe atë 300 euro për person”, shprehet Rexhepi për AA.

Rexhepi njoftoi se tashmë ka dërguar një shkresë deri te Ministria e Haxhit dhe te kompania përgjegjëse për pelegrinët nga Evropa dhe SHBA-të, në të cilën ka kërkuar të mos paguajnë këtë vit ose të participojnë pjesërisht, për shkak se siç thekson ai, “ky çmim nuk ka qenë i paraparë në aranzhmanet për pelegrinët”.

Çmimi për kryerjen e kushtit të pestë të Islamit për besimtarët muslimanë nga Maqedonia është 3.900 dollarë amerikan, përjashtuar 300 euro për tendën në Arafat për të cilën nuk dihet nëse do të paguhet. Ata do të udhëtojnë me linjën ajrore Shkup-Jedahh, ndërsa kthimi do të jetë më 9 shtator nga Medina në Shkup.

Qindra besimtarë udhëtojnë nga Shqipëria dhe Mali i Zi për të kryer Haxhin

Edhe qindra besimtarë muslimanë të Shqipërisë kanë bërë përgatitjet e tyre për të udhëtuar në vendet e shenjta për të kryer ritualin e Haxhit, një prej pesë kushteve të fesë Islame.

Mësohet se këtë vit janë rreth 450 besimtarë që do të udhëtojnë nga Shqipëria për të kryer Haxhin, ku pjesë e tyre janë edhe besimtarët nga Mali i Zi, ndërsa nisja e tyre do të kryhet më datë 21 gusht.

Çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët muslimanë nga Shqipëria është 3.000 euro.

Këtë vit numri i besimtarëve të regjistruar për të kryer një prej pesë kushteve të fesë Islame, është më i lartë se në krahasim me një vit më parë, ku udhëtuan për Haxhin rreth 370 besimtarë.

1079 kandidatë për haxhinj udhëtojnë nga Kosova, kushtet e reja vështirësojnë punën e BIK-ut

Në një prononcim për AA, sekretari i përgjithshëm i kryesisë së Bashkësisë Islame në Kosovë, Resul Rexhepi, bëri të ditur se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për shkuarjen në Haxh, si kontraktimi me agjencinë avio-transportuese, sigurimi i hoteleve për qëndrimin në Mekë dhe Medine, vaksinimi i kandidatëve për haxhinj, si dhe të gjitha pagesat e nevojshme për marrjen e vizave. Ai njoftoi se tani ka mbetur vetëm marrja e vizave nga delegacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, brenda disa ditëve.

Rexhepi njoftoi se për shkuarjen në Haxh e gjithë ekspedita nga Kosova përbëhet nga 1079 haxhinj, prej tyre 37 nga ekipi udhëheqës i grupeve, 3 udhëheqës kryesorë, si dhe 8 mjekë nga ekipi shëndetësor.

Duke bërë të ditur se ky numër në vitin e kaluar ka qenë 860, të ndarë kë katër grupe, Rexehpi bëri të ditur se këtë vit 1079 haxhinj janë ndarë në pesë grupe dhe se do të udhëtojnë me 5 avionë nga Prishtina për në Mekë, Xhidde dhe në kthim nga Medina për në Prishtinë.

“Avioni i parë i kandidatëve për haxhinj nga Kosova do të niset në orët e vona të datës 19 gusht, dy të tjerë në datën 20, dhe avioni i katërt dhe i pestë në datën 21 gusht. Kurse kthimi I tyre do të bëhet me datën 16-17 shtator”, njoftoi Rexhepi.

Sekretari i BIK-ut bëri të ditur se kandidati më i ri për të qenë haxhi, sivjet është i lindur në vitin 1999, ndërkaq ai më i vjetri në vitin 1931.

Sa i përket çmimit, Rexhepi njoftoi se është i njëjtë me vitet e mëhershme, 3400 euro, por që është vështirë që ky çmim të garantohet edhe në vitet e ardhshme. Sipas tij kjo ndodh për shkak të dy obligimeve të reja të cilat më parë nuk kërkoheshin, pra pagimi i tendave në Arafat në vlerë prej 300 eurosh, si dhe pagesa prej 500 eurove që kërkohet për haxhinjtë të cilët kanë qenë një a po dy vite më parë dhe dëshirojnë të shkojnë përsëri.

“Kemi bërë pagesat për tendat në Arafat, gjithçka do të kishte qenë në rregull në qoftë se për këtë gjendje do të ishim njoftuar me kohë, sepse në llogaritjen e transporteve dhe të gjitha shpenzimeve tjera, ne nuk e kemi llogaritur edhe këtë 300 euro për në Arafat. Kjo pagesë e cila nuk kërkohej më parë na ka rënduar shumë, ndërkaq një çështje tjetër që na ka befasuar është që në qoftë se ndonjë haxhi ka qenë edhe vitin kaluar ose para dy viteve, për të duhet detyrimisht të paguhet 500 euro shtesë”, thotë Rexhepi.

Nga ana tjetër, autoritet e Arabisë Saudite kanë njoftuar se në Medinë deri më tani veçmas kanë arritur mbi 300 mijë haxhinj nga vende të ndryshme të botës dhe se numri i tyre rritet çdo ditë.

Sipas njoftimit, një pjesë e haxhinjve kanë udhëtuar për në Mekë pasi kanë përfunduar vizitat në Medinë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne